Shkruan: Dr Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dietelog -Nutricionist
Çfarë është lija e majmunëve, si përhapet?
Ditët e fundit në disa vende të botës janë zbuluar raste të virusit të lisë së majmunëve.
Kemi shumë raste të dyshuara ose të konfirmuara të lisë së majmunëve në Australi, Belgjikë, Kanada, Francë, Gjermani, Izrael, Itali, Holandë, Portugali, Spanjë, Suedi, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Sëmundja dihet se është endemike në disa pjesë të Afrikës, por një epidemi në rritje në disa vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut ka ngritur shqetësime se virusi mund të përhapet në të gjithë botën.
Çfarë është lija e majmunëve?
Lija e majmunit nuk është një sëmundje e re. Virusi u zbulua fillimisht te majmunët në vitin 1958, prandaj dhe ka ngelur emri i tij.
Rasti i parë i njeriut u raportua në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 1970.
Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae. Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera.
Prej kohësh dihet se virusi është endemik në 11 vende në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, veçanërisht në Nigeri dhe Kongo.
Megjithëse numri i saktë ende nuk dihet, vlerësohet se ka disa qindra raste në Afrikë çdo vit.
Virusi ka gjetur herë pas here rrugën e tij në pjesë të tjera të botës përmes kafshëve ose njerëzve të infektuar, por madhësia e epidemisë aktuale është e paprecedentë.
Si përhapet?
Ndryshe nga emri, virusi është më i zakonshëm te brejtësit si ketrat, minjtë – të gjithë këta mund të transmetohen te njerëzit.
Transmetimi mund të ndodhë edhe nëpërmjet kontaktit të ngushtë me persona të infektuar ose sende të kontaminuara si veshje, peshqirë dhe shtrat.
Përhapja nga njeriu në njeri është e mundur përmes pikave nga rrugët e frymëmarrjes, të cilat mund të transmetohen gjatë kontaktit të zgjatur ballë për ballë dhe kontaktit të ngushtë.
Cilat janë shenjat dhe simptomat?
Lija e majmunit shkakton ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh, ënjtje të nyjeve limfatike dhe lezione ose skuqje të lëkurës.
Nyjet limfatike të fryra janë karakteristikë e lisë së majmunit në krahasim me sëmundje të tjera që fillimisht mund të duken të ngjashme me linë.
Periudha e inkubacionit është mesatarisht gjashtë deri në 13 ditë.
Pesë ditët e para karakterizohen me temperaturë, dhimbje koke të forta, ënjtje të nyjeve limfatike, dhimbje shpine dhe dobësi të theksuar, dhe skuqja e lëkurës zakonisht fillon një deri në tre ditë pas fillimit të temperaturës.
Lezionet mund të përqendrohen në fytyrë, këmbë dhe pëllëmbë, brenda gojës, organet gjenitale dhe sytë.
Skuqja, e cila mund të jetë me kruarje ose dhimbje, kalon nëpër faza të ndryshme përpara se të thahet përfundimisht dhe të formojë acarime të lëkurës .
Diagnoza
Historia e udhëtimit ose kontakti me njerëz që shfaqin simptoma janë elemente të rëndësishëm në diagnostikimin e një rasti të dyshuar të lisë së majmunit.
Testet e gjakut të reaksionit zinxhir polimerazë (PCR) nuk kanë gjasa të japin rezultate përfundimtare, sepse virusi qëndron në gjak për një kohë të shkurtër.
PCR është një “test laboratorik i preferuar, duke pasur parasysh saktësinë dhe ndjeshmërinë e tij”, sipas OBSH-së, dhe mostrat më të mira diagnostikuese janë ato me lezione të lëkurës.
Njerëzit që vijnë në kontakt me kafshë ose individë me një infeksion të konfirmuar nga lija e majmunit duhet të monitorohen për simptoma për 21 ditë.
A mund të ketë infeksione asimptomatike?
Megjithëse nuk dihet me besueshmëri, lija e majmunëve nuk besohet të shkaktojë infeksione asimptomatike si COVID-19.
Sa e rrezikshme është sëmundja?
Shumica e rasteve janë të lehta dhe largohen vetë brenda dy deri në katër javë.
Megjithatë, infeksione të rënda janë vërejtur tek individët me imunitet të kompromentuar dhe tek fëmijët e vegjël.
Kohët e fundit, shkalla e vdekshmërisë ka qenë 3 deri në 6%, sipas OBSH-së.
Shkalla e vdekshmërisë së sojës nga pellgu i Kongos mund të jetë deri në 11 përqind, ndërsa ajo e Afrikës Perëndimore ka një raport shumë më të ulët prej 1.0%.
Trajtimin e lisë së majmunit dhe terapia
Sipas OBSH-së, të dhënat e deritanishme nga Afrika tregojnë se vaksina kundër lisë mund të jetë deri në 85 për qind efektive në parandalimin e infeksioneve të lisë së majmunëve.
Megjithatë, vaksinat kundër lisë nuk janë përdorur që nga viti 1980, kur bota u shpall pa sëmundje, që do të thotë se shumica e popullsisë globale është e pavaksinuar sot.
Aktualisht nuk ka asnjë metodë të provuar dhe të sigurt për trajtimin e lisë së majmunit dhe terapia bazohet kryesisht në një qasje mbështetëse për zgjidhjen e problemit.
Prandaj, theksi duhet të vihet në parandalimin, kryesisht shmangien e kafshëve që mund të kenë dhe potencialisht të transmetojnë virusin, shmangien e kontaktit me të gjitha objektet që mund të jenë potencialisht të kontaminuara me virusin dhe praktikimin e higjienës adekuate të duarve pas kontaktit me kafshët e infektuara. Pacientët e infektuar duhet të izolohen mirë dhe duhet të përdoren pajisje mbrojtëse personale për kujdesin e tyre. Në çdo rast duhet të merren parasysh grupet e pacientëve me rrezikshmëri të lartë, si dhe potenciali i përhapjes së sëmundjes brenda institucioneve shëndetësore. Duke pasur parasysh mundësinë e dyshuar të infeksionit seksualisht të transmetueshëm gjatë epidemisë së fundit, sigurisht që duhet theksuar rëndësia e kontaktit njerëzor në transmetimin e infeksionit.
A është e mundur një pandemi e re?
Cila do të jetë tendenca e së ardhmes është e vështirë të parashikohet. Ajo që mund të jetë në një farë mënyre ngushëlluese është se ne nuk kemi ende shumë raste deri më tani.
Transmetimi midis njerëzve kërkon gjithashtu kontakt të ngushtë të zgjatur, duke kufizuar përhapjen e lehtë të mundshme midis komuniteteve. Një faktor tjetër është se lija e majmunëve është një virus i ADN-së që nuk ndryshon aq shpejt sa COVID-19./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”