Rrahja e fëmijëve shpesh përdoret si një mënyrë për të ndëshkuar sjelljet e tyre, por studimet dhe ekspertët e shëndetit mendor tregojnë se kjo praktikë është e dëmshme për zhvillimin emocional, psikologjik dhe social të fëmijës:
Ndikon negativisht në marrëdhënien prind-fëmijë: Rrahja mund të shkaktojë frikë dhe distancë emocionale midis prindit dhe fëmijës. Në vend të lidhjes dhe besimit, fëmija mëson t’i shmanget prindit ose të fshehë gabimet.
Nxit dhunën si zgjidhje: Kur fëmijët ndëshkohen fizikisht, ata shpesh mësojnë se dhuna është një mënyrë për të zgjidhur konfliktet. Kjo mund t’i bëjë më agresivë ndaj shokëve, motrave/vëllezërve dhe të tjerëve.
Dëmton vetëvlerësimin: Fëmijët e rrahur ndihen të pavlerë dhe të padashur. Ndjenja e turpit dhe poshtërimit mund të ndikojë tek mënyra si e perceptojnë veten për gjithë jetën.
Nuk mëson sjelljen e duhur:Rrahja mund të ndalojë përkohësisht sjelljen e keqe, por nuk ndihmon fëmijën të kuptojë pse ajo sjellje është e papranueshme. Edukata e mirë ndërtohet me shpjegime, shembuj pozitivë dhe vendosje të kufijve të qartë.
Ka pasoja afatgjata: Fëmijët e rrahur kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme si ankthi, depresioni, dhe vështirësitë në marrëdhënie kur rriten. Për më tepër, disa studime tregojnë se rrahja mund të ndikojë edhe në zhvillimin e trurit.
Çfarë të bëjmë në vend të rrahjes? – Përdorni metoda pozitive disiplinore, si vendosja e rregullave dhe shpërblimi për sjelljet e mira. – Jepini fëmijës kohë për të reflektuar kur gabon (time-out). – Shpjegoni pasojat e sjelljeve të tyre dhe ndihmojini të mësojnë nga gabimet. – Bëni modelimin e sjelljeve që dëshironi të shihni tek ata. Të mos rrahim fëmijët nuk do të thotë t’i lëmë pa disiplinë, por të zgjedhim mënyra që nxisin respektin, mirëkuptimin dhe zhvillimin e shëndetshëm të tyre.
Pukjana Geci
Psikologe Klinike./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”