Le të themi se fëmija juaj po luan në park, ju jeni afër, por jo pranë tij. Një vogëlush zihet me fëmijën tuaj dhe më pas prindi i atij fëmije ose një i rritur tjetër qorton fëmijën tuaj. Ose, ndoshta jeni duke vizituar një të afërm, fëmija juaj po luan në dhomë me kushëririn e tij të vogël dhe një nga të rriturit e qorton. Si do të reagonit?
Nga çfarë varet reagimi?
Kur një i rritur qorton një fëmijë, reagimi i parë i prindërve është zemërimi dhe arsyeja për këtë është ndjenja se dikush po vë në dyshim prindërimin dhe mënyrën se si e edukojnë fëmijën.
Gjithashtu, reagimi varet nga fakti nëse ai person e ka qortuar fëmijën tuaj me qetësi dhe fjalë të zgjedhura apo e ka bërë me të bërtitura dhe fjalë të këqija.
Sigurisht, duhet të kemi parasysh se përse ky person e qorton fëmijën tuaj – a ka bërë fëmija diçka vërtet të keqe apo thjesht ka bërë diçka që e shqetësoi atë?
Çfarë duhet të bëni kur dikush qorton fëmijën tuaj
Ja çfarë është e rëndësishme të dini se si të reagoni kur gjendeni në situata të tilla:
Është e pamundur të thuash se si është e drejtë të reagosh sepse varet nga situata – kush e qorton fëmijën, por edhe cili është personaliteti i prindërve.
Duhet të jetë e qartë se kur bëhet fjalë për qortimin e fëmijëve, vetëm prindërit e bëjnë këtë dhe vetëm ata kanë të drejtë të vendosin se kujt tjetër i lejohet ta bëjë këtë.
Nëse një i rritur qorton fëmijën tuaj dhe ju nuk jeni dakord me të, nuk duhet ta tregoni hapur zemërimin tuaj. Prindërit janë një model për fëmijët, ndaj duhet të shmangni shfaqjen e agresivitetit para fëmijës tuaj, por ai duhet të mësojë se ka mënyra të tjera për të zgjidhur konfliktin. Me fjalë të tjera, është e rëndësishme të mësoni fëmijën tuaj që të mos i përgjigjet sjelljes së keqe me sjellje të keqe.
Nëse i rrituri që qorton fëmijën, për shembull, është një i afërm dhe ju nuk doni ta kundërshtoni atë para fëmijës, alternativa më e mirë është të flisni veçmas dhe të shprehni pakënaqësinë tuaj. Më pas bisedoni me fëmijën në mënyrë që ai të kuptojë se çfarë ndodhi dhe pse e qortuan./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”