Pyetje:
Përshëndetje!
Kam vajzën 5 vjeçare që dy muaj ka filluar parashkollorin. Në shtëpi ajo është shumë e qetë dhe në përgjithësi një fëmijë i sjellshëm. Megjithatë, mësuesja më thotë vazhdimisht se në kopsht ajo nuk flet me të dhe nuk luan me fëmijët. Madje mësuesja më ka pyetur nëse vajza ime di të flasë. I kam treguar video se si është në shtëpi, ku ajo flet, por mësuesja thotë se nuk ka dëgjuar asnjëherë zërin e saj në kopsht. Ajo më ka këshilluar të bisedoj me një psikolog.
Përgjigje:
Përshëndetje!
Kjo që përshkruam më sipër nënkupton se kemi të bëjmë me mutizmin selektiv. Ky është një lloj ankthi që shfaqet zakonisht tek fëmijët dhe karakterizohet nga një bllokim i të folurit, pra një gjendje ku fëmija zgjedh të mos flasë në disa situata ose vende të reja si në shkollë, kopsht, apo me persona me të cilët nuk ndihet rehat. Mutizmi selektiv nuk është çrregullim i të folurit, as problem i artikulimit, dhe as vonesë në të folur. Ai shkaktohet kryesisht nga ankthi, stresi dhe frika. Fëmija zgjedh të komunikojë vetëm me persona të afërt, si prindërit, vëllezërit apo motrat, ku ka siguri. Ndërsa në situata jashtë zonës së rehatisë zgjedh të mos flasë ose të përdorë gjeste si(tundja e kokës për “po” ose “jo”). Mutizmi selektiv zakonisht shfaqet në fëmijërinë e hershme dhe lidhet me ndjeshmëri të lartë dhe frikë sociale. Me trajtim të duhur, që përfshin terapi individuale nga psikologu dhe mbështetje nga prindërit dhe mësuesit, fëmijët mund të mësojnë të menaxhojnë ankthin dhe të zhvillojnë aftësitë për të komunikuar në situata të ndryshme. Në punën tonë kemi trajtuar më shumë sukses fëmijë të shumtë që kanë pasur vështirësi të ngjashme.
Pukjana Geci Psikologe klinike./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”