Shkruan: Egzona Maloku – Logopede
Kur dikush merr një diagnozë të autizmit, zhvillimi i gjuhës mund të jetë një nga shqetësimet kryesore. Shumë fëmijë në spektër shfaqin një vonesë gjuhësore ose kanë vështirësi për të komunikuar (vështirësi të të folurit).
Shumë fëmijë me autizëm përjetojnë sfida dhe pika të forta komunikimi në të gjitha nën-sistemet gjuhësore duke përfshirë pragmatikën, gramatikën, semantikën, sintaksën, fonologjinë dhe morfologjinë si në gjuhën e të folurit ashtu edhe në atë të shkruar.
Megjithatë, marrëdhënia midis autizmit dhe zhvillimit të folurit është një temë komplekse veçanërisht sepse nuk ka dy fëmijë me autizëm të njëjtë. Për shembull, një fëmijë me autizëm mund të flasë herët por ndërsa zhvillohet ai mund të mos përdorë gjuhën për t’u shprehur. Një fëmijë tjetër me autizëm mund të jetë krejtësisht joverbal.
Në varësi të ashpërsisë së vonesës së gjuhës së fëmijës suaj mund të jetë një nga shenjat e para paralajmëruese që vini re. Disa fëmijë mund të humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në një mënyrë të caktuar dhe nuk ka asnjë shpjegim të thjeshtë se përse mund të ndodhë kjo.
Është e rëndësishme që nëse zhvillimi gjuhësor i fëmijës tonë duket se po regresohet ne të jemi të durueshëm dhe mirëkuptues duke mbetur pozitivë dhe inkurajues.
Mos harroni në botën e autizmit se udhëtimi i të gjithëve për zhvillimin e gjuhës është unik. Është e rëndësishme të mbani mend se pavarësisht nga autizmi, zhvillimi i gjuhës në vitet e hershme është jashtëzakonisht i ndryshueshëm tek të gjithë fëmijët.
Çdo fëmijë është i ndryshëm. Gjuha verbale nuk do të zhvillohet me të njëjtin ritëm për të gjithë, ndonjëherë mund të mos zhvillohet deri më vonë në jetë dhe disa fëmijë nuk do të përdorin gjuhën verbale për të komunikuar. Trajektorja e zhvillimit të gjuhës është e ndryshme nga personi në person.
Për disa fëmijë mund të kenë një fjalor të madh fjalësh që përdorin, por mund të jenë në vështirësi për të kuptuar gjuhën ose për të kuptuar aspektet sociale të komunikimit. Ndërtimi i komunikimit ka të bëjë me fokusimin në pikat e forta të fëmijëve dhe mbështetjen e tyre në aspektet e komunikimit që ata i konsiderojnë sfiduese.
Për disa fëmijë më të vegjël me autizëm përmirësimi i aftësive të të folurit dhe gjuhës është një qëllim realist i trajtimit.
Prindërit dhe kujdestarët mund të rrisin mundësinë e një fëmije për të arritur këtë qëllim duke i kushtuar vëmendje zhvillimit të tij/saj gjuhësor që herët. Ashtu si fëmijët e vegjël mësojnë të zvarriten para se të ecin, fëmijët fillimisht zhvillojnë aftësi para-gjuhësore përpara se të fillojnë të përdorin fjalë.
Këto aftësi përfshijnë përdorimin e kontaktit me sy, gjestet, lëvizjet e trupit, imitimin dhe vokalizimet e tjera për t’i ndihmuar ata të komunikojnë.
Fëmijët të cilëve u mungojnë këto aftësi mund të vlerësohen dhe trajtohen nga një logoped për të parandaluar vonesat e mëtejshme të zhvillimit.
Disa fëmijë me autizëm mund të mos zhvillojnë kurrë aftësitë e të folurit dhe gjuhës. Për këta fëmijë qëllimi mund të jetë të mësojnë të komunikojnë duke përdorur gjeste, si gjuha e shenjave. Për të tjerët qëllimi mund të jetë komunikimi me anë të një sistemi simbolesh në të cilin figurat përdoren për të përcjellë mendimet.
Çështjet e komunikimit ndryshojnë në një vazhdimësi të ashpërsisë, kështu që disa fëmijë mund të jenë verbalë, ndërsa të tjerët mbeten joverbalë ose minimalisht verbalë. Poashtu vështirësitë gjuhësore dhe të të folurit tek fëmijët me autizëm ka edhe kushte të tjera që mund të ndikojnë në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës si, çrregullime të tjera zhvillimore, apraksia e të folurit ose koeficienti i ulët i inteligjencës (IQ).
Nëse keni këto shqetësime të gjuhës dhe të folurit të fëmijës tuaj iu rekomandojmë të bëni një vlerësim nga logopedi:
-Vonesa apo mungesa e të folurit
-Nuk thotë fjalë të vetme deri në moshën 16 muajshe
-Nuk bashkon dy fjalë në moshën 24 muajshe
-Nuk i përgjigjet emrit të tyre
-Humbin aftësitë e të folurit ose gjuhës që kishin dikur
-Mungesa e gjesteve apo imitimit
-Ekolalia (përsërisin fjalët, frazat)
-Fjalë të pakuptimta ose të pavenda
-Vonesa gjuhësore (nuk kupton)./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”