Kam rrjedhje të pavullnetshme të urinës, çfarë e shkakton dhe çfarë të bëj?

Pyetje:

Kam rrjedhje të pavullnetshme të urinës, çfarë e shkakton dhe çfarë të bëj?

 

Përgjigje:

Ky problem, ndonëse flitet rrallë, madje edhe mes vetë grave, është shumë i shpeshtë – besohet se, herë pas here ose vazhdimisht, deri në një e treta e grave mbi moshën dyzet vjeç e kanë këtë problem.

Faktorët e rrezikut për problemin e rrjedhjes së pavullnetshme të urinës janë shtatzënia dhe lindja vaginale, puna fizike, obeziteti, plakja, menopauza dhe faktorë gjenetikë. Sa më i madh të jetë numri i shtatzënive dhe lindjeve vaginale, aq më e madhe është mundësia që të shfaqet ky problem – çdo herë gjatë lindjes vaginale, fëmija kalon nëpër vaginë, e cila zgjerohet dhe ka një dëmtim të caktuar në indin lidhor. Kjo nuk do të thotë që problemet shfaqen tek të gjitha gratë që kanë lindur, luan rol edhe predispozita gjenetike dhe puna e rëndë fizike.

Nganjëherë gratë tregojnë se prekin një “topth” në pjesën gjenitale dhe shpeshherë thonë që arrijnë ta kthejnë brenda.

Gjithsesi duhet të bëni një vizitë në karrigen gjinekologjike për të parë nëse në pozicion ndjenjur duket me sy rrëshqitje e murit të përparëm ose të pasëm të vaginës apo qafës së mitrës nga kanali I vaginës si dhe gjinekologu do të kërkojë të kolliteni apo të bëni një sforcim të pjesës gjenitale që të shohë nëse gjatë sforcos rrëshqasin këto struktura. Sipas rastit, mjeku gjinekolog do të ju jape udhëzimet dhe këshillat adekuate në lidhje me analizat dhe trajtimin.

Në rastet kur mjeku konstaton rrëshqitje për shkak të dobësimit të dyshemesë së legenit, në rastet e lehta mund të filloni me ushtrimet e Kegel-it. Qëllimi i këtyre ushtrimeve është forcimi i muskujve të legenit, të cilët mbështesin mitrën, fshikëzën urinare dhe zorrët dhe ndihmojnë në uljen e rrezikut të rrjedhjes së pavullnetshme të urinës dhe problemeve të tjera, si rënia apo rrëshqitja e fshikëzës urinare dhe mitrës veçanërisht në rastet kur ka rrezik për të.

Këta muskuj normalisht dobësohen me kalimin e kohës dhe me me kalimin e moshës dhe veçanërisht rreziku i dobësimit të tyre rritet gjatë shtatzënisë, lindjes dhe shtimit në peshë.

Ushtrimet e Kegel-it mund të bëhen në çdo kohë, dhe rekomandohen veçanërisht gjatë shtatzënisë dhe pas shtatzënisë. Nuk është kurrë herët për të filluar me këto ushtrime, madje duhet të filloni me to shumë kohë përpara se të shfaqen problemet. Është veçanërisht e rëndësishme t’i bëni ato nëse tashmë janë shfaqur problemet – nëse ka pak rrjedhje të pavullnetshme të urinës gjatë kollitjes, teshtitjes, qeshjes, vrapimit ose kërcimit, ose kur sforcoheni për të ngritur një objekt më të rëndë.

Në rastet e rënda të inkontinencës (rrjedhjes së pavullnetshme) ose tek ato që kanë një tip tjetër rrjedhjeje të pavullnetshme të urinës (fshikëza hiperaktive), si dhe tek ato që tashmë kanë rënie të fshikëzës ose mitrës më të theksuar, këto ushtrime nuk mund të ndihmojnë shumë, por duhet të bëhen për të forcuar muskujt në përgatitje për terapi të tjera.

Si bëhen ushtrimet e Kegelit?

Në fillim, ndërsa mësoni se si t’i bëni ushtrimet siç duhet, së pari duhet të mësoni të njihni muskujt që nevojiten për ti ushtruar. Mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është të përpiqeni të ndaloni rrjedhën e urinës gjatë aktit të urinimit. Nëse keni sukses, keni gjetur muskujt e duhur.

Hapi tjetër është të mësoni të ushtroni siç duhet – zbrazni fshikëzën tuaj, shtrihuni në shpinë, shtrëngoni muskujt e legenit, mbajini të tendosur derisa të numëroni deri në pesë dhe më pas relaksohuni. Përsëriteni pesë herë. Kur të keni sukses me këtë, përpiquni t’i mbani ato të shtrënguara derisa të numëroni deri në dhjetë, pastaj pushoni për dhjetë sekonda, pastaj shtrëngoni përsëri. Përqendrohuni vetëm në muskujt e dyshemesë së legenit – mos i shtrëngoni muskujt e barkut, të vitheve apo muskujt e kofshëve dhe gjatë kryerjes së ushtrimeve merrni frymë siç duhet – mos e mbani frymën.

Sa shpesh të bëhen ushtrimet Kegel-it?

Si fillim, bëni ushtrimet të paktën tre herë në ditë, dhjetë herë në ditë, dhe kur të mësoni se si t’i bëni ato siç duhet, mund t’i bëni sa herë që bëni diçka tjetër – hekurosni, shikoni TV, lexoni etj.

Për të pasur një efekt më të mirë dhe për shkak të efektit sinergjik të muskujve dhe indit lidhës në mbështetje në situatat kur është e nevojshme të shtrëngohen muret e vaginës, si dhe në rastet ku ka rrjedhje të pavullnetshme të urinës gjatë sforcimit përpos ushtrimeve Kegel mund të bëhet trajtimi I forcimit të muskujve me laser i mureve të vaginës me laser, mund të aplikohet kremë me estrogjen për të epitelizuar zonën. Alternativa e fundit është trajtimi kirurgjikal.

Dr Samire Ademi Lutolli Gjinekologe dhe Obstetre/natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts