Nëse fëmija juaj do të jetë empatik dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët varet vetëm nga ju

Edhe pse shpesh nuk jemi vërtet të sigurt se deri në ç’masë ne si prindër jemi përgjegjës për rrugën që do të marrë fëmija ynë.

Ekspertët e Universitetit të Kembrixhit kryen një studim që tregoi se fëmijët e vegjël që kanë marrëdhënie të shëndosha me prindërit e tyre kanë më shumë gjasa të tregojnë disa sjellje të shkëlqyera kur arrijnë adoleshencën. Ky studim është një nga të parët që ka shqyrtuar se si marrëdhëniet prind-fëmijë ndikojnë në sjelljen sociale dhe shëndetin mendor gjatë rritjes të fëmijëve.

Ekspertët përdorën të dhëna nga më shumë se 10,000 njerëz të lindur midis viteve 2000 dhe 2002. Ata i ndoqën për më shumë se një dekadë, dhe zbuluan se fëmijët që kishin një marrëdhënie të ngrohtë me prindërit e tyre, nga mosha 3 deri në moshën 17 vjeçare, kishin më shumë gjasa të tregonin sjellje që synonin së pari mirëqenien e të tjerëve, si empatia, bujaria dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët.

Në dallim me fëmijët që përjetuan marrëdhënie të tensionuara emocionalisht ose abuzuese me prindërit e tyre, kishin më pak gjasa të zhvillonin zakone të mira shoqërore.

Por kjo nuk ishte e gjitha. Gjithashtu, fëmijët e tillë treguan një tendencë më të shpeshtë për depresion dhe ankth gjatë fëmijërisë së hershme dhe adoleshencës. Bashkëautori i studimit, Ioannis Katsantonis, studiues në Universitetin e Kembrixhit, vuri re se prindërit luajnë një rol të madh: “Është me rëndësi të madhe se sa kohë mund të kalojnë prindërit me fëmijët e tyre dhe t’u përgjigjen nevojave dhe emocioneve të tyre.”

Studiuesit mblodhën për herë të parë të dhënat e sondazhit mbi prosocialitetin, pra veprimin pozitiv në shoqëri, dhe simptomat e brendshme të shëndetit mendor që tregojnë depresionin dhe ankthin, dhe shenjat e jashtme të problemeve të shëndetit mendor si agresioni. Më pas ata mblodhën informacion se si pjesëmarrësit i karakterizuan marrëdhëniet e tyre me prindërit sa i përket afërsisë, konflikteve emocionale dhe abuzimit, duke marrë parasysh të dy faktorët si etnia dhe statusi socio-ekonomik. Rezulton se shëndeti mendor dhe tiparet si empatia dhe gatishmëria për të ndihmuar janë të lidhura me atë se sa e fortë është një marrëdhënie që fëmijët kanë me prindërit e tyre në fëmijëri.

Bazuar në këtë studim, autorët e studimit theksuan se është shumë e rëndësishme të zhvillohet politika dhe mbështetja e synuar për prindërit e rinj që kanë vështirësi financiare ose probleme në punë, pasi këta faktorë mund të ndikojnë negativisht në atë se sa kohë cilësore mund të kalojnë me fëmijët e tyre. “Afërsia zhvillohet vetëm me kalimin e kohës dhe për prindërit që jetojnë ose punojnë në rrethana stresuese dhe të kufizuara, kjo shpesh nuk është e mjaftueshme,” tha Katsantonis./natalmedia.com/

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts