Shkruan: Dr. Samire Ademi Lutoli
Gjinekologe – Obstetre
Arrat shpesh mund të gjenden në listën e ushqimeve jo të shëndetshme. Për arrat e përpunuara në fabrikë ose të skuqura, të kripura ose të zhytura në çokollatë, kjo deklaratë është e vërtetë, por nëse janë të papërpunuara dhe lëndë e parë, ato janë një fidanishte e vërtetë e shëndetit.
Një studim i publikuar në American Journal of Clinical Nutrition vërtetoi se marrja e arrave për organizmin nuk duhet të jetë e kufizuar. Gjegjësisht, personat që konsumojnë arra në baza ditore ose i konsumojnë ato si zëvendësues të ushqimeve të tjera, humbin më shumë peshë dhe kanë bel më të hollë.
Edhe pse nuk mund të flitet për humbje të konsiderueshme në peshë dhe reduktim të perimetrit të belit, rezultatet treguan se arrat nuk ju shtojnë peshën, dhe janë të shkëlqyera për shëndetin e sistemit të gjakut.
Arrat janë të pasura me acid alfa-linolenik, ndaj mbrojnë zemrën në kohë stresi të madh kur ajo është veçanërisht e rrezikuar. Stresi zakonisht çon në rënie të imunitetit, por nëse hani bajame të pasura me vitaminë E, vitamina B dhe magnez, do ta ruani imunitetin.
Bajamet, lajthitë, kikirikët, arrat braziliane, arrat shtëpiake dhe arrat indiane luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, tregon një studim i Harvardit. Kjo është për shkak se arrat mund të ulin kolesterolin LDL. Përveç kësaj, ato ofrojnë yndyrna të shëndetshme të monotëpangopura dhe politëpangopura, dhe fibra që mbrojnë zemrën. Arrat janë gjithashtu të pasura me argininë, një aminoacid që ndihmon në mbajtjen e enëve të gjakut të relaksuara.
Një dietë e pasur me fëstëkë mund të mbrojë kundër zhvillimit të kancerit të mushkërive, sipas hulumtimeve paraprake të paraqitura në Konferencën Kërkimore për Parandalimin e Kancerit (Cancer Prevention Research Conference). Shkencëtarët mendojnë se gama-tokoferoli, një lloj vitamine E, luan një rol kyç.
Një studim i vitit 2010 i publikuar në Archives of Internal Medicine tregon se konsumimi i përditshëm i një filxhani me arra ul kolesterolin e keq LDL me 7.4 për qind. Përveç kësaj, nivelet e triglicerideve bien me më shumë se 10 për qind.
Arrat braziliane janë plot me selen dhe gjithashtu mund të ndihmojnë kundër kancerit të avancuar të prostatës, tregoi një studim i kryer në Holandë. Gjegjësisht, meshkujt që kishin nivele të larta të selenit në gjakun e tyre kishin 60 për qind më pak gjasa të prekeshin nga kanceri i prostatës 17 vjet më vonë.
Për shkak të sasisë së shëndetshme të vitaminës E, arrat konsiderohen si ushqim për trurin, pra parandalojnë rënien e aftësisë kognitive- njohëse që zakonisht vjen me moshën. Kikirikët rekomandohen veçanërisht sepse janë të pasur me vitamina B.
Dy grushta arra në ditë përmirësojnë cilësinë e spermës për sa i përket vitalitetit, lëvizshmërisë dhe morfologjisë, tregon një studim nga UCLA./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”