A shkakton vaksinimi autizmin?

Ç’duhet të dini para vaksinimit të fëmijës?

 

Çfarë duhet të dini para vaksinimit të fëmijëve?

 

Si qëndron çështja e prezencës së merkurit Hg në vaksina?

 

Interviste me Dr Ismail Lutolli

 

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

 

Vaksinat janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e trupit tonë, pasi ato janë të projektuara për të nxitur sistemin imunitar në prodhimin e kundërtrupave. Në këtë mënyrë, kur fëmija preket nga bakteret, janë këto kundërtrupa të cilët aktivizohen për ta mbrojtur nga sëmundjet. Por pavarësisht se dihet botërisht rëndësia e vaksinimit, përsëri shumë prindër refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre.

Një ndër temat që ka nxitur debat kohëve të fundit është vaksinimi i fëmijëve. Prindërit janë vërë para një dileme se a duhet apo jo vaksinuar fëmijët? Arsyeja e hezitimit të prindërit për mosvaksinim është frika nga efekti që, sipas tyre, ka vaksinimi në ndalim të zhvillimit psikomotor. Një studim nga mjeku britanez, Andrew Wakefield besoi që kishte zbuluar lidhjen në mes vaksinës MMR dhe autizmit. Me vonë u konstatua se të fëmijët e prekur nga sëmundja e autizmit kishin sasi të madhe mërkuri në trup, u hodhën hipoteza se vaksina që bëhet në moshën 1 vjeç, MMR, është një faktor indikues për sëmundjen e autizmit pasi ka përmbajtje mërkuri.

 

 

Për të ditur më shumë rreth rëndësisë së vaksinimit dhe a shkakton vaksinimi autizmin?

Për këtë çështje zhvilluam një intervistë me pediatrin /hemato-onkologun dr. Ismail Lutollin, i cili punon në Qendrën Klinike Universitare ne Sarajeve.
Doktor Lutolli është gjithashtu dietolog, nutricist dhePhD Candidate pranë Fakultetit të Mjekësisë në Sarajevë.

 

Vaksinimi i fëmijëve, përse kaq kundërthënës?

 

Është e vërtetë se me fillimin e procesit të vaksinimit që nga viti 1955 është bërë një hap i madh në parandalimin e vdekjeve apo epidemive masive që shkaktuan humbjen e jetës së miliona njerëzve në mbarë botën. Disa sëmundje që dikur ishin vdekjeprurëse dhe fatale sot pothuajse janë në zhdukje e sipër falë procesit të vaksinimit, si poliomieliti, difteria, tetanozi, hepatiti B, kolla e mirë, hemofili, pneumokoku, meningokoku, fruthi, shytat, rubeola.
Vaksinimi si proces nënkupton përdorimin e vaksinave apo toksoideve për nxitjen e sistemit imunitar për prodhimin e antitrupave si dhe për nxitjen e përgjigjes imune qelizore, të cilat e mbrojnë atë nga agjenti infektiv. Vaksina është një suspension i mikroorganizmave të zbutur apo të vrarë, ose pjesë antigjenike të tyre.
Sidoqoftë, në tërë këtë panoramë pozitive vlen të përmendim edhe dilemat për vetë procesin. Vaksinimi i fëmijëve sot është bërë temë në vete, e cila ngërthen mjaft debate në rrethet shoqërore dhe ato shkencore.

 

Dr. Lutolli, shumë prindër së fundmi janë duke e vënë në dyshim vaksinimin e fëmijëve prej kur një mjek anglez zbuloi lidhjen në mes vaksinës MMR dhe autizmit apo meningjitit. Cili është komenti i juaj?

 

Së pari duhet të kuptojmë nga ku rrjedh filli i tërë këtij debati, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mjeku britanez, Andrew Wakefield besoi që kishte zbuluar lidhjen në mes vaksinës MMR dhe autizmit, por faktet e mëvonshme e rrëzuan këtë pretendim.
Gastroenterologu britanik, AndreëËakefield me 1998 publikoi në revistën mjekësore “The Lancet”, shkrimin “Ileal-lymphoid hyperplasia, non –specific colitis, and pervasive developmental disorder in children”, që bazohej në konstatimin që vaksina MMR shkakton inflamacionin intestinal dhe për pasojë peptidet, të cilat zakonisht nuk kalojnë në rrymën e gjakut, translokohen dhe me pas mbërrijnë në tru, ku sjellin dëmtime të theksuara që prekin direkt zhvillimin e fëmijës. Me një fjalë sjellin tek ne një sërë çrregullimesh mbi të gjitha autizmin. Studimi u zhvillua në fëmijë me shenja dhe ankesa gastrointestinale tek të cilët endoskopia zbuloi hiperplazi modulare limfoide. Te të gjithë këta fëmijë shfaqen shenjat e autizmit një muaj pas marrjes se vaksinës MMR. Më vonë nga rrethet shkencore ky shkrim u kontestua dhe u hodh poshtë si pretendim i pasaktë për disa arsye.

Në këtë studim nuk ekzistonte grupi i kontrollit për të parë nëse shfaqja e autizmit ishte koincidencë apo kishte shkakun e pretenduar.
Në kohën kur ndodhi studimi rreth 50.000 fëmijë në Angli merrnin vaksinën MMR (fruthit, shytave dhe rubeolës) në moshat 1 deri 2 vjeç dhe duke ditur që prevalenca e autizmit ishte 1 në 2000 fëmijë ishte e pashmangshme që 25 fëmijë në muaj vetëm nga shanci tëdiagnostikoheshin me autizëm pas marrjes së MMR-së.

Shenjat gastrointestinale nuk i paraprijnë autizmit në shumicën e fëmijëve dhe kjo bie në kundërshtim me nocionin që pretendohej në studim, ku inflamacioni intestinal lehtësonte invazionin e gjakut dhe peptideve drejtë SNQ-së.
Peptidet encefalopatike të akuzuara që udhëtojnë nga zorrët drejt trurit nuk kanë arritur qëtë identifikohen asnjëherë.

Me vonë u bënë edhe një sërë studimesh që nuk arritën të mbështesin lidhjen në mes MMR vaksinës dhe autizmit.
P.sh. në Kanada u pa se shifrat e autizmit u rritën, të cilat koincidonin me uljen e numrit të të vaksinuarëve kundër MMR. Në fakt, do tëduhej të ndodhte e kundërta nëse do të mbështeteshim nëpretendimin e mjekut anglez.

Sipas një studim në Londër, në 473 fëmijëve autikë nga autorët përkatës nuk u panë ndryshime në prevalencë të shenjave gastrointestinale midis fëmijëve autikë dhe të vaksinuarve dhe atyre të pavaksinuar.

 

 

Po ashtu janë bërë edhe studime retrospektive në Danimarkë, Finlandë, dhe SHBA që u theksuan më lart dhe nuk është gjetur diferenca në mes fëmijëve autikë të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar përsa i përket moshës dhe rrezikut për shfaqjen e autizmit.

Studime të rëndësishme prospektive u kryen në Finlandë ku kërkuesit regjistronin reaksionet anësore të lidhura me MMR. Nga 31 shenja gastrointestinale që ishin identifikuar tek këta fëmijë asnjë prej këtyre fëmijëve nuk rezultoi me autizëm.
Sipas një studimi që është bërë në prill të 2015-ës, JAMA konstaton se aplikimi i vaksinës MMR nuk ishte i lidhur me rrezikun për autizëm (ASD) pavarësisht nëse vëllai apo motra kishin ASD.

 

Sidoqoftë kemi disa vendime gjyqësore siç është vendimi i gjykatës në Milano të Italisë, e cila njeh si shkak të autizmit vaksinimin. Ç’mendim keni ju për këtë?

 

Përkundër shumë studimeve që hedhën poshtë këtë pretendim, në shumë vende europiane e me gjerë vazhdojnë gjyqet e ndryshme. Në disa raste edhe me vendime që shkojnë në favor të lidhjes së vaksinimit me shfaqjen e autizmit.I tillë është edhe vendimi i gjykatës në Milano, e cila detyron Ministrinë e Shëndetësisë t’i paguajë çdo dy muaj fëmijëve falas kontrollet për tërë jetën pasi nxori si përfundim pasojat e vaksinimit dhe gjendjen aktuale të fëmijëve.

 

Përse tërë këto procese gjyqësore, cili është qëllimi?

 

Nuk ka dyshim që në betejën apo kampanjën kundër vaksinimit gjen shumë prindër që besojnë saktësisht që fëmija i tyre ka ngelur i handikapuar apo me autizëm nga vaksinimi. Por gjithashtu është e vërtetë që me dhjetra avokatë e kompani sigurimesh bëjnë betejë të vazhdueshme për të përfituar gjyqin, i cili nëse lidh autizmin me vaksinimin, për këta fëmijë do të ketë pension të përjetshëm e një sërë privilegjesh të tjera pasi janë dëmtuar nga sistemi shëndetësor kombëtar.
Mirë do ishte që këtyre fëmijëve vërtetë t’u ndahej pension i përjetshëm dhe përkujdesje e veçantë nga institucionet shtetërore, por pa patur nevojë që të ndërlidhej kjo me vaksinimin nëse për këtë nuk ka fakte, pasi kjo do të ndikonte te shumë prindër të tjerë të heqin dorë nga vaksinimi. Pra këtu e tani nuk kemi të bëjmë vetëm me shëndetësi, por edhe me faktorët ligjorë, ekonomikë e socialë.

 

A besoni në teoritë që “vetëm” vaksinimi ka rolin kryesor në sëmundjen e autizmit?

 

Mendoj se çdo pretendim që autizmin e ndërlidh vetëm me vaksinimin është jo i saktë dhe jo korrekt. Ka synime që të ndërlidhin vetëm me aspektin gjenetik apo vetëm me aspekte të tjera të ngjashme.
Dikur autizmi ishte 1 në 10.000 persona, sot është 1 në 130. Diçka serioze dhe alarmante është duke ndodhur. Asnjëherë nuk ka ekzistuar epidemi gjenetike.
Sot kemi rënie të kurbës së vaksinimit dhe nëse vaksinimi do ishte shkaku kryesor do të duhej të kishim edhe rënie të kurbës së shfaqjes së rasteve me autizëm, por po ndodh e kundërta, pra kemi shpeshtim drastik të rasteve me autizëm.
Ngelet që në vitet në vijim të bëhen studime shkencore dhe të analizohen ndërlidhja e autizmit, sëmundjet malinje, astma, arthritisi e disa sëmundje të tjera në rritje, me të gjithë faktorët që në na rrethojnë. Në rend të parë duke filluar nga ushqimi si faktori më i rëndësishëm, pastaj mënyra e jetesës, ekspozimi ndaj faktorëve kancerogjenë, vaksinimi, përdorimin i panevojshëm i antibiotikëve, etj.

 

Si qëndron çështja e prezencës së merkurit Hg në vaksina?

 

Ka shumë kontradikta, por edhe të vërteta rreth prezencës së merkurit në vaksina. Në vitin 2000 pas shumë presioneve në kompanitë farmaceutike u arrit që kjo substancë të largohet nga përdorimi.
Ka mundësi reale që kjo substancë të ketë pasur mundësi të shkaktonte dëmtime në sistemin nervor të të vaksinuarve. Dëmet që mund të jenë shkaktuar nga shumë vite përdorimi mendoj që duhet të jenë objekt studimi nga grupet shkencore të kyçura në këto studime rreth sigurisë së vaksinave.

 

Sa janë të informuar prindërit në lidhje me vaksinimin e fëmijëve?

 

Janë të paktë prindërit që kanë njohuri të mjaftueshme përkitazi me vaksinimin. Mendoj që informimi i prindërve për vaksinimin kalon më shumë nga lajmet sensacionale dhe kundër vaksinimit. Vetëm sot lexova dy artikuj ku kishte vendime gjykate në Itali dhe në një vend tjetër europian që e konfirmonin si shkaktare të mundshëm të sëmundjes së autizmit të një fëmije vaksinën MMR.
I tërë rrëfimi fillon nga frika dhe ndodhitë që kanë lexuar apo parë në internet me pasojat e ndodhura pas vaksinimit. Organet shëndetësore kompetente që do tëduhej të jepnin informacione nuk janë duke e kryer punën e tyre gjithashtu edhe shumë mjekë kanë filluar një hezitim të hapur kur është në pyetje vaksinimi.

 

Cilat janë shqetësimet më të mëdha që kanë prindërit në lidhje me vaksinimin?

 

Shqetësimet me të mëdha janë rreth pasojave të vaksinimit. Shumë rrallë ndonjë nga prindërit pyet për anët pozitive. Thjesht ata janë të frikësuar nga pasojat e vaksinimit. Kësaj frike i shërbejnë edhe lajmet sensacionale si: “vaksina shkakton autizëm”, “u gjet lidhja në mes vaksinimit dhe autizmit”, “vaksinimi shkakton sterilitet”,etj.
Në tërë debatin e zhvilluar mendoj se e drejtë do tëishte të bëhej një pyetje logjike: Është më e madhe dobia nga vaksinimi apo rreziqet që bartë mosvaksinimi?
Mendimi im është se dobitë e vaksinave i kapërcejnë shumë herë rreziqet nga efektet e padëshiruara që vetë vaksinat i bartin.
Ka raste të shumta kur njerëzit janë prekur mu nga ato sëmundje kundër të cilave në fakt ata janë vaksinuar?
Vaksinimi nuk garanton që të vaksinuarit nuk do t ëpreken fare nga sëmundja. Përmes vaksinimit kalimi i sëmundjes do jetë shumë më i lehtë dhe presupozohet pa pasoja për shëndetin. Simptomat do jenë shumë më të lehta.

 

A kanë të gjitha vaksinat mbrojtje të njëjtë apo varet nga llojet e vaksinave?

 

Të gjitha vaksinat kanë për qëllim t’i japin mbrojtje organizmit nga infeksionete caktuara. Pra, në princip vaksinat janë të njëjta sa i përket mekanizmit, por për sëmundje të ndryshme.
A është e obliguar marrja e vaksinës dhe pse duhet marrë?
Në shumicën e vendeve europiane, si në Austri, Zvicër, Kanada, Suedia etj. e me gjerë, vaksinimi nuk është i detyruar me ligjdhe mendoj që një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe tek ne. Por ka edhe vende të tjera të afërta me ne si Kroacia, Serbia ku vaksinimi është i obliguar ligjërisht.

 

Kur nuk duhet dhënë vaksinat?

 

Ka pak raste kur nuk preferohet vaksinimi si p.sh në të gjitha rastet kur ekziston alergji e vërtetuar ndaj përbërësve të vaksinës.
Vaksina kundër rubeolës nuk guxon të merret nga fëmijët të cilët kanë alergji ndaj neomicinës ose janë duke marrë kortikosteroide.
Vaksina nuk duhet të merret në gjendjet gripoze kur fëmijët kanë temperaturë dhe shenja të inflamacionit. Shpeshherë ky lëshim sjell edhe komplikime.
Është më mirë të rikthehet fëmija në kontroll, nëse ekzistojnë shenja tëinflamacionit sesa të jepet vaksina në këtë gjendje.
Kundërindikacion për vaksinim kemi edhe atëherë kur kemi të bëjmë me komprometim të lindur të sistemit imunitar.
Një pediatër i kujdesshëm e zbulon me kohë që tek fëmija diçka nuk ështënë rregull dhe s’do ketë nevojë qëtë vije fare të komplikimet për shkak të vaksinimit. Dikur nuk vaksinoheshin fëmijët me sëmundje si epilepsi, astmë, bronkit, por tani të gjithë këta vaksinohen.
Gjatë trajnimit tim në fushën hemato-onkologjike në repartin e transplantëve të palcës kockore, por edhe tëtransplantëve tjera në Itali, Turqi por edhe në vende tjera, kam konstatuar se edhe në raste transplanti pas një periudhe 1 – 2 vjeçare pacientëve ju preferohet vaksinimi.

 

Ka raste kur të moshuarit përkundër faktit që vaksinohen kundër gripit, ata sërish sëmuren. A ekziston mundësia që ato të mos jenë efektive?

 

Personalisht nuk mendoj se vaksina e gripit sjell ndonjë efekt të theksuar në mbrojtje tek të moshuarit. Gripi merr shumë jetë, por vdekjet vijnë si pasojë e imunitetit të dobësuar, e cila sjellë komplikacionet tjera.
E gjithë kjo gjendje mund të parandalohet me një mjekim të kujdesshëm, kushte të mira higjeno-dietetike dhe ushqim cilësor e të pasur me vlera ushqyese e vitamina.
E tërë kampanja për vaksinën e gripit mendoj që është e sforcuar dhe e panevojshme. Mbase raste të veçanta mund të marrin si preventive por shumica e popullsisë nuk ka nevojë për vaksinim masiv me vaksinën e gripit.
Popullata ka nevojë për masa të shtuara higjeno- dietetale gjatë sezonës se gripit.

 

Le të supozojmë se dikush vendos që të mos vaksinohet. Si do të mbrohet ai/ajo nga fruthi, hepatiti etj.,?

 

Mosvaksinimi sjell rreziqe të mëdha në shëndetin e fëmijës në disa raste dëme të theksuara apo të përhershme. Më lejoni të përmend shkurtazi disa nga sëmundjet kryesore:

1. Poliomieliti – Paraliza infantile, është një sëmundje ngjitëse e pashërueshme që prek fëmijët me të vegjël se pesë vjeç dhe shkakton paralizë të përkohshme ose totale duke përfshirë dhe vdekjen. Poliomieliti është penguar me sukses nga vaksinimi.

2. Tuberkulozi – sëmundje infektive shkaktohet nga Mycobacterium tuberculosis. Me vaksinë vije deri të parandalimi. Fëmijët e pavaksinuar kanë mundësi të mëdha për komplikime dhe domosdoshmëri për trajtime të gjata mjekësore. Gjatë punës sime të përditshme kam parë pacientë të tillë dhe është për keqardhje të shikosh mundimet e vuajtjet nëpër të cilat kalojnë e që të gjitha nuk do ishin të nevojshme sikur të behej vaksinimi me kohë.

3. Difteria – kjo toksinë shkakton inflamacion të muskujve të zemrës dhe sistemit nervor në paralizë të përkohshme. Parandalimin specifik bëhet përmes vaksinimit.

4. Tetanozi është një sëmundje serioze e baktereve që shkaktojnë toksina Clostradium tetani. Infeksioni ndodh zakonisht nëpërmjet një plagetëthikës, në aksidentet e trafikut ose tëluftës. Toksina shkakton spazmëtë muskujve që gradualisht rritet me ngurtësi të plotë. Spazma përfshin shpejt të gjithë muskujt. Komplikimet më të zakonshme janë spazma të glottis me asfiksi dhe thyerje rruaza të shtyllës kurrizore. Në formë të rëndë të sëmundjes pacientët përfundojnë brenda 10 ditësh. Parandalimi i veçantë është vaksinimi kundër tetanosit.

Të theksojmë edhe sëmundjet tjera si: kolla, fruthi, rubeola të cilat mund të kenë komplikime serioze mjekësore ose përfundime fatale në rast tëmosvaksinimit.

 

Mund të merrni ndonjë shembull?

 

Të marrim vetëm një shembull: gruaja e cila planifikon shtatëzaniduhet të jetë e vaksinuar kundër rubeolës ose nëse nuk është e vaksinuar duhet të marrë vaksinën së paku tre muaj para shtatzanisë në mënyrë që të ketë kohë organizmi për zhvillimin e imunitetit.
Nëse gruaja nuk është e vaksinuar dhe sëmurët gjatë tre mujorit të parë të shtatzanisë me rubeola, atëherë gjasat janë shumë të mëdha që ajo të abortojë ose nëse kjo nuk ndodh, atëherë fëmija, ka gjasa shumë të mëdha që tëlindë me anomali të shprehura kongjenitale. Pra, mosvaksinimi ka kosto fatale për nënën dhe fëmijën.

 

A besoni se njerëzit duhet të lejohen të zgjedhin vetë nëse ata duan të vaksinohen?

 

Është e drejtë e prindërve të vendosin për fëmijët dhe e drejtë e personave me moshë madhore të vendosin për veten e tyre. Nuk mendoj që është e nevojshme me ligj të sanksionohet domosdoshmëria e vaksinimit të fëmijëve. Duke ditur se në botë sot ka mjaft debat pro dhe kundra, sanksionimi eventual do tëishte me pasoja. Ka shumë prindër që do tëfokusonin të tërë energjinë për t’u mbrojtur nga ky vendim dhe pa dyshim do tëgjenin përkrahjen e mjaftueshme nga grupet që janë kundër vaksinimit, të cilat sot janë mjaft të organizuara duke filluar nga rrjetet sociale e deri të organizimet institucionale.

Nëse unë si mjek nuk arrij t’i bindi prindërit për dobinë e vaksinimit apo procedurave tjera në mjekësi, këtë nuk do ta arrijë as sanksionimi me ligj. Në nivelin shkencor, njerëzit kanë nevojë për informacion të saktë, korrekt në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe me të besueshme për fëmijët e tyre.
Nuk është e lehtë për një mjek,i cili fëmijët e tij i ka të pavaksinuar, të provojë t’i bind prindërit e tjerë për vaksinimin. Këtu lind një pyetje domethënëse, a thua sa mjekë të tillë punojnë sot në institucionet shëndetësore?

 

Ka historianë mjekësorë që pohojnë se rënia e përgjithshme e sëmundjeve nuk ishte për shkak të vaksinave. Cili është komenti juaj?

 

Konstatim pjesërisht i drejtë. Rënia e përgjithshme e sëmundjeve që dikur shfaqeshin në formë të epidemive dhe merrnin miliona jetë, disa nga to janë pothuajse në zhdukje,e kjo është meritë e vaksinimit. Sidoqoftë përpos vaksinimit këtu duhet përmendur edhe faktorët e tjerë që kanë ndikim direkt si: përmirësimi i kushteve të jetesës, pastërtia, diagnostikimi i avancuar, mjekimi korrekt, etj. Kjo është njëra anë e medaljes.Ana tjetër tregon rritjene incidencës së sëmundjevetëtjera si: sëmundjet malinje, diabeti, astma, autizmi, etj.

 

A janë disa nga vaksinat më të rrezikshme se të tjerat?

 

Mund të jenë për shembull: MMR vaksina (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) dhe DTP vaksina (diphtheria, tetanus, dhe pertussis). Esenca qëndron më shumë te reagimi i sistemit imunitar të njeriut karshi vaksinave.
A ka një interes të fshehtë të kompanive farmaceutike për të mbështetur fushatën e vaksinimit?
Nuk ka interes të fshehtë, por është interes i hapur dhe publik. Kompanitë farmaceutike punojnë në bazë të aktivitetit të tyre ekonomik në prodhim dhe shitje të vaksinave. Sidoqoftë është fjala e ekspertëve mjekësorë që janë të punësuar apo që kanë bashkëpunim më të ngushtë të dëshmojnë pa reshtur për sigurinë e vaksinave.

 

Me të drejtë lind pyetja a ka sforcim të theksuar me vaksinën e gripit të zakonshëm, pastaj të shpezëve, tëderrit, etj?

 

Pa dyshim që po. Në punën time të përditshme kam pasur disa raste ku pacientët që kanë kaluar gripin e zakonshëm, por edhe raste me gripin e derrave dhe s’kanë pasur asnjë pasojë të veçantë. Mbase ca raste vetëm pasi kanë realizuar analiza shtesë pacientët e kanë kuptuar që kanë kaluar sëmundjen e gripit të derrave.
Mendojë që ketë sforcim me shumë e trumpetojnë gazetat apo mediat e caktuara me tituj sensacional si: “edhe një vdekje nga gripi i derrave” dhe kur e lexon më detajisht e kupton se është fjala për një 85 vjeçar, i cili ka pasur problem kardio-respiratore në 10 vitet e fundit.

 

Për të përkufizuar:

* Dobitë e vaksinave i kapërcejnë shumë herë rreziqet nga efektet e padëshiruara që vetë vaksinat bartin.

* Çrregullimet e rënda pas vaksinimit janë të rralla, por të mundshme. Kujdes të madh duhet patur para vaksinimit që fëmija të jetë me shëndet të plotë.

* Vaksina e gripit nuk është e domosdoshme për fëmijët e as të rriturit përpos në raste të veçanta. Gripi është një sëmundje që i tregon organizmit nevojën për pak pushim dhe që kalon pa ndonjë pasojë nëse kujdesi shëndetësor është si duhet.

* Ne sot shikojmë me dyshim vaksinimin dhe e ndërlidhim me shumë sëmundje, por sikur harrojmë që në tryezën tonë kemi përditë ushqime me përmbajtje të substancave kancerogjene, ushqime larg çdo vlere ushqyese normale. Kimikate të rrezikshme gjenden edhe në lëndët që ne përdorim në shtëpitë tona. Harrojmë që kemi aparatet për përgatitje të ushqimeve që janë kancerogjene. Harrojmë që shumë gjera që në konsumojmë dhe i blejmë të gatshme gjithashtu kanë përmbajtje të substancave kancerogjene. Ne harrojmë se edhe një pjesë e lodrave që fëmijët tanë luajnë apo veshjet e tyre kanë substanca kancerogjene. Ne harrojmë se përballë banimeve ku ne jetojmë jemi të ekspozuar ndaj toksinave në ajër, ushqim, ujë, toksina këto që ndikojnë në sistemin imunitar.

* Shumë prindër dhe personel mjekësor si brengë kryesore e kanë vaksinimin,por nuk brengosen fare ose harrojnë për dëmet shëndetësore që i sjellin fëmijëve duke përdorë antibiotikë pa asnjë kriter. Përdorimi i panevojshëm dhe i pakontrolluar i antibiotikëve ndikon në shfaqjen e rezistencës kundër antibiotikëve që do jetë me pasoja shumë të mëdha në shëndetin e këtyre fëmijëve në të ardhmen.

 

Të gjithë ne dimë se si të hamë, por një numër i vogël prej neve e di sesi të ushqehen shëndetshëm .
Ushqimet duhet të jenë ilaçet tuaja, thoshte dikur Hipokrati, dhe kishte plotësisht të drejtë./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts