Dr.Ismail Lutolli Pediater
Subspecialist Dietolog-Nutricionist
Kur bie shi vazhdimisht siç ka ndodhë kohët e fundit, shumë prej nesh preferojnë të zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët dhe të ftojnë miqtë per kafe ose të dalin jashtë të bëjnë pazar.
Fëmijët detyrohen të qëndrojnë të mbyllur pasi jashtë bie shi.
A keni pyetur vetveten ndonjëherë a është kjo zgjidhja më e mirë për fëmijët tuaj?
Pa dyshim që jo. Shiu nuk do të thotë që ju duhet të ndryshoni planin tuaj të daljes në natyrë. Nëse po planifikonit të dilni me fëmijën tuaj dhe fillon të bie shi, atëherë fëmija juaj do të ketë një kohë edhe më argëtuese edhe më fenomenale.
Duhet të pranoni që të luash, të kërcesh dhe të ecësh në shi është argëtim perfekt për një fëmij , thjeshtë duhet të hapesh para kësaj ideje dhe të kënaqesh me fëmijët tuaj.
Ju ftojmë të mos jeni prind që reagon ndaj pikave të para të shiut duke dërguar fëmijë në shtëpi nga sheshi i lojërave ose duke mos e nxjerr në shëtitjen e planifikuar pasi filloi shiu?
Ju ftojmë të mos hiqni dorë nga udhëtimet ose shëtitjet me fëmijë për shkak të motit me shi.
Lexoni 10 arsyet përse një fëmijë duhet të kalojë një ditë me shi në ambientin e jashtëm
1. Sepse fëmijët nuk shqetësohen nga shiu, përkundrazi. A njihni ndonjë fëmijë që do të refuzonte të shkonte në park sepse jashtë ka pak shi? Ata thjesht kënaqen edhe më shumë.Të kalojnë kohën duke vrapuar jashtë në shi, duke kërcyer në pellgje dhe duke bërtitur dhe të përjetojnë rënien e pikëzave të shiut nga qielli, për fëmijët është një kënaqësi e veçantë.
2. Sepse mushama dhe çizme gome mund të blihen në çdo cep, dhe ato nuk janë veçanërisht të shtrenjta. Kjo nuk është arsye për të mos dalur jashtë në motin me shi.
3. Sepse në vende si Suedia bie shi 270 ditë në vit dhe fëmijët e tyre kalojnë më shumë kohë jashtë sesa fëmijët tanë. Ata përjetojnë shiun dhe kënaqen e rriten në motin me shi.
4. Sepse fëmijët duhet të rriten duke besuar se jeta duhet të vazhdojë normalisht, pavarësisht nga kushtet e motit. Fëmijët duhet të kuptojnë se moti nuk është faktor që ndikon për të kufizuar jetën apo veprimtarinë e tyre, përkundrazi moti është një dhunti nga Zoti që ata të përjetojnë katër stinët tek ne dhe të gëzohen e jetojnë në to.
5. Në vend që të “çmendemi” nga vrapimi i fëmijëve nëpër dhomën e ndenjes derisa jasht bie shi, lëreni që këtë vrapim plot jetë e gëzim të përjetoj në pikat e shiut në oborrin tuaj apo në natyrën përreth. Është një gjë e vogël, por ndonjëherë gjërat e vogla bëjnë një ndryshim të madh.
6. Për shkak se të luash me ujë është një burim gëzimi tejet i madh për fëmijët dhe ka një rol të vërtetuar psikoterapeutik.
7. Për shkak se një pellg plot me ujë shiu ku fëmijët kërcejnë dhe përjetojnë spërkatjet e ujit përreth është një vend tejet i mirë për “eksperimente” dhe argëtim.
8. Sepse, për të dashur, respektuar dhe mbrojtur natyrën, një fëmijë duhet të ketë lidhje me fenomenet natyrore. Një fëmijë duhet ti përjetoj ato që natyra ofron përfshirë edhe shiun.
9. Sepse kur e lini fëmijën tuaj të dalë në shi, ju po i tregoni atij se ai është i aftë dhe elastik, duke ndërtuar kështu vetëbesimin e tij. Fëmija duhet të lejohet të vrapojë në shi, të bjerë, të ndjehet i lagësht dhe të ndiejë dhimbje kur bie. E gjithë kjo është një mënyrë e natyrshme që një fëmijë të rritet i shëndoshë.
10. Lëvizja e vrapimi në shi është tejet e rëndësishme për fëmijët dhe me ndihmën e lëvizjes, fëmijët përparojnë më mirë dhe kjo reflektohet në të gjitha aspektet e zhvillimit, nga zhvillimi i të folurit tek të mësuarit në shkollë. Në të gjitha këto, gjëja më e rëndësishme është që prindërit të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre, si në lojë ashtu edhe në aktivitete fizike gjatë kohës me shi.
Shiu nuk duhet të na pengojë të shkojmë së bashku në një shëtitje sepse, siç thotë populli, fëmijët rriten më shpejtë në shi./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”