Shputat e deformuara te fëmijët shkaqet dhe trajtimi

Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute

Këmba e shtrembër apo pes equinovarusi kongjenital është deformimi më i zakonshëm kongjenital i këmbës, me një frekuencë prej një deri në dy në 1000 të porsalindur.

Raporti gjinor i djemve me vajzat është afërsisht 3:1. Këmba e shtrembër nuk është e dhimbshme për foshnjën, por kërkon trajtim.

Qëllimi i trajtimit është të rivendosë një këmbë normale, funksionale dhe plantigrade. Shkaqet që çojnë në deformim ende nuk janë sqaruar përfundimisht.

Faktorët gjenetik mund të jenë shkaktarë

Nëse ka një histori familjare, rreziku i lindjes së një fëmije me shputa të tilla shtohet. PEVC zakonisht diagnostikohet pas lindjes së foshnjes, megjithëse mund të dallohet gjatë skanimit rutinë me ekografi të bërë midis javës 18 dhe 2. Te pes equinovarusi i fetusit, ekzistojnë ndryshime në pozitën dhe formën e kockave tarzale, në ligamente, tendine dhe muskuj, ndryshime që janë vërejtur dhe te i porsalinduri me pes equinovarus.

Dallojmë dy tipe të pes equinovarus kongjenital PEVC tipik dhe PEVC teratogjen

PEVC tipik karakterizohet me praninë e të gjitha pjesëve të skeletit të shputës dhe ndryshon vetëm forma dhe pozita e tyre, pra shputa është e deformuar.

Ky tip i PEVC karakterizohet me prognozën relativisht të mirë sepse reagon mirë në trajtim, me dallim nga PEVC teratogjen, te i cili janë të pranishme dhe anomali tjera shoqëruese të sistemit muskuloskeletor si spina bifida, arthrogrypoza etj. Shkalla e deformimit të shputës sillet nga e lehtë deri te shumë e rëndë. Prandaj detyrë e parë është që të vlerësohet se deformimi është struktural ose kemi të bëjmë me pozitën e shputës që është kushtëzuar me pozitën e keqe intrauterine.

Qëllimi i trajtimit të PEVC është të zvogëlohen ose të eliminohen në tërësi komponentët e deformimit të shputës në mënyrë që i sëmuri të ketë shputën e vet plotësisht funksionale, të pa dhembshme, plantigrade, me mobilitet të mirë dhe që mos të ketë nevojë të mbathë këpucë të veçanta.

Trajtimi tek PEVC zakonisht fillon 1 deri në 2 javë nga lindja e foshnjës

Principet e përgjithshme të trajtimit që mund të aplikohen shumë lehtë që në ditët e para të jetës përfshinë korrigjimin e kujdesshëm pasiv të deformitetit, ruajtjen e korrigjimit dhe mbikëqyrja e fëmijës deri në mbarimin e rritjes.

Trajtimi kryesor, i quajtur metoda Ponseti, përfshin manipulimin e butë dhe shtrirjen e këmbës së foshnjës në një pozicion të duhur dhe më pas vendoset në një gips për periudha të caktuara kohore. Pasi të hiqet gipsi i fundit, shumica e foshnjave kanë nevojë për një operacion të vogël për të liruar tendinin e Akilit në pjesën e pasme të kyçit të këmbës së tyre.

Në shumicën e rasteve fëmijët me PEVC të trajtuar do të mund të marrin pjesë në aktivitete të rregullta ditore. Ata do të mësojnë të ecin në moshën e zakonshme, të shijojnë aktivitetet fizike dhe të jenë në gjendje të mbajnë këpucë të rregullta pas trajtimit./natalmedia.com/

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts