Shkruan: Dr Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog- Nutricionist
Si t’i parandalojmë dhe lehtësojmë simptomat?
Cilat ndryshime duhet bërë në shtëpitë tona?
A rrezikojnë ngulfatjen fëmijët alergjik në polen?
A është i domosdoshëm vaksinimi dhe kur duhet bërë?
Alergjitë prekin rreth 25 % të njerëzve gjatë gjithë jetës së tyre. Ka shumë shkaqe të ndryshme të alergjisë dhe simptomat ndryshojnë nga me të lehtat, si gjendje gripoze, e deri në potencialisht kërcënuese për jetën. Për shumicën e formave të alergjisë, ekzistojnë dhe njihen mundësi të zbutjes së simptomave, parandalimi efektiv, e deri te trajtimi definitiv.
Alergjia në polen, është një alergji sezonale e rrugëve të frymëmarrjes, e cila mund të shfaqet në muaj të ndryshëm gjatë vitit por është më e theksuar gjatë pranverës.
Lojërat e shumta e vrapimet që fëmijët zhvillojnë në natyrë me ardhjen e pranverës, ndikojnë që të jenë në kontakt me alergjen të ndryshëm.
Ne jemi mësuar me faktin që koha e alergjisë në polen, është sezoni i pranverës, por alergjia në polen mund të lajmërohet edhe në sezone tjera. Sezoni madhor i alergjisë në polen është prilli, maji dhe qershori (polenet e barishteve dhe drithnajave etj).
Alergjitë e rrugëve të frymëmarrjes, përfshirë këtu edhe alergjinë në pelenë, janë sëmundje të trashëguara që përcillen brenda familjes nga një gjeneratë në tjetrën.
Fillimi i sëmundjes nuk ka simptoma të theksuara dhe shpesh përcillet si një ftohje apo gjendjen gripoze. Me kalimin e kohës, simptomet bëhen gjithnjë e më të theksuara dhe shenjat klinike më dominuese duke përfshirë edhe kriza respiracioni.
Cilat janë simptomat më të theksuara të alergjisë në polen?
Simptomat kryesore të alergjisë në polen janë:
- lotimi i syve, skuqja dhe kruarja e syve,
- teshtimat e shpeshta, kruarja e hundës me ose pa rrjedhje të hundës,
- lodhje, molisje, në disa raste edhe marramendje,
- bllokimi i hundës e në disa raste rrjedhje sekrecioni,
- shumë shpesh problemet me frymëmarrje, të cilat mund të avancojnë deri në obstruksione të shprehura.
Në disa raste, sidomos në fillim kemi vetëm shenja të një gjendje gripoze, pra nuk është e thënë të jenë prezentë të gjitha simptomat e përmendura më sipër.
A ka nevojë të bëhen provat e alergjisë në lëkurë?
Hapi i parë për identifikimin e shkaktarëve të alergjisë, nga alergjenët e ndryshëm, është realizimi i provave të alergjisë në lëkurë.
Testimi i lëkurës, është një procedurë e domosdoshme për të konfirmuar sensibilizimin në sëmundjen alergjike të ndërmjetësuar nga IgE, kryesisht në pacientët me rinokonjunktivit, astma, urtikaria, anafilaksi, ekzemë atopike dhe alergjitë ushqimore si dhe medikamentoze.
Si t’i lehtësoni simptomat?
- Fytyrën dhe duart ti pastroni sa më shpesh.
Provoni që pas çdo loje që fëmijët zhvillojnë në ambient të hapur, në gjelbërime të ndryshme dhe ku janë në kontakt me lulet gjegjësisht polenin, pas lojës patjetër të bëjnë pastrimin e plotë të fytyrës dhe të duarve pasi alergjenët janë prezent në lëkurën e tyre.
- Pasi të hyjnë në shtëpi, gjithmonë ndërroni rrobat tuaja dhe te fëmijëve me të cilat kanë lozur jashtë.
- Realizoni pastrim të plotë (dush ) për çdo ditë gjatë sezonit të alergjisë, në mënyrë që të evitojmë edhe polenin e ngelur në flokët apo pjesët tjera të trupit të fëmijëve. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë alergjenët do të përfundojnë në jastëkun e fëmijëve dhe të nesërmen simptomat do të jenë shumë më të shprehura.
- Kufizoni uljen ne bari gjatë kësaj kohe dhe sidomos kontaktin e tepruar me lulet.
- Për të shmangur alergjinë sezonale duhet të ndiqni kalendarin e polenizimit, kur janë përqendrimet më të larta polen.
- Gjatë kësaj kohe, dritaret në apartamente dhe makina mbahen të mbyllura. Është e dëshirueshme të përdoren kondicionerët dhe rregullisht të ndërrojmë filtrat.
- Shmangni qëndrimin në natyrë me një fëmijë gjatë përqendrimit më të madh të polenave.
- Duhet të shmangni daljen gjatë pikut maksimal të temperaturës gjatë ditës (ora 11,30 deri 16,30), sepse atëherë polenet janë më prezente.
- Gjatë ditëve kur kemi erë të fuqishme dhe të thatë, zvogëlojeni në maksimum ecjen në natyrë.
- Reduktoni përqendrimin e alergeneve në vendbanimet tuaja, duhet të hiqen artikuj tekstili (kafshë pellushi), qilima, perdet.
- Merrni dyshek dhe jastëkët antialergjike dhe mbështjellësi i krevatit duhet të jetë nga liri dhe që mund të pastrohet në temperaturë mbi 60 ° C.
- Dhomat duhet të pastrohen dhe të fshihet sipërfaqja me një leckë të lagur.
13. Fshesa e pastrimit gjithashtu duhet të jetë nga ato me ujë dhe e përshtatshme për të mos transmetuar pluhurin duke punuar. - Duhet evituar disa ushqime të cilat kanë alergji të kryqëzuar me alergjitë në polene.
- Duhet kuptuar se trajtimi i sëmundjeve alergjike është një proces afatgjatë, kontrolli i rregullt mjekësor dhe bashkëpunimi i pediatërve të alergologëve, psikologëve dhe infermierëve. Nëse sot nuk keni shenja, duhet vazhduar më këshillat pasi mungesa e shenjave të theksuara nuk do te thotë edhe mungesë e vetë procesit të alergjisë.
- Nëse masat e mësipërme megjithatë nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, atëherë aplikohen barërat antihistaminikët, dekogjestivët kortikosteroidet.
- Antihistaminikët (desloratadinet) janë linja e parë, kortikosteroidet përdoren në forma më të rënda të sëmundjes dhe kur përdorimi i antihistaminës nuk ka eliminuar plotësisht simptomat e sëmundjes.
- Aplikimi i dekongjestivëve ka rëndësi pasi përmirësojnë oksigjenimin dhe zvogëlojnë sekretimin e ujit nga hunda. Terapia duhet të përdoret gjatë sezonit të alergjisë në polen dhe kohëzgjatja e përdorimit varet nga simptomat që ka pacienti. Rekomandohet që terapia të zvogëlohet me kalimin e simptomave deri në ndalimin e plotë të saj.
- Kortikosteroid spray në doza të vogla, largojnë kruarjet, kongjestionin e hundës, pa shkaktuar marramendje.Kur ka mundesi te behet zgjidhja me hapat e mësipërm duhet evituar përdorimin e kortikosteroideve.
- Specialisti alergolog mund të rekomandoj vaksinimin për alergjinë ose Imunoterapinë Specifike, për kontrollimin sa më të mirë të sëmundjeve alergjike si rhinit, asthma, anafilaksia nga insektet. Kjo terapi konsiston në dhënien e sasive të vogla të polenit në të cilin është alergjik pacienti dhe duke vazhduar me rritje të tij deri në masën e përcaktuar. Kjo terapi ndihmon në prevenimin e kalimit të alergjisë në polen, në drejtim të astmës bronkiale. Injeksione alergjike administrohen nën mbikëqyrjen e mjekut. Ato jepen si pjesë e trajtimit të alergjisë, zakonisht bashkangjitur gjithë masave të tjera si shmangia e alergeneve kur është e mundur apo evitimi i disa medikamenteve që ndikojnë në përkeqësimin e simptomave.
- Ushqim dietologjik i veçantë gjatë kohës së alergjisë në mënyrë që të vije deri te lehtësimi i simptomave të përmendura./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”