NUK DUA TA NDËRPRES AGJËRIMIN. A MUND TË PËRDOR TABLETA PËR SHTYERJEN E CIKLIT MENSTRUAL?

Shkruan: Dr Samire Ademi Lutolli

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre, Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

Kjo pyetje për të shtyrë menstruacionet na bëhet shpesh e sidomos gjatë periudhës së pushimeve verore kur pikërisht  “ato ditë” nuk i kemi planifikuar dhe nuk i shmangim, kështu shumë femra shpesh duan të shtyjnë ciklin e tyre.

Me ardhjen e Muajit të Ramazanit shumë femra praktikuese duan të përkushtohen me agjërimin dhe aktivitetet e tjera të adhurimit dhe pyesin për të shtyrë menstruacionet.

Mënyra më e lehtë përfshin përdorimin e tabletave për shtyerje të ciklit ose përdorimin e pilulave kontraceptive. Por, para se të shkoni në farmaci për t’i marrë ato, lind një pyetje e rëndësishme – sa të sigurta janë këto pilula dhe a mund t’i përdorë çdo grua?

Shtyerja e ciklit menstrual nuk duhet të bëhet një praktikë e rregullt. Edhe pse shtyerja e ciklit nuk është e rrezikshme për shumicën e femrave, duke qenë se janë preparate hormonale, gjithmonë duhet të konsultoheni me gjinekologen tuaj.

Është e rëndësishme të theksohet se duke ndaluar gjakderdhjen mujore, asgjë nuk grumbullohet ose trashet, por thjesht mukoza e mitrës nuk krijohet në formën e saj të natyrshme mujore.

Kjo mënyrë e përdorimit të pilulave madje ndonjëherë përdoret për qëllime terapeutike  për trajtimin e disa sëmundjeve. Prandaj shtyerja e mestruacioneve nuk është e thënë të jetë dëmshme.

Si funksionojnë ato? A mund t’i përdorë çdo grua?

Menstruacionet mund të shtyhen duke përdorur dy lloje të pilulave hormonale:

  1. Tabletat e kombinuara hormonale që përmbajnë hormonin estrogjen dhe progestin, që përdoren më shpesh për kontracepcion – parandalimin e shtatzënisë së padëshiruar. Ato zakonisht pihen çdo ditë për 21 ditë (një kuti) dhe kur dëshirohet të shtyhet menstruacioni, ato përdoren pa pushim midis dy kutive, dhe sipas rastit mund të merren dy apo më shumë kuti. Gjatë kohës që përdoren këto pilula, një grua mbrohet nga shtatzënia vazhdimisht, pavarësisht nëse bën pushime apo jo.
  2. Për shtyerjen e menstruacionit më shpesh përdoren tabletat që përmbajnë vetëm hormonin seksual femëror sintetik progesteron – ato nuk kanë efekt kontraceptiv, pra nuk mbrojnë nga shtatëzania.

Teprica e këtij hormoni në trup çon në vonesë të ovulacionit dhe në këtë mënyrë në shfaqjen e menstruacionit. Tabletat merren të paktën 3 ditë para menstruacioneve të pritshme dhe përdoren për aq ditë sa dëshironi për të vonuar menstruacionet, por jo më shumë se 14 ditë. Menstruacioni do të ndodhë brenda pak ditësh pas ndërprerjes së pilulës.

Përvoja me pilulat e shtyerjes së menstruacionit është kryesisht pozitive, dhe pasoja më e zakonshme janë menstruacionet e vrullshme, dhimbje koke, dhimbje në fund të barkut ose shtrëngim në gjoks. Duhet pasur parasysh se çdo organizëm reagon në mënyrën e vet, dhe këto janë më shumë përjashtime sesa rregull.

Si çdo ilaç, edhe këto tableta mund të kenë kundërindikacionet e tyre dhe të ndërveprojnë me disa prej ilaçeve. Kujdes i veçantë duhet te gratë mbi 35 vjeç, duhanpirëset, si dhe gratë me hipertension dhe trombozë. Është e rëndësishme të dini se këto pilula nuk kanë një efekt kontraceptiv pra të mbrojnë nga shtatëzënia.

Sidoqoftë para se një grua të përdorë ndonjë pilulë, është e detyrueshme të konsultohet me gjinekologun për të përcaktuar se çfarë lloji të pilulave janë të këshillueshme për të, si t’i marrë ato, kur të fillojë dhe kur të ndalojë. Gjinekologu duhet të përcaktojë nëse ka ndonjë rrezik në përdorimin pilulave të kombinuara dhe për të shpjeguar efektet e mundshme anësore të mundshme. Sigurisht ekzistojnë kategoritë e caktuara të grave që kanë rrezik të lartë nga përdorimi i kontraceptivëve si ato me histori për trombozë të venave, duhanpirëset etj.

Në asnjë mënyrë tabletat kontraceptive apo ato me progesterone nuk duhen të merren pa përshkrimin e mjekut gjinekolog. Dhe sigurisht, para se të filloni kutinë duhet të lexoni fletëudhëzimin nga kutia./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts