Pyetje:
Përshëndetje! Unë jam një nënë tani 4 vite jetojmë në Zvicër. Shqetësimi im është tek vajza e cila është 14 vjeçe. Duket shpesh herë që nuk na dëgjon dhe vepron vetëm ashtu siç dëshiron vet. Ka ndryshuar sjelljen e saj, dhe duket se ky ndryshim vjen nga mendjemadhësia që e ka. Neve na injoron totalisht dhe po mbyllet në vetëvete. Po kam frikë se gjatë gjithë kohës qëndron në telefon, diçka më e keqe mund të ndodhë. Gjithashtu, ka filluar të dalë natën me shoqet e saj. Ju lutem më këshilloni se si të veproj me të?
Përgjigje:
Përshëndetje, e kuptoj shqetësimin tuaj.
Vajza ndodhet në moshën e adoleshencës. Adoleshenca është një periudhë kalimtare. Adoleshentët përballen me shumë ndryshime emocionale dhe fizike. Kujdesi dhe përkrahja e prindërve në fazën e adoleshencës mund të ndihmojnë fëmijën të zhvillojë një identitet të qëndrueshëm dhe të ndihet i sigurt në eksplorimin e vetës dhe të botës që e rrethon. Fëmija do të zbulojë dhe krijojë vlerat e saj.
Pyetjet e identitet ( Kush jam unë ? A dëshiroj me të vërtetë të jem si babai im /si nëna ime?) janë të rëndësishme për të gjithë adoleshentët, por sidomos për mërgimtarët e rinjë, sepse është e mundur që ata të ndodhen midis dy kulturave, nga njëra anë, të jenë besnikë të kulturës të origjinës së tyre dhe nga ana tjetër, të kulturës së tyre të re.
Ndodh shpesh herë që të rinjët janë më të integruar se sa prindërit e tyre. Ky dallim i integrimit bëhet ndonjëherë aq i madh sa fëmija merr rolin e “përgjegjësit” të familjes, dhe ndihmon prindrit e tij, për shëmbull t’ju përkthejë bisedat e mjekut, të mbushi formularë zyrtarë e të tjera. Që për ta mund të jetë ngarkesë kur krahasojnë veten me bashkmoshatarët e tjerë ku jetoni.
Mirënjohja, dëgjimi dhe komunikimi janë më të rëndësishme për të ndihmuar adoleshentin të kalojë këtë periudhë të jetës së tij.Por shpesh herë, përpara një adoleshenti të mbyllur në vetvete dhe që të kthen përgjigjen me vërejtjen e parë, prindërit japin dorëheqjen. Jepini ju asaj mundësinë ti ftojë miqtë e saj në shtëpi, kështu ju do të keni mundësinë t’i njihni ata dhe të krijoni bindjet tuaja në lidhje me temat që diskutojnë ata. Mësoni fëmijën tuaj të vendosi kufitë e veta, dhe respektoni ato.
Jepini përgjegjësi adoleshentit tuaj. Mos kini frikë të vendosni kufijtë fëmijës tuaj dhe jeni të gatshëm t’jua shpjegoni ato. Bini dakort me fëmijën tuaj për rregulla të pranueshme për ju dhe diskutoni për pasojat e mundëshme në qoftë se këto rregulla nuk respektohen. E më në fund sigurohuni që ju të dyat ti respektoni këto rregulla.
Adoleshentët mund të përballen me stres, ankth, ose depresion në këtë fazë të jetës së tyre.
Prindërit duhet të jenë të pranishëm për të ofruar mbështetje emocionale dhe ndihmë në raste të nevojshme, si dhe të jenë të gatshëm të kërkojnë ndihmë profesionale kur është e nevojshme.
Pukjana Geci – Psikolge dhe terapiste./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”