Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute
Gjendjet neurologjike janë probleme të cilat paraqiten për shkak të dëmtimeve që prekin trurin, palcën kurrizore ose nervat periferike.
Fëmijët me sëmundje neurologjike mund të përjetojnë vështirësi me funksionet fizike si lëvizshmëria, forca, ose ekuilibri etj.
Kjo ndodh për shkak të dëmtimit të sistemit nervor që mund të rezultojë me dobësim muskular apo me spazëm, lëvizje të pakoordinuar dhe prezencë të tremorit apo dridhjes. Përveç çrregullimeve të lëvizjes, fëmijët mund të kenë vështirësi në të folur dhe gëlltitje. Këto probleme mund të ndikojnë edhe në zhvillimin e fëmijës. Fëmija mund të arrijë zhvillimin në një moshë të mëvonshme dhe kjo gjithashtu mund të ndikojë në funksionet si kontrolli i kokës, zvarritja, ecja dhe të folurit.
Te foshnjat dhe fëmijët gjendjet më të njohura që paraqiten nga dëmtimet neurologjike përfshijnë :
Paralizën cerebrale
Gjendjet neuromuskulare, të tilla si distrofia muskulare Duchenne dhe atrofia muskulare kurrizore
Lëndimet në kokë
Kanceri i trurit dhe i palcës kurrizore
Lëndimet e nervit periferik etj.
Të gjitha këto raste kërkojnë trajtim të veçantë dhe individual nga ana e fizioterpeutit në mënyrë që të arrihet përmirësim i funksionit të pacientëve. Fillimisht fizioterapeuti do të vlerësojë zhvillimin e fëmijës, lëvizjen, ekuilibrin dhe forcën e tij për të bërë një program trajtimi të individualizuar.
Trajtimi me metodat fizioterapeutike do të maksimizojë potencialin e fëmijës dhe do të promovojë zhvillimin fizik për të arritur qëllime specifike, si zvarritja ose ecja.
Trajtimi zakonisht përfshinë planprogram të caktuar të ushtrimeve të bazuar në metoda të avancuara për të lehtësuar zhvillimin.
Trajtimi është shumë i fokusuar individualisht dhe ndryshon në varësi të nevojave të fëmijës.
Që të arrihen rezultate sa më të mira, rekomandohet që për fëmijët që kanë probleme zhvillimore ose fizike, trajtimi fizioterapik të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Edukimi i prindit apo kujdestarit në lidhje me ushtrimet dhe aktivitetet e përditshme jetësore, poashtu ka rëndësi në suksesin e trajtimit./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”