A jemi prind toksik – Shpesh nuk jemi të vetëdijshëm për sjelljet tona toksike, të cilat mund të lënë pasoja te fëmijët

Shumica e njerëzve, në çdo marrëdhënie, nuk duan të jenë toksikë. Megjithatë, mënyra se si jemi rritur, marrëdhëniet ndërnjerëzore që kemi, temperamenti ynë, mund të lejojnë që disa zakone të këqija të bëhen në mënyrë të padukshme pjesë e mënyrës se si i trajtojmë fëmijët tanë.

 

Pra, ndonjëherë prindërit as që janë të vetëdijshëm se janë bërë toksikë, çdo sjellje mund të korrigjohet, por para së gjithash është e nevojshme të ndërgjegjësoheni.

 

Ju po e cënoni pavarësinë e fëmijës

Detyra e prindërve është ta bëjnë fëmijën një person të pavarur që mund të kujdeset për veten kur të rritet. Mirëpo, ndonjëherë, pavetëdijshëm e cënoni pavarësinë e fëmijës, për arsye të ndryshme.

 

Ju etiketoni fëmijët tuaj me etiketime negative

Etiketimi mund të bëhet pjesë e sjelljes sonë krejt pa dashje. Në fillim ne e përdorim atë për të përshkruar disa sjellje që janë të padëshirueshme, dhe më pas me kalimin e kohës ndalojmë së foluri për sjelljen dhe ia bashkojmë atë etiketë. Për shembull, nuk themi se fëmija sillet i turpshëm dhe i tërhequr, por ai është frikacak.

Disa etiketime negative mund të ndikojnë edhe në sjelljen e një fëmije, kështu që nëse e quani një “frikacak”, ai mund të fillojë të fshehë emocionet e tij, nëse i thoni të voglit se është shumë kërkues dhe zgjedhës, ai mund të hezitojë edhe më shumë të provojë ushqime të reja. .

Fëmijët i kuptojnë të gjitha këto fjalë si fakte, kështu që ata e perceptojnë veten pikërisht ashtu siç u themi ne.

 

Ju disiplinoni për ndëshkim, jo ​​për të mësuar

Sigurisht, fëmijët duhet të ndjejnë pasojat e disa sjelljeve negative. Megjithatë, nuk është mirë kur qëllimi i disiplinimit bëhet ndëshkimi dhe jo të mësuarit – veçanërisht kur ndëshkimi e bën fëmijën të ndihet i turpëruar.

 

Nuk ju interesojnë ndjenjat e fëmijës

Ekziston një frazë që prindërit shpesh ua thonë fëmijëve të tyre, me qëllimet më të mira, por shkaktojnë efektin e kundërt të atij që duan – “Mos dramatizo” ose “Gjithçka është në rregull”. Nënat dhe baballarët e thonë këtë frazë kur fëmija është i mërzitur për ndonjë arsye, ndaj duan ta qetësojnë se gjithçka do të jetë mirë, por nëse fëmija frikësohet pyeteni atë pse ndihet i frikësuar – ju tregoni interesimin tuaj dhe vleresoni ndjenjat e tij.

Një fëmijë ka të drejtë të ndihet sido që të ndihet, dhe ky dështim për të pranuar ndjenjat e tij vetëm krijon një mjedis toksik në të cilin ata nuk ndihen të sigurt për të folur për emocionet e tyre.

 

Krahasoni fëmijët me njëri-tjetrin

Ju mund të keni një fëmijë që i bindet rregullave, i kryen detyrat e tij dhe një tjetër që është i pabindur. Sigurisht, është e pamundur të mos vini re dallimet mes të vegjëlve tuaj, por këto krahasime duhet të mbeten vetëm në kokën tuaj.

Thjesht, krahasimi mund të dëmtojë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e fëmijëve, çdo fëmijë është një individ për vete dhe natyrisht ai është i ndryshëm nga vëllai apo motra e tij.

Nëse e keni njohur veten në disa nga këto sjellje toksike, mos u dëshpëroni, por bëni çmos për ta korrigjuar sjelljen tuaj./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

 

SHPËRNDAJE:

Related posts