Dr Samire Ademi Lutolli
Spec. Gjinekologe obstetre
Kam dëgjuar ti komentojnë nënat 35+ që kanë vendosur të lindin fëmijë. Kam degjuar të thonë: “Në pleqëri i bie ndërmend. Po i duket vetja ende e re. I është bërë fëmija për martesë e ende bën fëmijë. E komente e paragjykime….. Plot e nga më të ulëtat e që duket prej nga burojnë, nga zemrat e liga e gojët e këqija. Por pasi ta kemi lexuar këtë artikull do të mendohemi përpara se të flasim për diçka që nuk na takon dhe nuk na kërkon askush mendimin.
Shumë studime zbulojnë përfitimet befasuese të amësisë në moshë më të madhe dhe na bindin përse nuk duhet të paragjykojmë.
Amësia në moshë më të madhe ka përparësi për sa i përket përvojës dhe gatishmërisë emocionale, edhe pse mund të sjellë me vete ndërlikime dhe rreziqe të caktuara shëndetësore si për nënën ashtu edhe për fëmijën.
Përkundër kësaj, sot gjithnjë e më shumë gra zgjedhin të bëhen nëna më vonë. Është e vërtetë që me kalimin e moshës bëhet më e vështirë që gruaja të ngelet shtatzënë. Arsyeja qëndron në faktin se gratë lindin me një numër të caktuar të vezëve, numri i të cilave zvogëlohet me moshën. Përveç kësaj, shtatzënia mbi moshën 35 vjeç bart disa rreziqe shtesë të ndërlikimeve të tilla si hipertensioni, diabeti te nëna ose anomalitë kromozomale tek i porsalinduri, raporton Times of India.
Për këto arsye, gratë shpesh këshillohen të ngelen shtatzënë më herët.
Por lajmi i mirë është se studimet e fundit sugjerojnë që shtatzënitë më vonë në moshë kanë një numër përfitimesh, dhe një prej tyre është që nënat me moshë më të madhe mund t’i rrisin më mirë fëmijët e tyre.
Në dy dekadat e fundit, numri i grave që u bënë nëna gjatë të njëzetave ka rënë. Gjithnjë e më shumë gra zgjedhin të kenë fëmijë më vonë gjatë jetës, dhe arsyet më të zakonshme janë ngritja në karrierë dhe martesa e vonshme.
Një studim i kryer në Shkollën e Shkencave të Biznesit dhe Shoqërisë në Universitetin Aarhus në Danimarkë zbuloi se fëmijët e grave që lindën pas moshës 35 vjeç kanë disa përparësi shtesë. Studimi i lartpërmendur sugjeron që këto nëna nuk janë aq të rrepta sa i përket imponimit të diciplinës fizike dhe verbale për fëmijët e tyre midis moshës 7 dhe 11 vjeç. Si rezultat, fëmijët e kësaj grupmoshe shfaqën më pak vështirësi në sjellje dhe më pak vështirësi sociale dhe emocionale.
I njëjti studim gjithashtu tregoi se nënat me moshë kanë një marrëdhënie më të mirë dhe më të qëndrueshme me fëmijët e tyre. Për më tepër, niveli i pjekurisë së këtyre grave ua bën më të lehtë për të kapërcyer stresin gjatë shtatzënisë dhe për të mbajtur një qëndrim pozitiv në rritjen e fëmijëve.
Me kalimin e viteve, njerëzit bëhen gjithnjë e më të mirë në trajtimin e sfidave emocionale dhe mendore, kështu që ata përballen më mirë me situata të ndryshme sfiduese dhe i drejtojnë fëmijët e tyre në një mënyrë më të mirë.
Studimi gjithashtu thekson që nënat me moshë më të madhe u sigurojnë fëmijëve të vegjël një mjedis pozitiv psikosocial që i ndihmon ata të jenë optimistë në jetë./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”