Shkruan:
Jeta Kastrati – Fizioterapeute
Ecja në gishtërinjë nënkupton ecjen në maje të gishtërinjëve të këmbës nga fëmija, pa peshuar mbi thembra. E gjithë pesha dhe balanci i trupit bie mbi maje të gishtërinjëve gjatë ecjes. Disa fëmijë kanë tendencë të ecin në maje të gishtërinjëve kur fillojnë të mësohen të ecin. Në shumicën e rasteve ecja me gishtërinjë është “idiopatike”, që do të thotë se shkaku i saktë nuk dihet. Pas moshës 2 vjeçare, shumica e fëmijëve e tejkalojnë ecjen me gishta dhe fillojnë të ecin normal nga thembra. Nëse fëmija ecën me gishtërinjë të këmbës pas moshës 2 vjeçare , duhet t’i nënshtrohet një ekzaminimi të plotë fizik. Ecja me gishtat e këmbëve tek fëmijët mund të shkaktohet edhe nga disa faktorë si:
Shkurtim i tetivës së akilit
Probleme me zhvillimin e ecjes
Zvogëlimi i fleksibilitetit të muskujve të këmbëve Mospërputhja e gjatësisë së këmbës etj..
Shkaktarë tjerë të ecjes me gishtërinjë mund të jenë edhe gjendjet neurologjike siç janë: paraliza cerebrale, distrofia muskulare, autizmi etj. Pavarësisht nga shkaku i ecjes me gishtërinjë, trajtimi në kohën e duhur është i rëndësishëm. Injorimi i problemeve të ecjes së tillë mund të çojë në vështirësi të tjera më vonë në jetë, kryesisht për shkak të shkurtimit të muskujve.
Është shumë i rëndësishëm konsultimi me fizioterapeutin, në mënyrë që një problematikë e tillë të trajtohet me kohë, pavarësisht shkakut. Trajtimi me fizioterapi është shumë efektiv, duke përmirësuar aftësinë e fëmijës për të arritur ecjen korrekte me thembra.
Trajtimi fizioterapeutik përfshinë:
Zgjatjen e muskujve të shkurtuar ,zgjatje e tetivës së Akilit Forcim i grupeve të caktuara të muskujve, në mënyrë që fëmija të arrijë të realizojë ecjen me thembra.
Përmirësimi i balancit
Ushtrime të lëvizshmërisë së nyjeve për të mbajtur shkallën normale të lëvizjes Inkurajimi i një modeli normal të ecjes dhe mësimi i fëmijës suaj që të ecë me thembra.
Disa ushtrime që ju mund t’i realizoni në shtëpi nëse fëmija juaj ec me gishtërinjë të këmbës janë:
Ulja në gjunjë dhe ngritja, ecja përpjetë, prekja e majeve të gishtërinjëve të këmbëve me duar duke u përkulur me trupin përpara, ecja në rërë, ecja në thembra etj./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”