Sipas një studimi të botuar në The Journal of Infectious Diseases, personat e moshës 50 vjeç e lart që kanë pasur edhe një rast të butë gripi kanë dyfishin e rrezikut të sulmit në zemër ose goditjes iskemike brenda dy javësh nga infeksioni. Ky probabilitet u katërfishua tek njerëzit me probleme shëndetësore para-ekzistuese që kishin një rast të rëndë gripi, me rrezikun e tyre që zgjati deri në dy muaj pas infeksionit.
Sipas një studimi të vitit 2020 të kryer nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në të cilin morën pjesë më shumë se 80,000 të rritur të hospitalizuar me grip, një në tetë pacientë (pothuajse 12%) pati probleme kardiake akute, si infarkti akut i zemrës ose sëmundjet akute iskemike të zemrës. Gjithashtu, në vitin 2018, studiuesit gjetën një lidhje të rëndësishme midis gripit dhe infarktit akut të miokardit (i njohur më mirë si sulmi në zemër) dhe se të rriturit kishin gjashtë herë më shumë gjasa të pësonin një atak në zemër brenda një jave pasi kishin gripin.
Si mund të shkaktojë gripi një atak në zemër apo goditje në tru?
Infeksionet që duket se prekin vetëm një pjesë të trupit në fakt kanë tendencë të prekin pjesë të shumta, thotë për Yahoo Life Dr. Gregory Katz, asistent profesor në Departamentin e Kardiologjisë në NYU Langone Health. “Gripi mund të ketë efekte direkte dhe indirekte në zemër. Kur bëhet fjalë për efekte direkte, ekziston mundësia që virusi i gripit, ose në të vërtetë çdo lloj virusi, të shkaktojë inflamacion të muskulit të zemrës, i cili quhet myocarditis. Gjithashtu mund të shkaktojë edhe inflamacion rreth shtresës së brendshme të zemrës të njohur si perikarditi»,—shpjegon Katz. Dr. Majid Basit, kardiolog në Memorial Hermann në Hjuston, thotë se në disa raste, virusi i gripit gjithashtu mund të infektojë drejtpërdrejt qelizat e zemrës, duke çuar në dëmtim të funksionit të zemrës dhe dështimit të zemrës.
Sa i përket efekteve indirekte, Katz shpjegon se sistemi imunitar punon më shumë se normalisht për të luftuar infeksionin viral. Basit shton se një infeksion gripi e ekspozon trupin ndaj stresit të madh që mund të çojë në ngritjen e kolesterolit, duke çuar në një atak në zemër.
Një infeksion viral mund të ndikojë edhe në nivelin e tensionit të gjakut, i cili është një tjetër faktor rreziku që mund të shkaktojë infarkte në zemër dhe hemorragji cerebrale.
“Në infeksionet më të rënda të frymëmarrjes, nivelet e oksigjenit bien dhe tensioni i gjakut mund të bëhet ose shumë i lartë ose shumë i ulët. Dhe këto ndryshime mund të kontribuojnë gjithashtu në rritjen e presionit në zemër”.
Personat me zemër të dobët ose sëmundje të zemrës para-ekzistuese janë më të prirur ndaj sulmeve në zemër për shkak të gripit, ndërsa të moshuarit janë në rrezik edhe më të madh.
Si të mbrohesh?
Me masa parandaluese, ju mund të parandaloni gripin, por edhe të përmirësoni shëndetin e sistemit tuaj kardiovaskular.
Hani shëndetshëm, bëni ushtrime fizike të rregullta, mos pini duhan, mbani një peshë të shëndetshme, zvogëloni nivelin e stresit dhe flini së paku 8 orë gjumë.
Këto strategji janë gjithmonë këshilla të mira, sepse, si rregull, njerëzit më të shëndetshëm që marrin gripin zakonisht kanë një formë më të butë të sëmundjes,” këshillon Katz. Basit shpjegon se gripi përhapet nga pikla, pra teshtitja dhe kollitja, kështu që ai rekomandon mbajtjen e një maske dhe larjen e duarve shpesh, veçanërisht pas prekjes së gjërave në zonat që përdoren nga më shumë njerëz, si dorezat e derës./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”