Vezoret policistike dhe pesha e tepërt?

Sindroma e vezores policistike është një çrregullim endokrin që prek femrat, kryesisht nga mosha 15-45 vjeç. Mund të shfaqet shumë herët, gjatë pubertetit dhe të zhvillohet gjatë viteve riprodhuese të një gruaje.

Gratë që kanë sindromën e vezores policistike flasin me mjekun e tyre kryesisht për cikle që nuk janë të rregullta (cikle që mungojnë ose ato që zgjasin shumë, më shumë se 7 ditë). Megjithatë, femrat me këtë sindromë përballen edhe me probleme të tjera, një prej të cilave është edhe pesha e tepërt.

Ekspertët besojnë se ka një lidhje mes vezoreve policistike dhe peshës së tepërt, për të cilën mund të thuhet se është një kombinim i predispozitave gjenetike, zakoneve të jetesës, dietës së varfër, aktivitetit fizik dhe mënyrës së jetesës në përgjithësi.

Nëse informoheni se në çfarë mënyre dhe si sindroma e vezores policistike mund të ndikojë në peshën e tepërt, lehtë do menagjoni këtë problem.

 

Simptomat dhe diagnoza

Sindroma e vezores policistike ndodh kur hormonet janë jashtë ekuilibrit. Gratë me këtë sindromë kanë më shumë hormone mashkullore se zakonisht. Edhe një rritje e vogël e androgjeneve mund të ketë një ndikim të madh në funksionimin e vezoreve.

 

Për të bërë një diagnozë të saktë duhet fokusuar në:

-Ciklet e parregullta ose të munguara

– Zbulimi i nivelit të lartë të hormonit mashkullor, të cilat mund të tregohen me shfaqjen e akneve dhe rritja jonormale e qimeve në fytyrë dhe trup.

-Ciste të vogla në vezore (nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata që kanë këtë sindromë kanë edhe kiste, megjithëse kështu quhet sindroma)

 

Sindroma e vezoreve polikistike shkaktohet nga:

  • Steriliteti
  • Kolesterol i larte
  • Rezistenca ndaj insulinës (e cila rrit rrezikun e zhvillimit të diabetit)
  • Depresioni
  • Simptoma që shoqërohet më shpesh me mbipeshën është rezistenca ndaj insulinës.

 

Rezistenca ndaj insulinës dhe kilogramët e tepërt

Gratë që kanë sindromën e vezores policistike shpesh kanë edhe rezistencë ndaj insulinës, që do të thotë se trupi ka vështirësi në nxjerrjen e glukozës nga qarkullimi i gjakut dhe shndërrimin e saj në energji.

Për shkak të kësaj, trupi duhet të prodhojë më shumë insulinë në përpjekje për të mbajtur një nivel normal të sheqerit në gjak. Me kalimin e kohës, trupi fillon të mbiprodhojë insulinë për të ruajtur nivelet normale të sheqerit në gjak.

Rezistenca ndaj insulinës përmendet shpesh si një faktor kryesor që kontribuon në shtimin e peshës. Kur niveli i glukozës në gjak vazhdon të rritet, pavarësisht nivelit të rritur të insulinës, zhvillohet diabeti i tipit 2.

 

Po faktorin gjenetik?

Megjithëse kërkimet nuk kanë konfirmuar ende një lidhje të qartë gjenetike midis sindromës së vezores policistike, kjo sindromë mund të shfaqet disa herë në një familje dhe është e mundur që disa mutacione mund të kontribuojnë nëse një grua do të zhvillojë këtë gjendje.

Nëse nëna ose motra juaj ka sindromën e vezores policistike ose një nga të afërmit tuaj të linjës së parë ka diabet ose rezistencë ndaj insulinës, ju keni më shumë gjasa të zhvilloni këtë gjendje.

 

5 këshilla

Fatkeqësisht, nuk ka kurë për sindromën e vezores policistike. Por ka disa gjëra që mund të bëni për të minimizuar ndikimin në shëndetin dhe cilësinë e jetës.

 

  • Kujdesuni për peshën e trupit tuaj

Nëse jeni mbipeshë, përpiquni të humbni të paktën 5-10% të peshës tuaj trupore me një dietë të shëndetshme dhe stërvitje të korrigjuar. Kjo mund t’ju ndihmojë të reduktoni kolesterolin, rrezikun e rezistencës ndaj insulinës dhe diabetit, dhe një infertilitet të mundshëm.

 

  • Kontrolloni insulinën tuaj

Në disa raste, mjeku juaj mund të përshkruajë një medikament që zakonisht jepet për të kontrolluar diabetin, por mund të jetë gjithashtu i dobishëm për sindromën e vezores policistike. Për marrjen e barnave, konsultimi dhe këshilla e mjekut janë të domosdoshme.

 

  • Mos merrni ilaçe pa konsultimin e mjekut tuaj!

 

  • Trajtoni infertilitetin

Problemet e infertilitetit zgjidhen më së miri me barna që nxisin ovulimin. Tek gratë që nuk i përmbahen terapisë mjekësore, një procedurë laparoskopike mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit të vezoreve. Gjithashtu, në këtë rast është e nevojshme konsulta dhe këshilla e mjekut.

 

  • Balanconi hormonet tuaja

Për gratë që nuk përpiqen të mbeten shtatzënë, kontraceptivët oralë mund të ndihmojnë në balancimin e hormoneve dhe rregullimin e ciklit. Ato gjithashtu mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit, të ndihmojnë me problemet me rritjen e tepërt të qimeve të trupit dhe fytyrës dhe të përmirësojnë gjendjen e lëkurës kur bëhet fjalë për aknet.

 

Zgjedhja e duhur e suplementeve

  • suplemente me bazë fibrash
  • suplemente me krom të shtuar

Pavarësisht nëse sindroma e vezores policistike është shkaktar i drejtpërdrejtë i peshës së tepërt apo jo, është e qartë se pesha e tepërt nuk kontribuon për një shëndet më të mirë dhe se pesha trupore duhet të rregullohet patjetër. Kur bëhet fjalë për trajtimin dhe luftimin e sindromës së vezores policistike, fokusi kryesor është te humbja e peshës, korrigjimi i dietës dhe ndryshimi i disa zakoneve të jetesës./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts