Pyetje:
Përshëndetje!
Kam një djalë 3 vjeç. Ka qenë një fëmijë shumë i zhvilluar si fizikisht dhe në të folur që i vogël, dallonte shkronjat, ka qenë më i qetë. Në moshën 2 vjeç ka filluar të jetë më agresiv, kushurirat e veta në moshë i gjuan saqë edhe i lëndon, në disa raste edhe pendohet në disa raste jo. Është rritur me gjyshër të cilët e kanë përkrahur edhe kur ka bërë gabime (mos i bërtit ështe vetëm 2 vjeç ) mendoj se kjo është arsyeja. Gjithashtu kur nxiton në të folur i shtrembërohet goja.
Përgjigje:
Përshëndetje! Është e rëndësishme të kuptojmë se ndryshimet në sjelljen e fëmijëve mund të jenë të zakonshme në zhvillimin e tyre. Shumica e fëmijëve paraqesin një sjellje agresive gjatë kësaj moshe, por është gjithashtu e rëndësishme të merren hapa për të ndihmuar në menaxhimin e këtyre sjelljeve.
Së pari, krijoni lidhshmëri me fëmijën tuaj, dhe pastaj vendosni kufij. Lavdërojeni dhe inkurajojeni sjelljen e mirë të fëmijës, më shpesh se sa kritikoni sjelljen e tij të keqe.
Është e rëndësishme të analizoni arsyen e sjelljes së fëmijës dhe jo të fokusoheni vetëm tek reagimi i tij. Shihni me kujdes nëse ka ndryshuar diçka në sjelljen tuaj, apo të anëtarëve të tjerë në familje. Ashtu si keni theksuar, shpesh sjelljet agresive mund të vijnë nga vëmendja e tepërt ndaj këtyre sjelljeve dhe strategjitë e ndryshme të disiplinimit.
Kështu fëmija shfaq agresivitet duke tentuar të marrë vëmendjen tuaj. Kur përsonat të rritur dhe të rëndesishëm për fëmijën kanë mospërputhje mendimesh në prani të fëmijës, kjo e bënë atë konfuz dhe e shtyjn të bëjë përpjekje për të arritur qëllimin e tij. Ju duhet të bisedoni për këtë, sepse kjo mund të ndikojë te fëmija.
Prindërit duhet të hulumtojnë qasjen e duhur me fëmijën, por asnjëherë të mos përdorin dhunën si zgjidhje alternative. Momentin kur fëmija bën sjellje agresive, sigurohuni që mos të lendohet, mos jepni shumë vëmendje, mos u largoni nga ambiente ku po ndodhet fëmija, pasi fëmija më vonë mund të kuptojë që kur unë jam keq, prindi im nuk është afër meje.
Në situata të tilla, kur duam të mësojmë fëmijën për një sjellje të caktuar, duhet të menaxhojmë emocionet dhe sjelljen e tonë. Nuk mund të largojmë sjelljen agresive kur vetë e modelojmë atë. Është mirë pasi të qetësoheni, të uleni dhe të bisedoni pse ndodhi ajo sjellje dhe cilat janë pasojat e saj. Kjo lënë hapësirë juve dhe fëmijës të kontrolloni emocionet tuaja.
Pukjana Geci – Psikologe dhe terapiste./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”