Si ta kuptoj që fëmija im ka vonesë në zhvillim?

Shkruan: Pukjana Geci Piskologe dhe terapiste.

Vonesa në Zhvillimin Këshilla dhe Menaxhimi Efektiv

Këtë temë, do të shqyrtojmë me thellësi çështjen e vonesës në zhvillimin e fëmijëve duke u mbështetur në fakte shkencore dhe duke u fokusuar në kuptimin e asaj se cfarë kuptojmë me vonesë ne zhvillim dhe si menaxhohet ajo. Kjo është një temë që kërkon vëmendje të veçantë dhe njohuri për të ndihmuar fëmijët të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme dhe të suksesshme.

Zhvillimi është procesi me të cilin çdo fëmijë evoluon nga foshnjëria e pafuqishme në moshën madhore të pavaru. Në përgjithësi, një vonesë zhvillimore përkufizohet si ngadalësimi për të përmbushur ose për të mos arritur shenjat kryesore në një ose më shumë fusha të zhvillimit (Vonesat mund të ndodhin në fushat e funksionit motorik, të folurit dhe gjuhës, njohjes, lojës dhe aftësive sociale.) në kohën e pritur për moshën e një fëmije. Pra vonesa zhvillimore ndodh kur një fëmijë nuk arrin nivelin e zhvillimit në krahasim me moshatarët e të njëjtës grupmoshë. Në shumë raste, identifikimi i hershëm dhe trajtimi i vonesave në zhvillim mund të sjellë ndryshime të mëdha pozitive. Kjo mund të përfshijë ndërhyrje të specializuara nga ana e profesionistëve.

Zhvillimi i Aftësive Njohëse: Në periudhën ndërmjet 12 dhe 24 muaj shfaqet dhe përsoset të ecurit, kështu që fëmija është i gatshëm të vrapojë, të ngjitet, të zbresë dhe në mënyra të ndryshme për ta zbuluar dhe përvetësuar hapësirën. Kjo i jep siguri në vetvete, kështu që tek ai fillon të zhvillohet pavarësia.  Fillon t’i imitojë të rriturit, veprimet e tyre të përditshme, gjestet, sjelljet. Në atë mënyrë fillon të bëjë përpjekje për t’u krehur, veshur, ushqyer. Paralelisht me zhvillimin motorik, zhvillohet edhe të folurit, kështu që në fillim të kësaj periudhe zhvillimore, fëmija thotë disa fjalë me kuptim, dhe në fund ka një fond më të madh fjalësh që i lidh në një fjali të thjeshtë me dy fjalë. Gjithashtu zhvillohet edhe të kuptuarit e të folurit, kështu që nga të kuptuarit dhe realizimi i komandave të thjeshta të të folurit me një fjalë, kalohen te komandat më komplekse dypjesëshe. Verbalizoni aktivitetet që i kryeni me fëmijën, duke e pasuruar kështu fjalorin e tij në të njëjtën kohë, por edhe do ta inkurajoni të kuptuarit e të folurit.

Kushtoni vëmendje nëse fëmija juaj bënë këto!

Si të ndihmoj fëmijën?

Në disa raste, fëmijët fillimisht flasin, dhe pastaj ecin, ndërsa në raste të tjera ndodh e kundërta. Vini re cila aftësi dominoi tek fëmija juaj në një moment të caktuar dhe përshtatuni aktivitetet në përputhje me të. Në të njëjtën kohë, jepni hapësirë për lojë të lirë sipas zgjedhjes së tij. Mënyra më e mirë për fëmijët në këtë moshë për të mësuar është përmes lojës. Krijoni kushte në të cilat mund t’i praktikojnë këto aftësi të vetëndihmës, si dhe kushte në të cilat do t’i përsosin arritjet e tyre motorike. Luani bashkë me ta, ushqejeni arushën dhe lëshoni tinguj sikur ushqimi është shumë i shijshëm. Inkurajoni fëmijën të mësojë se si të përdorë gjestet dhe shprehjet për të shprehur nevojat dhe ndjenjat e tij/ saj. Prindërit duhet të jenë të përkushtuar për të ndihmuar fëmijën në zhvillimin e tij/ saj. Inkurajoni dhe të ndihmoni fëmijën, por lejoni atë të përpiqet vetë. Ofroni ndihmë kur është e nevojshme, por lejoni fëmijën të eksplorojë dhe të mësojë nga përvojat e tij/ saj.

Vonesa gjuhësore: është një gjendje ku një fëmijë nuk arrin të zhvillojë gjuhën në mënyrë të pritshme për moshën e tij. Kjo mund të shprehë një gamë të gjerë vonesash në kuptimin, përdorimin dhe zhvillimin e aftësive gjuhësore. Disa shenja të vonesës gjuhësore përfshijnë mungesën e fjalëve të parë, një fjalor të kufizuar, dhe vështirësi në kuptimin e fjalve të thjeshta.

Periudha deri në vitin e dytë është periudhë kur fjalët e para me kuptim fillojnë të shfaqen, përkatësisht fëmija fillon ta kuptojë funksionin e tyre. Gjithashtu, në këtë periudhë fëmija fillon të ndërthurë një emër me një folje, p.sh.: “Mami ama”; emëron në mënyrë spontane sende të njohura, luan me fëmijët e tjerë, fillon të luajë lojëra imagjinare (mjek, kuzhinierë, kukulla, kafshë, apo bënë sikurse është duke folur në telefon etj.). Identifikimi i vonesës gjuhësore mund të bëhet përmes vëzhgimit të komunikimit të fëmijës në raport me pritshmëritë për moshën e tij, si dhe në krahasim me fëmijët e tjerë të moshave të ngjashme.

Si të ndihmoj fëmijën?

Emërtoni gjithçka që bënë fëmija. Kur e hedh topin, mund t’i thoni: “Oooo, e hodhi topin! Topi ra! Topi bëri op, op!” Në këtë mënyrë i jepni shembull që çdo aktivitet shoqërohet me të folur, dhe në të njëjtën kohë i mundësoni t’i kuptojë dhe t’i lidhë nocionet.

Mos insistoni që fëmija Juaj t’i përsërisë fjalët që Ju do t’i thoni.

Rregullat e arta janë: mos kërkoni nga fëmija “Thoni nënë”, “Thoni topi”, etj, fëmijës që nuk flet, mos i bëni pyetje të cilave nuk mund t’u përgjigjet

Dëgjojeni fëmijën Tuaj. Shikojeni atë dhe jepini kohë të përgjigjet. Në vend që të insistoni që fëmija të thotë diçka, shikojeni atë derisa i flisni. Drejtojuni me fjali të thjeshta. Mos flisni shpejt. Bëni pushim në të folur. Për shembull, derisa fëmija është duke ngrënë, mund të thoni: “Mmmm, am, am, është e shijshme”. Mundohni të emertoni objekte lodra, bëni emitime të ndryshmë.

Zhvillimi shoqëror dhe emocional: Fëmijët po ashtu mund të përjetojnë vonesa në zhvillimin e aftësive shoqërore dhe emocionale. Kjo përfshin vështirësi në bashkëveprimin me fëmijë të tjerë, kuptimin e ndjesive, dhe menaxhimin e tyre në mënyrë efektive. Bashkëveprimit me fëmijë të tjerë: Inkurajoni fëmijën të bashkëveprojë me fëmijë të tjerë në aktivitete të kopshteve, lojëra, ose në shoqëri. Kjo do ta ndihmojë atë/ atë të mësojë se si të komunikojë dhe të përballet me ndryshime në grup.

Tre vitet e para të jetës së një fëmije janë kritike për zhvillimin e tij. Çdo gjë që ndodh gjatë kësaj periudhe ka ndikim të thellë në zhvillimin e tij të ardhshëm. Identifikimi i hershëm i çdo problemi të mundshëm dhe fillimi i trajtimit janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës. Nëse keni ndonjë dyshim për zhvillimin e fëmijës suaj, konsultohuni me një profesional shëndetësor pa vonuar. Veprimi i shpejtë do të japë rezultate më të mira në të ardhmen. Kuptimi i niveleve të pritshme të zhvillimit dhe shenjave të vonesës mund të bëhet përmes vlerësimit të ndryshueshmërisë së këtyre proceseve nëpërmjet skemave të zhvillimit të fëmijëve.
Një zhvillim i shëndetshëm dhe i përparuar i fëmijës është një prioritet për prindërit, kujdestarët, dhe profesionistët në fushën e shëndetit dhe arsimit. Gjëja më e rëndësishme është që fëmija juaj të kontrollohet herët. Hulumtimet tregojnë se, trajtimi i hershëm mund të bëjë një ndryshim të madh në zhvillimin e fëmijëve.

Çfarë mund ta shkaktojë zhvillim të vonshëm?

Arsyet e zhvillimit të vonuar mund të jenë të shumta dhe përfshijnë:

  • Faktorët gjenetikë, siç është sindromi Down.
  • Problemet gjatë periudhës perinatale, përfshirë lindjen e parakohshme, traumën gjatë lindjes, asfiksimin, dhe infeksionet neonatale.
  • Problemet metabolike të lindura ose që shfaqen më vonë, veçanërisht nga dehidratimi i rëndë.
  • Çrregullimet e shqisave, si mungesa e dëgjimit dhe shikimit që mund të jetë e pranishme që në lindje ose të fitohet më vonë.
  • Çrregullimet e përhapura të zhvillimit, veçanërisht në grupin e autizmit.
  • Problemet me mësimin.
  • Çrregullimi dhe mungesa e vëmendjes dhe hiperaktiviteti.
  • Sëmundjet neurologjike, me ose pa përfshirjen e të meta mendore.
  • Përdorimi i tepërt i teknologjisë.

Pyetje të sugjeruara për shqyrtimin:

  • A keni ndonjë shqetësim për mënyrën se si fëmija juaj sillet, mëson ose zhvillohet?
  • A keni ndonjë shqetësim në lidhje me mënyrën se si ai ose ajo lëviz ose i përdor krahët ose këmbët?
  • A keni ndonjë shqetësim se si fëmija juaj flet dhe kupton atë që thoni?
  • A i pëlqen fëmija juaj të luajë me lodra?
  • A ka ndaluar ndonjëherë fëmija juaj diçka që mund të bënte më parë?
  • A shoqerohet fëmija juaj me fëmijët e tjerë?/natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts