A ndikon stresi i babait te fetusi në barkun e nënës ?

Një studim i ri ka treguar se si stresi psikologjik i babait gjatë shtatzënisë mund të ndikojë në zhvillimin emocional dhe sjelljen e fëmijës. Deri më tani, hulumtimet janë fokusuar në lidhjen e gjendjes së nënës gjatë dhe pas shtatzënisë me shëndetin e përgjithshëm dhe zhvillimin emocional të fëmijës, dhe kjo lidhje tashmë është konfirmuar shumë herë.

“Rezultatet e këtij studimi të ri tregojnë se edhe shëndeti mendor i babait është factor rreziku për zhvillimin e fëmijës, ndërkohë që tradicionalisht mendohej se bartësja kryesore e këtij rreziku ishte nëna”, tha drejtuesja e studimit. psikologia Anne Lise Kvalevaag nga Universiteti i Bergenit në Norvegji, dhe shtoi: “Kjo është arsyeja pse në kërkime, por edhe në praktikën klinike, duhet të merremi më shumë me shëndetin mendor të baballarëve”.

 

Tre për qind e baballarëve në pritje janë nën stres të rëndë

Për një studim të botuar në janar 2013 në revistën Pediatrics, studiuesit ndoqën më shumë se 31,000 fëmijë të lindur në Norvegji dhe prindërit e tyre. Baballarëve iu bënë pyetje rreth gjendjes së tyre emocionale, si për shembull nëse ndiheshin të dëshpëruar apo të frikësuar, kur partnerët e tyre ishin shtatzënë në muajin e katërt ose të pesë. Nënat, nga ana tjetër, iu përgjigjën pyetjeve për shëndetin e tyre mendor dhe për zhvillimin social dhe emocional dhe sjelljen e fëmijëve të tyre në moshën tre vjeçare.

Studiuesit nuk kërkuan diagnoza specifike nga fëmijët, por mblodhën informacione nëse ata shpesh marrin pjesë në zënka, nëse janë të shqetësuar apo nëse humori i tyre ndryshon shpesh, shpjegoi kreu i hulumtimit.

Tre për qind e baballarëve raportuan një shkallë të lartë të stresit psikologjik dhe studiuesit përfundimisht panë se ishin fëmijët e këtyre baballarëve ata që kishin problemet më emocionale në moshën tre vjeçare. Megjithatë, ata nuk arritën të krijonin një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, por treguan disa nga mekanizmat e mundshëm që mund ta shpjegojnë atë.

 

Hormonet e një gruaje shtatzënë reagojnë ndaj gjendjes mendore të partnerit të saj

Një mundësi është që tendenca për vështirësi emocionale të përcillet gjenetikisht nga baballarët te fëmijët, thotë Anne Lise Kvalevaag. Ajo shton se shëndeti mendor i babait gjatë shtatzënisë së nënës është edhe një tregues i shëndetit të tij mendor pas lindjes së fëmijës, gjë që mund të shpjegojë edhe këtë lidhje.

Një ekspert tjetër, Daniel Armstrong, profesor i pediatrisë dhe drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Fëmijëve në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Miami, komentoi se depresioni tek babai mund të ndikojë në gjendjen psikologjike të nënës së ardhshme dhe kështu në mënyrë indirekte fetusin në zhvillim:

“Nëse babai është nën stres të madh, kjo mund të ndikojë në hormonet e nënës gjatë shtatzënisë, dhe të ndikojë në gjumin e saj, si dhe në gjendjen e saj mendore”. Sipas tij, zgjidhja mund të jetë shumë e thjeshtë:

“Krahas kujdesit të nënës ne duhet të kujdesemi edhe për gjendjen emocionale të babait,” thotë Daniel Armstrong./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts