Pyetje:
Përshëndëtje!
Fëmija është 2vjeç, kupton gjithçka por nuk flet, ju lutem si mund ta ndihmojë që të filloj të flas?
Përgjigje:
Përshëndetje!
Pra nëse mendoni që fëmija juaj kupton gjithqka atëherë ajo përfshin ndjekjen e udhëzimeve, i përgjigjet emrit të tij, komunikon dëshirat e tij pa folur, fëmija përdor gjeste, ndjek shikimin tuaj. Është shumë pozitive që fëmija ka zhvilluar gjuhën receptive, në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një vonesë të të folurit.
Ndonjëherë fëmijët e vegjël kanë nevojë për ndihmë shtesë për të zhvilluar aftësitë e tyre të të folurit dhe gjuhës.
Pikat e komunikimit ndërtohen mbi njëri-tjetrin me kalimin e kohës, njësoj si një shkallë. Dhe kur fëmijët nuk arrijnë momente të rëndësishme të komunikimit në kohën e zakonshme, ata shpesh janë në rrezik të mbeten prapa.
Sa më herët të mund të ndërhyni, aq më shpejt fëmija juaj do të përparojë. Nëse fëmija juaj nuk po i përmbush pikat e duhura të moshës ose nuk duket se po flet aq shumë sa fëmijët e tjerë të vegjël, mos u frikësoni! Ajo që është e rëndësishme është që të flisni me pediatrin tuaj dhe një logoped.
Logopedi mund të kryejë një vlerësim për të parë nëse fëmija juaj kualifikohet për terapi të të folurit . Ju gjatë kësaj kohe mund të filloni të stimuloni fëmijën tuaj:
-Mos i paraprini nevojave dhe dëshirave të fëmijës edhe kur e kuptoni se çka po don, vendosjani gjërat më lartë dhe jepni kohë që ai të provoj të komunikoj.
-Ofroni modelin gjuhësor, vendosni objektet afër fytyrës tuaj dhe emërtoni ato.
-Luani me fëmijën tuaj me gjërat që ai shfaq interesim duke e bërë më atraktive, luani me intonacionin e zërit tuaj.
-Përdorni fjalë sa më thjeshta. -Lexojini libra, këndoni.
-Sa më larg teknologjisë!
Logopede, Egzona Maloku. /natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”