Shkruan: Dr Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog-Nutricionist
A mund të jetë nëna “fajtori kryesor” në tërë këtë proces?
Pas lindjes së fëmijës zakonisht ritmi i gjumit shpesh rrënohet, ndërsa me qarjen e fëmijës zvogëlohet mundësia që gruaja të flejë disa orë pa u zgjuar.
Gjumi i qetë dhe i rehatshëm është i nevojshëm për secilën grua që ka sjellur në jetë një fëmijë, sepse para saj është një periudhë plot me sfida dhe brenga.
Një ndër shqetësimet më të mëdha te një nënë që ka sjellur një fëmijë në jetë, është pagjumësia e fëmijës natën. Zgjimi i fëmijës natën, shpeshherë shndërrohet në një makth të vërtetë.
Konsumimi i kafes, çajit dhe pijeve joalkoolike por edhe çokolatave, rritë nivelin e stimuluesve në gjak dhe tërë kjo përcillet përmes gjidhënjes te fëmija juaj.
Pas gjidhënjes foshnja juaj mund të ndihet e shqetësuar apo jo e rehatshme, dhe e tërë kjo do të reflektojë gjatë natës me zgjimin e shpeshtë apo të qëndruarit zgjuar pothuajse tërë natën.
Nënat që janë gjidhënese duhet të zvogëlojnë në minimum marrjen e kafeinës për të mos thënë nuk duhet të konsumojnë fare.
Sa filxhanë kafe në ditë mund të mos e pengojnë një nënë gjidhënëse dhe foshnjën e saj?
Një fëmijë i porsalindur ka probleme të theksuara në disa nga javët e para. Do të ishte mirë që çdo nënë gjidhënëse të evitojë tërësisht marrjen e kafeinës së paku në tre katër muajt e parë.
Nëse kjo është e pamundur, atëherë zvogëlojeni pirjen e kafesë në minimumin e mundshëm, që nënkupton në dy apo një filxhan kafe në ditë.
Disa foshnje kanë një tolerancë më të madhe ndaj kafeinës që nëna merr përmes kafesë, por një numër foshnjash mund të reagojnë edhe një filxhan kafe. Kjo pothuajse është pak a shumë e ngjashme me të rriturit. Tek disa ndikon një filxhan kafe dhe ngelet pa gjumë, e tek të tjerët vetëm pas pirjes së disa filxhanëve.
E mira do të ishte të evitoni tërësisht ose të zvogëloni në minimum.
Cila është sasia që merret si e tepruar?
Nga praktikat e njohura nuk preferohet më shumë sesa 250 deri në 300 mg kafeinë që i bie rreth dy filxhanë në ditë. Pra, ky është kufiri të cilin një nënë gjidhënëse nuk duhet ta kalojë kurrsesi.
Një nënë e stresuar kur foshnja zgjohet gjate natës, shpeshherë ngushëllimin e gjen duke pirë një filxhan kafe dhe kjo e thellon problemin edhe më shumë.
Këshilla ime është që gjatë kohës së gjidhënjes të evitoni tërësisht marrjen e kafeinës.
Nëse e keni patjetër të konsumoni kafe, atëherë një filxhan kafe në mëngjes mendoj se do ishte e mjaftueshme.
Para se të bini në gjumë pini një gotë qumësht të ngrohtë (qumështi përmban serotoninë e cili paraqet hipnotikun natyror )
Shijojeni dhuntinë e gjidhënjes dhe shijojeni edhe gjumin e natës për ju dhe foshnjën tuaj, duke evituar pikërisht kafeinën si një nga shkaktarët që do të çrregullojë gjumin tuaj dhe të foshnjës tuaj. /natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”