Ne po mbysim imagjinatën dhe kreativitetin e fëmijëve tanë

Shkruan:  Pukjana Geci
Psikologe dhe terapiste

Në një botë që ndryshon me shpejtësi të madhe, ku teknologjia dhe përparimet shoqërore përcaktojnë mënyrën tonë të jetesës, është koha të ndalemi dhe të reflektojmë thellë mbi ndikimin që këto ndryshime kanë tek fëmijët tanë. Ekranet, qoftë ato të telefonave, tabletëve apo televizorëve, janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, duke ofruar përmbajtje të gatshme që nuk kërkon përfshirje aktive të mendjes.

Fëmijët sot kalojnë më shumë kohë duke konsumuar përmbajtje sesa duke krijuar. Loja imagjinative dhe aktivitetet krijuese janë zëvendësuar nga përvoja pasive dhe të paracaktuara qe fëmive ju ipen te gatshme.  Një fëmijë me një tabletë në dorë është i zhytur në botë të ndërtuara nga të tjerët, duke humbur mundësinë për të krijuar vet. Ky pasivitet e shkatërron ngadalë, aftësinë për të imagjinuar dhe krijuar.

Në anën tjetër, shumë shkolla sot përqendrohen kryesisht në teste standardizuese dhe nota, duke lënë pak hapësirë për eksplorimin personal dhe kreativitetin. Nxënësit ndihen të detyruar të mësojnë për të kaluar provime, më shumë sesa për të kuptuar thellësisht dhe për të krijuar diçka të re. Ky sistem kufizon aftësinë e tyre për të menduar jashtë kornizave të vendosura. Në vend që të jenë pionierë të ideve të reja, fëmijët janë të kushtëzuar të ndjekin rrugë të paracaktuara, duke lënë pas kreativitetin dhe imagjinaten.

Përmes lojës së lirë, fëmijët mësojnë të zgjidhin probleme, të krijojnë skenare të reja dhe të përdorin imagjinatën e tyre në mënyra të paimponuara. Ata ndërtojnë kështjella nga rëra, krijojnë tregime me personazhe fantastikë dhe eksplorojnë botë të paqena.  Pra kjo është esenciale për zhvillimin emocional dhe mendor. Mungesa e kësaj hapësire krijuese krijon një boshllëk të ndjeshëm në zhvillimin e tyre, duke i privuar nga mundësitë për të zhvilluar aftësi të rëndësishme si zgjidhja e problemeve dhe inovacioni.

Është koha të rishikojmë qasjen tonë ndaj edukimit dhe përdorimit të teknologjisë. Duhet të krijojmë një ekuilibër që promovon kreativitetin dhe mendimin kritik. Edukimi duhet të shkojë përtej notave dhe testeve, duke u përqendruar në zhvillimin e plotë të fëmijëve si individë krijues dhe plot imagjinatë. Teknologjia duhet të përdoret si një mjet për të nxitur krijimtarinë dhe jo si një zëvendësim për të.

Le të kujtojmë se fëmijët janë artistë. Le t’u japim atyre mundësinë të pikturojnë botët e tyre, të shkruajnë historitë e tyre dhe të ndërtojnë realitete të reja. Vetëm kështu do të mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë të zhvillohen në individë të plotë dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes. Vetëm kështu do të ruajmë dritën e tyre të brendshme dhe do t’i ndihmojmë të shkëlqejnë në këtë botë të madhe dhe komplekse. Ne duhet të promovojmë një sistem arsimor që vlerëson kreativitetin dhe mendimin kritik. Shkollat mund të integrojnë më shumë projekte praktike, lojëra edukative dhe aktivitete që nxisin eksplorimin personal dhe bashkëpunimin.

Kreativiteti dhe imagjinata janë dy prej pasurive më të mëdha që mund t’i japim fëmijëve tanë. Është koha të bëhemi të vetëdijshëm për praktikat dhe mjedisin që po krijojmë për ta. Le të punojmë së bashku për të kultivuar një botë ku fëmijët tanë mund të rriten duke qenë krijues dhe plot imagjinatë duke eksploruar dhe duke u zhvilluar në mënyrë të shëndetshme dhe të natyrshme./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts