Muzika e lartë me kufje si argëtim, diku përdoret edhe si mjet torture

Shkruan: Dr Samire Ademi Lutolli

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,

Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

Para se të marr të shkruaja për temën e radhës më duhej të mendohesha më parë duke iu futur një analize me disa pyetje.

Ndërkohë kisha marrë rrugë të gjatë me autobus dhe mendova  ta shfrytëzoj kohën e meditimit  ku do të arrija të gjej jo një por shumë tema dhe shumë gjëra të tjera për të cilat nuk kisha arritur të gjeja disa momente qetësie dhe vetmie që të mendohesha.

Ndërkohë që në sfond më shoqëronte  një muzikë e lehtë, nuk po më shqetësonte shumë sa filloi të më shqetësonte e pengonte një zhurmë që vinte nga ulësja para meje dhe po më priste meditimin.

Ishte një djalë i ri në dukje trendi i cili i kishte improvizuar vetes një diskotekë në ulësen e tij me dy tela që po i kacavireshin nga veshët. Muzikën nuk po e dëgjonte vetëm ai por po arrija ta dëgjoja edhe unë nga pas. S’më bëri fare përshtypje lloji i muzikës që në të vërtetë ishte një hard ritëm, pastaj një rap pastaj sërish një rap saqë  më dukej se ajo këngë vetëm po përsëritej sepse ishte pothuajse e njejtë me pak ndryshim por më shumë më pengonte ajo që unë po arrija ta dëgjoja nga kufjet  e tij dhe si mjeke që ka ndjeshmëri për shëndetin mendoja me vete kush e di sa decibel zhurmë duhet të jenë tani në veshët e tij.

Fillova të vëzhgoj më shumë udhëtarët e tjerë të afërt në autobus dhe  më kapi syri një që mbante një Iphone në dorë të lidhur me tela.Ajo ishte vajzë që  po dëgjonte muzike të një zhanri tjetër  edhe pse isha  isha shumë e sigurtë se decibelët ishin të njëjtë.

Nuk mundesha dhe po përtoja të qohesha dhe të zgjasja kokën si spiune nëpër tërë autobusin se pale edhe sa të tjerë do të kisha parë  ngjashëm aq më tepër që  shumica prej tyre ishin të rinjë dhe dukeshin trendi. Ndërkohë që nuk bëhej fjalë të mbyllja sytë e të pushoja dhe të shkurtoja kohën e mërzitshme të një rruge të gjatë.

Më ra ndërmend që kisha lexuar disa herë nëpër literaturën e revista shkencore  për shqetësimin e ngritur mbi zhurmat, tendencat dhe efektet e tyre te të dëgjuarit.

Kështu djali përpara që po më pengonte më bëri një favor, më  bëri ta gjej  temën e radhës . Ishte pikërisht ajo për të cilin kisha menduar edhe me pare mbi fenomenin MP3 dhe  efektin e muzikës së lartë në humbjen e dëgjimit.

 

 

Efektet e muzikës së lartë në humbjen e dëgjimit

Është një shqetësim i ngritur nga njerëz profesionistë e shkenctarë të cilët kanë bërë edhe hulimtime e studime tashmë.

Është tronditëse numri i  të rinjve që kanë humbje të pjesshme të dëgjimit – pothuajse #do I pesti – dhe se problemi është më i theksuar në vitet e fundit.

Në 2o vitet e fundit ka rritje të numrit të adoleshentëve janë të goditur nga humbja e përkohshme e dëgjimit për shkak të ekspozimit ndaj muzikës së lartë, kanë deklaruar shkenctarët nga Harvardi.

Kështu ekspertët, paralajmërojnë adoleshentët dhe prindërit e tyre për të ulur tonin e pajisjeve dixhitale.
Edhe një humbje e lehtë e dëgjimit mund të rezultojë në probleme në shkollë, si dhe nevojë për aparate të dëgjimit në vitet e mëvonshme.
” Shpresojmë  të inkurajojmë njerëzit që të jenë më të kujdesshëm”, tha autori i studimit Dr Gary Curhan  nga Spitali Brigham and Ëomen’s në Boston.
Hulumtuesit kanë analizuar të dhënat mbi të rinjtë e moshës 12-19 vjeç në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Duke krahasuar të dhënat e reja me ato në mes viteve 1988 dhe 1994 vit u pa një  rritje 15 deri 19,5-qind në humbjen e dëgjimit. Për SHBA kjo do të thotë se 6.5 milionë të rinj  kanë të paktën humbje të lehtë të  dëgjimit.
Edhe pse shumica e rasteve  është e karakterizuar më ”dëmtim të lehtë”,  që do të thotë ata  të rinj nuk mund të dëgjojnë tingujt në nivelin e 16 deri 24 decibel, sa tingëllon një pëshpëritje ose shushurimë e gjetheve, ky nuk është një dëmtim i papërfillshëm. Adoleshentët ndoshta nuk do të mund të jenë në gjendje të dëgjojnë  pikimin e ujit apo kur prindërit e tyre u pëshpëritin dhe u dëshirojnë  natën e mirë. Përveç kësaj, edhe pse ata mund të dëgjojnë të gjithë zanoret, këtu nuk është rasti me theksin e bashkëtingëlloreve  si k, t dhe s.
“Edhe pse problemet me zhurmën, nuk janë ndonjë risi,për shkak të MP3-ve shumë të vegjël dhe praktikë, sot të rinjtë dëgjojnë muzikë dy herë më shumë se gjeneratat e mëparshme,” tha Dr Brian Fligor, audiolog nga Children’s Hospital në Boston.

Një person në 10, mes atyre që dëgjojnë muzikë me zë të lartë duke përdorur kufjet për një orë në ditë, e për 5 vite me radhë rrezikojnë të humbasin dëgjimin.

Studimet kanë treguar se 25 % e të rinjëve nën 25 vje# ka dëmtim të dëgjimit më së shpeshti për shkak të muzikës së lartë.

Këmbana e alarmit vjen nga një studim i BE-së, i cili kërkon të merren në konsideratë të dhënat e studimit e të gjenden rrugët e mesme, që minimizojnë rrezikun e humbjes së dëgjimit.

Numri i evropianëve që dëgjojnë muzikë me kufje janë të shumtë, nga 50-100 milionë. Komisioni shkencor që u mor me këtë studim, ka arritur në përfundimin se 5-10% e përdoruesve manjakë të këtyure aparaturave mund të rrezikojnë dëgjimin, që në shifra i bie, 2.5-10 milionë njerëz, mes tyre, në masë të gjerë fëmijë dhe adoleshentë.

 

 

Kur disa tinguj janë “muzikë për veshin” dhe herë të tjera si “zhurmë shurdhuese”?

Tingulli ështe një formë energjie që bart valë zanore.

Zhurmat mund të përkufizohen si tinguj të padëshirueshëm, shqetësues ose të bezdisshëm, që krijojnë vështirësi në dëgjim,krijojnë ndërprerje të komunikimit dhe zvogëlojnë rendimentin tonë gjatë kryerjes së një veprimtarie ose mund të shkaktojnë stres apo sëmundje.

Sipas rregullave të sigurisë evropiane janë konsideruar të rrezikshme nivelet rreth 100 decibel për dëgjuesit e muzikës, por disa kërkime të tjera, këtë kufi e konsiderojnë shumë të lartë. Ndërkohë që të rinjtë, synojnë gjithmonë e më tepër të ngrenë volumin, më shumë se 90 decibel kur dëgjojnë muzikë në vende të hapura, për të eleminuar zhurmën që krijon trafiku.

Melena Kuneva, komisare evropiane për konsumatorët ka konmentuar: Shumë të rinj, që dëgjojnë muzikë me kufje, duke përdorur edhe celularët dhe duke ‘ngulmuar’ për zë të lartë për shumë orë jo gjithmonë janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që u kanoset.

Kjo nuk është më vetëm teori, por e mbështetur në studime të shumta. Aq më tepër, sipas studiuesve, rreziku shtohet nëse muzika e tillë dëgjohet gjatë netëve pa gjumë, e pa ndërprerje. Sipas studimit, zhurma nga muzika e lartë shkakton probleme edhe në rrahjen e zemrës. Nga 40 e 55 decibel situata acarohet dhe shtohen efektet negative në sistemin kardiovaskular dhe mbi këtë nivel, situata mund të bëhet e rrezikshme.

Prof. Pirs Xh. Houard, drejtor i Qendrës për Studime të Zbatuara Kognitive në Sharlot të SHBA, thotë: “Muzika shumë e rëndë krijon një gjendje abnormale fizike, të ngjashme me shndërrimet dhe varësinë që sjellin përdorimi i alkoolit apo drogës.”

Në këtë mënyrë, është mirë që sidomos të rinjtë, të tregojnë kujdes në muzikën që zgjedhin për të dëgjuar apo që u sugjerohet për arsye tërësisht komercialiste, si dhe të evitojnë ambjente si diskotekat apo ato lokale ku luhet muzikë në tinguj shumë të lartë.

 

 

Efektet e zhurmës mbi shëndetin, ajo diku përdoret edhe si mjet torture

Zhurmat më të larta se 45 dB dhe ndaj të cilave njeriu ekspozohet vazhdimisht, janë tepër të dëmshme për shëndetin, duke sjellë dëme të përkohshme apo të pakthyeshme fiziologjike dhe psikologjike si humbje dëgjimi, probleme kardiovaskulare, presion të lartë gjaku, çrregullime në sistemin imunitar, dhimbje koke, lodhje, rritje të stresit, probleme me gjumin, shendetin mendor dhe performancën, probleme në zhvillimin mendor të fëmijës, agresivitet shumë të zhvilluar dhe rritje në sjelljet antisociale.

Ndikimi i madh që kanë zhurmat në zhvillimin mendor të njeriut u vu re kur aeroporti i vjetër i Mynihut në Gjermani u zhvendos në një lokalitet tjetër. Studimet te fëmijët e klasave të treta dhe të katërta që jetonin afër aeroportit, para dhe pasi aeroporti të zhvendosej treguan se këta fëmijë dilnin shumë më dobët në teste memorieje dhe leximi, po të krahasoheshin rezultatet e testeve me ato të fëmijëve që jetonin në lagje më të qeta.

E kundërta ndodhi sapo aeroporti u zhvendos – fëmijët që jetonin afër aeroportit patën përmirësime të ndjeshme në testet e mësipërme, por fëmijët që jetonin afër aeroportit të ri, tashmë patën rënie drastike në teste. Ky eksperiment i realizuar në mënyrë të rastësishme tregon shkallën e rëndësisë që ka ndalimi i zhurmave në zonat e banuara, nëse duam që truri i fëmijëve tanë të zhvillohet normalisht.

Për shkak të pasojave të shumta që zhurmat kanë në sistemin fiziologjik dhe psikologjik të njeriut, zhurmat janë përdorur shpesh edhe si mjete tepër efikase torture. Forcat amerikane dhe CIA kanë përdorur shpesh zhurmat si mjet torture dhe presioni për të arritur qëllimet e tyre.

Rasti më i njohur është ai kur gjeneral Manuel Noriega, diktatori ushtarak i Panamasë në 1989, iu dorëzua forcave amerikane nga Ambasada e Vatikanit në Panama pas 15 ditësh bombardimi me muzikë me volum të lartë të ambasadës, ku diktatori kishte kërkuar strehim.

CIA ka përdorur gjerësisht zhurmat për të torturuar të burgosurit në burgun e Guantanamos dhe në burgjet e Irakut. Nëse torturat fizike shumë herë duroheshin nga të burgosurit, ekspozimi i tyre ndaj zhurmave të vazhdueshme dhe muzikës me volum të lartë i shkatërronte të burgosurit psikologjikisht dhe i bënte ata të dorëzoheshin para personave që po i torturonin.

Pas gjithë kësaj nuk është aspak më e pakët frika se problemi i zhurmave dhe ve#anërisht muzikës së lartë në brezat e rinj të shfaq një rëndësi të ve#antë kërcënuese sepse përbën edhe implikime mbi efektet social-kulturore, fizike dhe ekonomike.

Prandaj nëse detyrohemi të durojmë zhurmat urbane të tjera të i kursejmë vetes një ndotje më shumë duke u kursyer me kufjet dhe diskotekat. Derisa dikush përdor muzikën e lartë si mjet torture deri në shkatërrim dhe dorëzim athua nuk është një arsye e mjaftueshme për të mos ia bërë vetes këtë tani e tutje duke qenë të vetëdijshëm?

Edhe kënga më e preferuar derisa  në MP3 player ose në ndonjë pajisje tjetër degjohet me zë shumë të lartë mund të na shkatërrojë.

Sa për ilustrim të gjithë kësaj ndoshta do të na shërbente një informacion i vogël mbi nivelet e ndryshme të zhurmave në mjediset ku jetojmë dhe veprojmë./natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts