Nëse nuk mund të mbeteni shtatëzënë -Endometrioza mund të jetë shkaktari kryesor

 

Dr Samire Ademi Lutolli
Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,
Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

Endometrioza përkufizohet si prania e indit të ngjashëm me endometriumin (indi i brendshëm i mitrës) jashtë mitrës, i cili çon në një reaksion inflamator kronik të indeve, dhimbje dhe infertilitet.

Endometrioza është një problem shkaktari i të cilit ende nuk dihet. Gjithashtu, simptomat e endometriozës variojnë nga fakti që disa gra nuk kanë fare simptoma, deri tek fakti se ato janë shumë të dukshme dhe të ndjeshme. Megjithatë, mungesa ose prania e simptomave nuk tregon shkallën e endometriozës. Duhet të trajtohet për një shëndet optimal dhe të përgjithshëm të gruas.

Endometrioza sigurisht që e ndërlikon rrugën drejt amësisë, e cila është një arsye tjetër për ta zbuluar sa më parë problemin dhe të evitohet për të mundësuar gruas të krijohet në rolin e nënës.

 

Çfarë është endometrioza?

Endometrioza përkufizohet si prania e indit të ngjashëm me endometriumin (indi i brendshëm i mitrës) jashtë mitrës, i cili çon në një reaksion inflamator kronik të indeve, dhimbje dhe infertilitet. Endometrioza është një sëmundje që shfaqet në 15% të popullatës femërore midis moshës 25 dhe 40 vjeç, madje 20-50% e grave që trajtohen për infertilitet kanë endometriozë.

Është një gjendje inflamatore e dhimbshme që më së shpeshti gjendet në: vezore, tubat fallopiane, indet që mbajnë mitrën në vend (ligamentet), sipërfaqja e jashtme e mitrës. Por më rrallë mund të gjendet edhe në vaginë, qafën e mitrës, fshikëz, rektum… Është një diagnozë relativisht e shpeshtë, por e panjohur.

Ashtu si endometriumi brenda mitrës ka një cikël mujor, edhe endometriumi jashtë mitrës kalon nëpër të njëjtat faza.

Endometriumi jashtë zgavrës së mitrës rrjedh gjak në organin në të cilin ndodhet, duke shkaktuar acarim, inflamacion dhe ngjitje të mëvonshme. Ngjitjet lidhin indin përreth me mitër, duke zvogëluar funksionin e saj.

 

Cili është shkaku i endometriozës?

Shkaku i shfaqjes së endometriozës ende nuk dihet. I përket një gjendjeje trashëgimore që mund të ndikohet nga faktorë gjenetikë dhe mjedisorë:

 

Vajzat dhe motrat e grave që kanë endometriozë kanë një rrezik 6 herë më të lartë.

Gratë e moshës 25-40 vjeç.

Gratë me nivele të ulëta të progesteronit

Ekspozimi i zgjatur i estrogjenit: p.sh. menopauza e vonshme ose menstruacionet e hershme

Historia e komplikimeve menstruale (p.sh., cikle të gjata menstruale, perioda të shpeshta)

Nëse gruaja nuk ka lindur

Konsumimi i tepruar i mishit të kuq dhe yndyrave

Konsumimi i alkoolit.

 

Cilat janë simptomat e endometriozës?

Simptomat e endometriozës variojnë nga fakti që disa gra nuk kanë fare simptoma, deri tek fakti se ato janë shumë të dukshme dhe të ndjeshme. Përsëri, mungesa ose prania e simptomave nuk tregon shkallën e endometriozës

Simptomat përfshijnë:

Dhimbje kronike të legenit.

Menstruacione të dhimbshme (dismenorre).

Menstruacione të rënda.

Lodhja kronike fizike.

Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale.

Dhimbje gjatë ovulacionit.

Dhimbje gjatë lëvizjeve peristaltike të zorrëve (lëvizja e ushqimit në zorrë) ose gjatë urinimit.

Dhimbje shpine.

 

Si mund të dim se vuajm nga endometrioza?

Endometrioza dyshohet nëse ka 1 nga simptomat ose shenjat e mëposhtme:

Dhimbje kronike të legenit.

Dhimbje e shoqëruar me menstruacione (dismenorre) që ndikon në aktivitetet e përditshme dhe cilësinë e jetës.

Dhimbje të thella gjatë ose pas marrëdhënies seksuale.

Simptomat gastrointestinale janë ciklike ose të shoqëruara me menstruacione, veçanërisht dhimbje gjatë lëvizjeve peristaltike të zorrëve.

Simptomat urinare të shoqëruara me menstruacionet, veçanërisht gjak në urinë ose dhimbje gjatë urinimit.

Steriliteti i shoqëruar me një ose më shumë nga simptomat e mësipërme.

 

Shumë gra me endometriozë nuk kanë asnjë simptomë dhe gjendja shumë shpesh mbetet e padiagnostikuar derisa të përparojë. Vizitat e rregullta te gjinekologu dhe kontrolli me ultratinguj do të ndihmojnë patjetër në vendosjen e diagnozës.

Endometrioza trajtohet me medikamente ose me kirurgji. Zgjedhja e metodës së trajtimit varet nga stadi i endometriozës, lokalizimi i saj, mosha e gruas dhe ekzistimi i infertilitetit.

Terapia hormonale synon ndalimin e stimulimit hormonal të vatrave endometriotike, stimulimin e atrofisë së tyre dhe ndalimin e gjakderdhjes.

Kirurgjia e endometriozës është metoda më e zakonshme e trajtimit dhe mund të jetë klasike ose laparoskopike. Nëse ka ngjitje masive në zgavrën e barkut që lidhin zorrët, zgjedhja më e zakonshme është kirurgjia klasike. Por këto janë raste të rralla. Në shumicën e rasteve, endometrioza sot operohet në mënyrë laparoskopike, vetë operacioni kryhet përmes një plage shpuese prej vetëm tre deri në katër milimetra.

Një instrument optik përdoret për të hyrë në zgavrën e barkut përmes kësaj prerjeje, për të vëzhguar dhe hequr ndryshimet që më pas dërgohen për analizë histopalogjike. Përparësitë e kirurgjisë laparoskopike janë të shumta. Për shkak të rikuperimit më të shpejtë pas operacionit, më pak gjakderdhje, më pak dhimbje, rrezik jashtëzakonisht të reduktuar të infeksionit, më pak rrezik. Për këto arsye, kjo metodë përdoret në shumë raste.

Shërimi përfundimtar i endometriozës arrihet ekskluzivisht me kirurgji radikale. Me heqjen e plotë të mitrës dhe vezoreve. Ky operacion kryhet tek femrat të cilave sëmundja ka përparuar, dhe janë mbi moshën 40 vjeç dhe që planifikimi familjarë tek ato ka përfunduar.

Trajtimi më i zakonshëm është i kombinuar. Pas trajtimit kirurgjik për një kohë bëhet terapia hormonale dhe më pas rekomandohet shtatzënia.

Pas operacionit mund të përdoren preparate të caktuara natyrale. Për të zvogëluar mundësinë e përsëritjes së simptomave./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts