Nuk dua t’ju jap këshilla, thjesht dua të ndaj përvojat e mia. Përvoja, për të cilat flitet rrallë ose në mënyrë të pamjaftueshme.
Më kujtohet hera e parë që erdha në shtëpi me bebin tim.
Nata jonë e parë së bashku ishte krejtësisht e qetë, ajo zgjohej vetëm për të ushqyer me gji dhe vazhdonte të flinte e lumtur dhe për një kohë të gjatë. Dhe unë vetëm e shikoja atë.
Duart e vogla me thonj të gjatë, hunda me majë sipër buzëve të vogla e të kuqe. Sapo më rridhnin lotët nga lumturia, adrenalina… Ishte nata më e qetë dhe më e thellë e jetës sime.
Kjo është ajo që solli mëmësia – një thellësi emocione.
Mund t’i fajësoj hormonet për disa nga reagimet e mia, por e vërteta është që nga ai moment u bëra tepër e ndjeshme, qoftë për fëmijën tim apo për dikë tjetër.
Ajo natë ishte e mrekullueshme dhe unë u mbusha me ndjenja të mrekullueshme, por netët që pasuan ishin krejtësisht ndryshe.
Netët kur nuk mund ta dëgjosh më atë klithmë, kur nuk mund të ngrihesh më nga shtrati, kur nuk mund të jesh më mes atyre katër mureve.
Nuk e di herën e parë dhe kujt ia kam pranuar, që një natë teksa bebi im thithte në mes të natës, ndërkohë që më dhembte gjithë trupi nga dobësia dhe rraskapitja, kishte shumë netë të tilla. Kishte edhe mëngjese kur ngrihesha nga shtrati me lot në sy, duke iu lutur dikujt, kujtdo, të më jepte të paktën një orë gjumë. Një orë paqe sepse ndjeja se nuk kisha asnjë pikë force brenda vetes.
Më thanë, kur isha shtatzënë, flini tani sepse kur bebi të lind do mbeteni pa gjumë, por pushimi nuk mund të transferohet si pikë në një kartë.
Sot do të përdor 20 pika pushimi që të më mbeten 150 për nesër. Sikur të funksiononte kështu. Sikur të ruanim të gjitha orët që kemi fjetur para lindjes diku në trupin tonë dhe t’i përdorim ato pak nga pak pas lindjes. Po të paktën! … Pra, më paralajmëruan se do të isha e lodhur, por askush nuk mund ta përshkruajë atë lodhje për ty derisa ta përjetosh vetë.
M’u desh pak kohë për të kuptuar se nuk mund të bëj gjithçka vetë gjatë gjithë kohës dhe se kam nevojë për ndihmë. Unë kam nevojë për dikë që të jetë me foshnjën derisa unë të rikthej forcën time, sepse nuk ka shumë dobi nga një nënë që është shteruar prej kohësh dhe ka humbur forcën dhe energjinë e saj.
Askush nuk më përgatiti për ndryshimin e marrëdhënieve me partnerin dhe me njerëz të tjerë.
Është logjike që gjërat ndryshojnë, një qenie e re ka ardhur në jetën tonë, por askush nuk të thotë: “Po, do të bësh më pak dashuri me burrin dhe kjo do të ndikojë në marrëdhënien tënde”, ose “Do të zihesh më shumë sepse ti pret që ai ta marrë fëmijën menjëherë kur të kthehet nga puna në mënyrë që ju të pushoni dhe ai ndonjëherë ka plane të tjera për veten e tij”, ose “Ndonjëherë do të ndiheni plotësisht e izoluar dhe e vetmuar sepse të gjithë rreth jush do të vazhdojnë të jetojnë normalisht jetën e tyre.”
Jo të gjithë miqtë, sidomos ata pa fëmijë do të kuptojnë që ju nuk mund të jeni e saktë në një takim të përbashkët sepse jeni duke ushqyer me gji bebin tuaj. Jo të gjithë do ta kuptojnë se si ju nuk dëshironi të shkoni në atë kafenen e veçantë për ju me fëmijën tuaj, sepse aty është shumë tym.
Ndonjëherë ju do të lëvizni nëpër Instagram dhe do të duket sikur të gjithë po jetojnë një jetë super të lumtur dhe të përmbushur, ndërsa ju jeni në shtëpi për gjatë gjithë kohës pa pushim duke ushqyer një fëmijë që nuk mund të qetësohet.
Ndonjëherë do t’ju bëjë të ndiheni të mjerë të vetmuar dhe pa vlerë. Por më beso gjithçka është një faze kaluese.
Çdo ditë e re është një fazë që mund të ndryshojë në një çast.
Do të gjeni miq të rinj, të cilët ju kuptojnë më mirë, sepse edhe ata po kalojnë të njëjtën gjë. Dhe nëse paiseni me durim, mund t’i shpjegoni edhe burrit tuaj se keni nevojë për të në një mënyrë tjetër. Dhe intimiteti mes jush do të rikthehet…
Lexova për edukimin, dëgjova tregime të ndyshme, disa libra dhe përvojat e të tjerëve më ndihmuan, por shumicën e përgjigjeve që kërkoja i gjeta brenda vetes.
Diçka që është e vërtetë për fëmijën tuaj nuk është e vërtetë për timin, dhe anasjelltas. Diçka që funksionoi për familjen tuaj nuk e ndihmoi aspak timen. Për një kohë të gjatë kërkoja një kurë për zemërimin dhe shpërthimet duke lexuar përvojat e nënave të tjera, por as kjo nuk më ndihmoi.
Nuk mendoj se ka ndonjë kurë të vërtetë. Këto janë të njëjtat (përsëri!) faza që një fëmijë duhet të kalojë, ai duhet të mësojë të përballet me emocionet që e sulmojnë. Ajo që mund të bëjmë është të japim dashuri. E di, nuk është gjithmonë e lehtë.
Ju mësoni gjëra gjatë rrugës. Sapo mëson diçka, vjen një mësim i ri, e kështu me radhë.
Dhe kjo është arsyeja pse ju nuk jeni një nënë e keqe nëse jeni të lodhur sot, ose i bërtitni fëmijës ose burrit tuaj.
Nuk je nënë e keqe nëse ke dalë për kafe dhe ke bërë diçka për veten.
Nuk je nënë e keqe nëse sot ke qëndruar më gjatë në shtrat.
Mëmësia mund të të largon nga disa aktivitetet e mëhershme. Ju duhet t’i shtyni disa gjëra për më vonë, sepse tani jeni e përqendruar në rritjen dhe kujdesin e një qenieje të vogël, të pafuqishme, dhe ky është një mision i mrekullueshëm.
Në këmbim, amësia zbulon disa aspekte krejtësisht të ndryshme të vetvetes. Ju zbuloni se sa e dobët jeni por edhe sa e fortë jeni, zbuloni se cili është prioriteti juaj, zbuloni se çfarë ishte e rreme në jetën tuaj dhe çfarë ishte e vlefshme. Ju vetë jeni të befasuar nga forca e dashurisë që ndjeni për fëmijën tuaj.
Dhe ju filloni të kuptoni dhe vlerësoni më mirë prindërit tuaj.
Nënat e ardhshme, përgatituni për gjithçka, por kurrë mos hiqni dorë dhe mos dyshoni në veten tuaj. Gjithçka është kalimtare, përfshirë ditët e lodhshme dhe netët pa gjumë.
Bëhuni gati që kjo përvojë e re t’ju gjunjëzojë, por edhe t’ju përmbush shpirtërisht./natalmedia.com/