Terapia me antibiotik patjetër duhet shoqëruar edhe me probiotikët

Mënyra më efektive për të parandaluar efektet e padëshiruara të antibiotikëve është përdorimi i përgjegjshëm i tyre, vetëm në situatat kur ato janë vërtet të indikuara. Kur terapia me antibiotikë është e nevojshme, probiotikët mund të parandalojnë efektet e tyre të padëshiruara në mikrobiomën e zorrëve dhe shëndetin e fëmijës.

Zorrët tona përmbajn miliarda baktere, si dhe kërpudha dhe viruse, të cilat përbëjnë mikrobiomën tonë të zorrëve – një bashkësi ekologjike e të gjithë mikroorganizmave që banojnë në trupin e njeriut. Ky komunitet është unik për çdo person, po aq origjinal sa  gjurmët e gishtërinjëve. Përbërja e mikrobiomës përcaktohet gjenetikisht, por varet në një masë të madhe edhe nga faktorë të tjerë. Mënyra se si ka lindur fëmija – vaginale apo operative, nëse është ushqyer me gji, dhe sa shpesh ka marrë antibiotikë.

Ekzistojnë prova të shumta shkencore që mikrobioma e zorrëve luan një rol kyç në ruajtjen e shëndetit tonë të përgjithshëm. Prishja e ekuilibrit të mikrobiomës mund të çojë në probleme gastrointestinale, si kapsllëk, fryrje apo diarre, ndryshime në lëkurë, infeksione mykotike, çrregullime të sistemit imunitar, tendencë për të fituar peshë, të gjitha këto mund të çojnë në pasoja të shumta negative shëndetësore më vonë. Lidhja midis zorrëve dhe trurit është veçanërisht magjepsëse; një çekuilibër i vogël i mikrobiomës së zorrëve mund të shkaktojë ndryshime të rëndësishme në shëndetin tonë mendor.

 

Efektet anësore të antibiotikëve

Në historinë e mjekësisë moderne, antibiotikët luajnë rolin e heroit. Pak ilaçe kanë shpëtuar aq jetë sa antibiotikët. Megjithatë, antibiotikët mund të kenë edhe efekte të padëshiruara, ndër të cilat është prishja e ekuilibrit të mikroorganizmave që jetojnë në zorrët tona – dysbioza.

 

Një nga pasojat e shpeshta të padëshiruara të përdorimit të antibiotikëve është diarreja e shkaktuar nga antibiotikët. Antibiotikët nuk veprojnë vetëm mbi bakteret patogjene, shkaktarë të infeksionit, por fatkeqësisht edhe mbi bakteret e mikrobiomës sonë. Diarreja e shkaktuar nga antibiotikët ndodh kur antibiotiku prish ekuilibrin duke ndikuar në shumëllojshmërinë dhe numrin e baktereve “të mira” në zorrët. Një mikrobiom i ndryshuar në këtë mënyrë nuk mund të mbrojë zorrët nga pushtimi i mikroorganizmave patogjenë ose nga rritja e tepërt e baktereve që ekzistonin tashmë në zorrë dhe po përfitojnë nga mundësia e tyre. Edhe kur numri i baktereve rikuperohet, çekuilibri mund të ruhet për një kohë të gjatë dhe, për rrjedhojë, rritet ndjeshmëria ndaj infeksioneve të zorrëve dhe sëmundjeve të tjera.

Frekuenca, e cila vlerësohet nga 5 deri në 35%, ndikohet nga zgjedhja e antibiotikut, kohëzgjatja e terapisë, mosha e pacientit, nevoja për hospitalizim, sëmundjet shoqëruese dhe episodet e mëparshme të diarresë të shkaktuar nga antibiotikët. Fëmijët janë një grup veçanërisht i rrezikuar, për shkak të përdorimit të shpeshtë të antibiotikëve dhe ekuilibrit të ndjeshëm të mikrobiomës së zorrëve. Pothuajse çdo antibiotik, qoftë i dhënë nga goja apo parenteral, mund të shkaktojë këtë lloj diarreje.

 

Diarrea e shkaktuar nga antibiotikët përkufizohet si shfaqja e tre ose më shumë jashtëqitjeve të lirshme në 24 orë gjatë ose pas marjes të antibiotikut. Simptomat nuk duhet të shfaqen menjëherë, ndonjëherë vetëm pas gjashtë ose tetë javësh pas përdorimit të antibiotikëve. Më shpesh, është një fenomen i lehtë dhe kalimtar, por mund të ketë edhe një pasqyrë të rëndë klinike që kërkon trajtim spitalor, veçanërisht te fëmijët me sëmundje kronike ekzistuese.

 

Rekomandime për përdorimin e probiotikëve me antibiotikë

Përdorimi i probiotikëve është treguar të jetë një strategji efektive në parandalimin e diarresë të shkaktuar nga antibiotikët. Nëse një antibiotik është i nevojshëm, përdorimi i njëkohshëm i probiotikëve mund të neutralizojë ose të lehtësojë efektet e padëshiruara në mikrobiomën e zorrëve. Probiotikët mund të jenë shumë efektivë në rivendosjen e ekuilibrit natyror të baktereve të zorrëve.

Mund të shtrohet pyetja nëse dhënia e probiotikëve së bashku me antibiotikët ka ndonjë efekt, sepse antibiotikët shkatërojnë bakteret pa dallim. Provat shkencore thonë të kundërtën: shumë probiotikësh janë rezistente ndaj antibiotikëve dhe në disa situata ato kanë një efekt pozitiv në rezultatin e trajtimit, siç është rasti me trajtimin e infeksionit të shkaktuar nga Helicobacter pylori.

 

Kur duhet të filloni terapinë me probiotikë?

Nuk ka nevojë të presësh përfundimin e terapisë me antibiotikë apo shfaqjen e problemeve me stomakun tek fëmija. Probiotikët duhet të jepen që në ditën e parë të terapisë me antibiotikë, sipas udhëzimeve të pediatrit ose farmacistit.

Shumica e probiotikëve që përmbajnë një kulturë Lactobacillus janë rezistente ndaj antibiotikëve, kështu që mund të jepen në të njëjtën kohë me një antibiotik. Ekzistojnë gjithashtu rekomandime për të bërë një pushim prej 2 orësh midis antibiotikëve dhe probiotikëve, në mënyrë që të sigurohet efektiviteti maksimal i preparatit.

Përdorimi i probiotikëve nuk shoqërohet me efekte anësore të padëshiruara, sidomos te fëmijët. Megjithatë, kërkohet kujdes kur ato përdoren në grupe të ndjeshme pacientësh, si fëmijët e lindur para kohe, fëmijët me çrregullime imunitare, defekte të zemrës, fëmijët e sëmurë rëndë me kateter venoz qendror.

 

Sa kohë duhet dhënë një probiotik?

Të paktën disa javë pas përfundimit të terapisë me antibiotikë, sepse procesi i rikuperimit të mikrobiomës së zorrëve është i ngadalshëm dhe afatgjatë.

 

A mund të ndihmojnë ushqimet probiotike?

Disa ushqime, si lakër turshi, kosi, kefiri, djathrat si mocarela, gouda ose djathi suabian përmbajnë një sasi të madhe probiotikësh. Edhe pse ato janë të dobishme për shëndetin, lloji, numri dhe disponueshmëria e baktereve të gjalla në këto produkte ndryshon shumë. Dhe, nuk mund të zëvendësojë një preparat probiotik që përmban një lloj dhe numër specifik bakteresh. /natalmedia.com/

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts