Shkruan: Rudina Hysiqi
Logopede
Shumë fëmijë të vegjël kalojnë një fazë midis moshës 2 dhe 5 kur belbëzojnë. Kjo mund t’i bëjë ata:
- Të përsëritin rrokje, fjalë ose fraza të caktuara,
- Të zgjasin tingujt,
- Të bllokohen- nuk lëshojnë zë për tinguj dhe rrokje të caktuara.
Belbëzimi është një formë e mosrrjedhshmërisë së të folurit. Pra, një ndërprerje në rrjedhën e të folurit. Në shumë raste, belbëzimi zhduket vetvetiu deri në moshën 5 vjec. Por në disa fëmijë, belbëzimi vazhdon për më shumë kohë. Pas kësaj moshe fëmija juaj ka nevojë për trajtime efektive logopedike.
Më poshtë mund të gjeni 10 këshilla të rëndësishme se si të veproni kur fëmija juaj belbëzon:
- Mos kërkoni që fëmija juaj të flasë saktë në çdo kohë- Ata flasin më me lehtësi kur nuk i`u ndërprehet fjala dhe e kanë vëmendjen e të tjerëve.
- Lejoni që biseda të jetë argëtuese dhe e këndshme- Përdorni vaktet familjare si kohë bisede.
- Shmangni shpërqendrimet si radio ose TV- Bisedoni sy me sy me fëmijën tuaj për dëshirat, nevojat, shqetësimet që të ndihet sa më rehat.
- Shmangni korrigjimet ose kritikat si “ngadalësoni”, “merrni kohën tuaj”, “merrni frymë thellë”, ose “relaksohuni”- Lëreni të kuptohet se ju jeni duke e dëgjuar përmbajtjen e bisedës, dhe jo formën e saj sepse këto komente vetëm do ta bëjnë fëmijën tuaj të ndihet më i vetëdijshëm.
- Shmangni të folurit dhe leximit me zë të lartë kur fëmija juaj nuk ndihet mirë ose kur belbëzimi rritet- Në vend të kësaj, gjatë këtyre kohërave inkurajoni aktivitete që nuk kërkojnë shumë biseda.
- Mos e ndërprisni fëmijën tuaj ose mos i thoni atij ose asaj të fillojë nga e para- Mos i’a plotësoni fjalinë fëmiut ose mos fol në vend të tij. Lëreni fëmijën tuaj të flasë vetë dhe të përfundojë mendimet dhe fjalitë.
- Bëhuni model i të folurit për fëmijën tuaj- Flisni ngadalë dhe qartë kur flisni me fëmijën tuaj ose të tjerët në praninë e tij ose të saj.
- Bëni pauzë përpara se t’i përgjigjeni pyetjeve ose komenteve të fëmijës tuaj.
- Mbani kontaktin me sy me fëmijën tuaj- Mundohuni të mos shikoni larg ose të tregoni shenja të fytyrës dhe mërzitje.
- Mos e bëni belbëzimin diçka që duhet të të vijë turp.
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”