Shkruan: Dr.Ismail Lutolli specialist Pediatër
subspecialist Dijetolog-Nutricionist
A është i mundshëm mjekimi ?
Këshilla dietologjike – receta praktike për përdorim shtëpiak
A mund të parandalohet infeksioni mykotik ?
Infeksionet mykotike jane ato që përcjellin fëmijët gjatë rritjes dhe zhvillimit të tyre.
Shumë forma dhe lloje të ndryshme të infeksioneve mund të shkaktojnë probleme shëndetësore kur ata thyejnë mbrojtjen imunitare te trupit tonë. Kandidat janë banorë normal të sipërfaqes së lëkurës dhe të mukozave. Pra, ato gjenden normalisht dhe pa shkaktuar sëmundje në lëkurë, në traktin tretës (duke filluar nga goja, ezofagu e deri te zorra e trashë), organet gjenitale femërore, në sputum dhe në urinë. “Candida” rritet në një mjedis të thjeshtë dhe kërkon një temperaturë 25-37 gradë, është e përhapur në të gjithë botën dhe normalisht bëhet një bashkëjetues i zakonshëm i njeriut. Mbrojtja imunitare zakonisht siguron neutralizimin e “candidave”, por kemi mjaft raste kur kjo mbrojtje ulet apo dobësohet, atëherë fillon infeksioni i “candidave”.
Arsyet mund te jene te shumta:
• Uljen e mbrojtjes imunitare tek fëmijët;
• Kushtet e pafavorshme hixhenike;
• Ushqimi jo cilësor dhe përdorimi i tepërt i gjërave të ëmbla;
• Qumështi shtesë përgaditja e të cilit nuk është në nivelin e duhur;
• Përdorimi i gjerë i preparateve, antibiotikëve dhe kortizonikëve;
• Mos ndërrimi i duhur i pelenave (pampersave) etj.
Infeksionet mykotike mund të jenë sipërfaqësore ose të thella
Infeksionet mykotike me të shpeshta ndodhin në aparatin tretës (goja, ezofagu dhe zorrët), në aparatin gjenital, në lëkurë, si dhe shumë rrallë infeksioni mund të jetë invaziv, duke u përhapur në të gjithë trupin dhe prezantohet me simptoma në varësi të zonave të prekura. Komplikimet në këto raste janë të dukshme.
Infeksionet mykotike sipërfaqësore:
• Lëkurë e kokës
Nëse koka është prekur nga infeksioni, një ekzaminim i kujdesshëm tregon që lëkura e kokës është gri dhe është e rrudhur por flokët nuk bien. Infeksioni i sipërfaqes nuk është i rrezikshëm, mund të shërohet dhe nuk kërkon humbje të përhershme të flokëve. Në raste kur ky infeksion zgjatë dhe nuk trajtohet mund të vie deri te komplikimet edhe më mos rritje të flokëve në zonën e infektuar.
• Infeksionet mykotike në zgavrën e gojës
Janë shfaqje të depozitimeve të bardha të membranave në mukozën buccale dhe mukozën që mund të përhapet në mukozën e organeve digjestive si esofagut dhe zorrëve.Te fëmijët në procesin e gjidhënies mund të kemi bartje të infeksionit nga nëna tek fëmija dhe duhet mjekim i dyanshëm. Ky infeksion te fëmijët në gjidhënje ndikon direkt që ata ta refuzojnë vetë procesin e gjidhënies apo edhe marrjen e qumështit shtesë.Para një problemi të tillë gjithmonë duhet menduar për një infeksion të mundshëm mykotik.
• Infeksionet mykotike në rajonin e pelenave
Tek foshnjat deri në 1 vjeç, infeksionet favorizohen nga ndërrimi i temperaturës në pjesën me pelena, nxehtësia e lagështia e pelenave, kështu që te kjo kategori ato janë të zakonshme në rajonin e pelenave apo rreth organeve gjenitale dhe anale. Shkaqet lidhen me një sërë faktorësh, të veçuar ose të ndërlidhur me njëri-tjetrin, po qëndrimet e zgjatura në pelena me lagështirë dhe nën veprimin e urinës, kontakti i zgjatur me feçie nga ndërrimi i rrallë (ndodh sidomos gjatë udhëtimeve), mbështjellja me materiale plastmasë për të mos lejuar daljen e lagështirës jashtë ose gjatë sëmundjeve diarreike, të gjitha këto shkaktojnë dëmtimin e lëkurës në pjesën anale dhe përreth janë të dukshme dhe këtë nuk mund ta parandalojnë qoftë dhe pampersi më cilësor. Shpeshherë komplikohen edhe me infeksione përcjellëse.
• Infeksionet mykotike ne mes gishtërinjënve dhe në lëkurë
Te fëmijët më të mëdhenjë me infeksione mykotike jane të prekura zakonisht këmbët dhe hapësira midis gishtërinjve. Më të favorizuar janë fëmijët nga klasat më të ulëta sociale, ku higjiena është e dëmtuar, fëmijët që ushqimi i tyre përmban më shumë gjera të ëmbla dhe jo të shëdetshme. Në lëkurë shfaqen së pari si një kruajtje e fortë e cila pastaj vjen duke u acaruar dhe shpesh kemi edhe mbivendosje të një infeksioni bakterial.
• Infeksionet e përgjithshme mykotike
Nga një infeksion lokal i patrajtuar ka raste kur kemi infeksion të përgjithshëm mykotik në disa organe dhe hospitalizimi i fëmijëve është i domosdoshëm, pasi komplikimet mund të jenë me pasoja.
Si të parandalojme dhe mjekojmë:
• Trajtimi i kandidozës kërkon preparate antimykotike, të cilat janë në formë tabletash (kur trajtimi merret nga goja), ose ne forme shurupi dhe pikash. Kuptohet kjo pasi të jetë bërë dëshmia me analizat e bëra per infeksionin mykotik.
• Infeksionet mykotike mund të trajtohen edhe vetëm lokalisht, apo dhe të dyja mënyrat së bashku. Më të vështira për t’u trajtuar janë mykozat sistemike, të cilat mund të kërkojnë dhe trajtim spitalor. – Duke qenë se kandidoza zhvillohet më shpesh tek fëmijët me sistem të dobët imunitar, duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe forcimit të sistemit imun.
• Në pH e sistemit tonë të tretjes mund të ndikojë ushqimi që ne e përdorim, kështuqë duhet të kihet parasysh se një dietë të ekuilibruar dhe multivitaminoze është shpesh çelësi për mbrojtjen e candidozës , dietë me baza alkaline.
• Rekomandohet një dietë e ekuilibruar në karbohidrate për të pasur një ekuilibër të shëndetshëm të florës së gojës dhe të zorrëve. Çdo çrregullim i nivelit të glukozës përben potencial për zhvillimin e infeksioneve mykotike. Candidat përdorin sheqer si ushqim për rritjen dhe riprodhim. Duke eliminuar sheqernat e thjeshta nga dieta jonë, ne ndihmojmë për kurimin e saj.
• Fëmijëve u rekomandohen veshje të brendshme pambuku, të cilat ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të mykut në lëkurë.
• Gjithashtu, në kushtet e shtëpisë nuk duhet të neglizhohen shpëlarjet ose gargaret me ujë sode (sodë buke), të cilat kontribuojnë pozitivisht në krijimin e pehasheve normale për të pasur një florë normale të lëkurës dhe mukozave (kuptohet kjo tek fëmijët që kanë mundësi për të bërë këtë).
• Efekti i dobishëm i marrjes së probiotikëve në pacientë të tillë është vërtetuar gjithashtu sidomos gjatë marrjes se antibiotikeve
Duhet shmangur antibiotik e tepruar dhe pa asnjë kriter. Asnjëherë përdorim të antibiotikëve pa realizuar antibiogramin.
• Tharja me kujdes e lëkurës pas larjes dhe mbajtja e lëkurës e thatë dhe sa më pak e lagur, janë ndër më kryesoret, prandaj mbas çdo larje ose shpëlarje lëkura më tepër të thithet se të fshihet me një peshqir ose pecetë pambuku, të lihet pak të ajroset, mandej të vendoset pampersi.
• Përdorimi i pudrave apo i çdo lënde që reklamohet për infeksionet mykotike në pjesën e pampersit (kremra, pomada, vajra e lënde kimike), jo vetëm pengojnë ajrosjen normale të lëkurës po disa shkaktojnë dhe irritim të saj duke shkaktuar komplikim edhe më të madh të infeksionit mykotik. Ndërroni sa më shpesh pas urinimit e sidomos pas jashtëqitjes, shpëlajeni me ujë të rrjedhshëm, ose kamomil, thithini më tepër se sa ti fshini dhe mos përdorni asgjë lokalisht po lërini sa më gjatë pa pelena ose pampers.
• Nëse brenda 3-4 ditëve nuk shihni përmirësime pas skuqjes së kësaj zone në konsultim me mjekun përdorni medikamente kundër mykut pas kryerjes së analizes.
• Bëni banjo të shpeshta fëmijëve dhe thani mirë pas dushit, në veçanti zonat midis gishtave, rrëzët e kofshëve, sqetullat dhe zona përreth gjoksit si dhe në pjesën anale nëse janë ende me pampers.
• Ndër ushqimet mjaft të shëndetshme që ndihmojnë në trajtim është edhe përdorimi i kosit, i cili ka përmbajtje të lartë të “laktobacileve natyrale”, të cilat ndihmojnë në rregullimin e florës së aparatit tretës dhe e tërë kjo si mekanizëm mjaft efikas për parandalim dhe mjekim të infeksionit mykotik.
• Rëndësi të madhe kanë edhe këshillat praktike – recetat e mëposhtme
Këshilla dietologjike, ndiqni recetat me poshtë:
• Çaj të Kantarionit, nga mosha 16 vjeçare
Mënyra e përgatitjes:
• 400 ml ujë në një gotë
• ½ çaj kantarion
• ½ çaj kamomil
• ¼ limoni
Përgaditja:
Hidhni rreth 400 ml ujë në një gotë dhe në të shtoni një gjysmë luge me çaj kantarioni dhe çaj kamomile dhe përziejini për 5 min dhe lërini mënjanë përmbajtjen përreth 6 orë. Më pas, vendosne në një xhezve dhe vëreni në zjarr të vlojë per 3 -5 min. Pas kësaj kullojeni me anë të një kulluese dhe shtojeni disa pika të limonit të shtrydhur. Mund ta përdorni dy deri tri herë në ditë përgjatë tri vakteve të ditës. Përdoreni për 7 -10 ditë. b.
Përgaditja me kos kundër mykut
Përbërësit:
- 1 gotë kos,
- gjysmë lugë çaji xhenxhefil
- 2 thelpinjë të hudhres
- ½ karrota
- ½ kastravec
- 1 arrë
Përgatitja:
Grimëconi të gjithë përbërësit dhe shtoni në kos. Përzierja duhet të qëndrojë së paku 30 min dhe pastaj mund të përdorni. E tërë kjo te fëmijët më të rritur mund të përdoret edhe si sallatë 1 herë në ditë. Preferohen orët e pasditës për 7 -10 ditë ( nga mosha 1 vjecare ; nese perdoret nga muaji i 8 duhet larguar nga receta arren dhe hudhrën ).