Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute
Paraliza e nervit facial është humbje e lëvizjes së muskujve të fytyrës në njërën anë dhe shkaktohet nga dëmtimi i nervit të shtatë të kokës (nervi facial), i cili inervon muskujt e fytyrës: muskujt e ballit, të kapakëve të syve, faqeve, buzëve, etj.
Paraliza e nervit facialis ndahet në dy lloje:
Paraliza periferike apo paraliza e Bellit që është edhe lloji më i shpeshtë i paralizës faciale dhe paraliza qëndrore.
Komprimimi i nervit facial përgjatë rrugës së tij shkakton paralizën e nervit facial. Ndër faktorë tjerë të cilët e shkaktojnë këtë komprimim mund të përmendim infeksionet e ndryshme, infeksionet e veshit të mesëm , hemorragjia cerebrovaskulare, tumoret e ndryshme, diabeti etj.
Simptomet e paralizës faciale periferike janë:
Asimetri e fytyrës
pamundësi për ta mbyllur syrin nga ana e prekur si dhe lotim këtë anë
prishje të shijes në gjysmën e gjuhës nga ana e sëmurë
vështirësi për ta rrudhur ballin nga ana e sëmurë
vështirësi për të fryrë faqet
vështirësi për të ngrënë ose për të pirë etj.
Fizioterapia ka rol të rëndësishëm në rikthimin e funksioneve të humbura tek paraliza e nervit facialis.
Varësisht nga lloji dhe shkaktari, përcaktohet edhe planprogrami fizioterapeutik për trajtim.
Me anë të procedurave të terapisë fizikale, bëhet i mundur rikthimi i funksioneve të humbura muskujve të fytyrës dhe rikthimi i tyre në gjendjen normale.
Prej procedurave të fizioterpisë përdoret elektrostimulimi si procedurë për stimulimin e funksionit të nervit facialis, masazhë manuale e fytyrës dhe ushtrime specifike për aktivizimin e muskujve të fytyrës. Pacienti gjithashtu udhëzohet që të vazhdojë edhe me ushtrime të ndryshme të mimikes në shtëpi, në mënyrë që të arrihet rikthim sa më i shpejtë i gjendjes normale ./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”