Pyetje:
Përshëndetje!
Kohëve të fundit kam filluar të kem dhimbje dhe ngurtësim të qafës dhe të dorës së djathtë sidomos kur zgjohem në mëngjes. Shpesh kam edhe kokëdhimbje dhe marramendje. Ortopedi më ka thënë që kam spondilozë dhe se duhet të trajtohem me fizioterapi. A ka sukses fizioterapia në këto raste?
Përgjigje:
Përshëndetje!
Spondiloza është një gjendje degjenerative që mund të prekë cilindo nga disqet intervertebrale dhe nyjet facete të shtyllës kurrizore duke reduktuar hapësirën midis trupave vertebralë dhe duke penguar lëvizjen normale të nyjeve facete. Nëse ju keni spondilozë të qafës, është e rëndësishme që së pari të bëhet ekzaminimi fizioterapeutik në mënyrë që të hartohet një planprogram adekuat i trajtimit. Metodat jo-kirurgjikale apo konservative siç është terapia fizikale është treguar efektive në përmirësimin e funksionit dhe lëvizshmërisë,duke reduktuar dhimbjen dhe lehtësuar dukshëm simptomat, në ,ëmyrë që pacienti t’i kthehet aktiviteteve të përditshme jetësore. Suksesi i fizioterapisë gjithashtu varet nga angazhimi i pacientit për të ndjekur programin e rekomanduar të ushtrimeve dhe udhëzimeve për mbajtjen e posturës dhe teknikat e ndryshme për të minimizuar stresin mbi shtyllën kurrizore. Terapia fizikale është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të spondilozës, dhe shpesh është më e efektshme kur kombinohet me trajtim medikamentoz ose ndërhyrje kirurgjikale nëse është e nevojshme. Kombinimi i ushtrimeve me teknikat e tjera të fizioterapisë, si terapia manuale dhe përdorimi i termoterapisë, elektroterapisë etj, ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes. Konsultimi me një fizioterapeut dhe ndjekja e një plani të individualizuar,natyrisht se është thelbësore për të arritur rezultatet më të mira.
Jeta Kastrati – fizioterapiste./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”