Shkruan: Olt Aliu
Fizioterapeut
Paraliza e Erbit (Erb’s Palsy) është një formë e paralizës së Pleksusit Brachial.
Pleksusi Brachial është një rrjet nervash pranë qafës që krijojnë të gjithë nervat e krahut. Këto nerva ofrojnë lëvizje dhe ndjesi në shpatull, krah, dorë dhe gishta. Paraliza do të thotë dobësi dhe paraliza e pleksusit brachial nga lindja shkakton dobësi të krahut dhe humbje të lëvizjes.
Një ose dy në çdo 1000 foshnja e kanë këtë gjendje. Shpesh shkaktohet kur qafa e foshnjës zgjatet anash gjatë një lindjeje të vështirë.
Shumica e foshnjave me paralizë të pleksusit brachial nga lindja do të rikuperojnë lëvizjen dhe ndjesinë në krahun e prekur, shpesh me ushtrime ditore të fizioterapisë. Prindërit luajnë një rol aktiv për të ndihmuar fëmijën e tyre që të rikuperojë funksionin maksimal në krahun e prekur.
ANATOMIA
Pleksusi brachial formohet kur nervat e krahut, dorës dhe gishtërinjve dalin nga palca kurrizore, kalojnë ndërmjet vertebrave të qafës dhe shkojnë në krah. Përgjatë anës së qafës, afër supit, këto nerva bashkohen. Nga atje, ato degëzohen për të formuar një pleksus nervash.
Ky sistem nervash më pas udhëton prapa klavikulës dhe përhapet në krah. Nervat që shkojnë në sup shtrihen më lart në qafë sesa ato që shkojnë në dorë dhe gishta. Nervat që japin ndjesi në dorë dhe gishta shtrihen më poshtë në qafë dhe thellë në sqetull.
PERSHKRIMI
Në shumicën e rasteve, te paraliza e pleksusit brachial të lindur, janë nervat e sipërm që preken. Kjo njihet si Paraliza e Erbit (Erb’s Palsy). Foshnja mund të mos jetë në gjendje të lëvizë supin, por mund t’i lëvizë gishtat. Nëse të dy nervat e sipërm dhe të poshtëm janë të zgjatur, gjendja është zakonisht më e rëndë se thjesht paraliza e Erbit. Kjo quhet paralizë totale e pleksusit brachial nga lindja.
Në përgjithësi, ekzistojnë katër lloje të lëndimeve të nervave. Të gjitha mund të ndodhin në të njëjtën kohë tek i njëjti foshnjë. Simptomat e një dëmtimi nervor janë të njëjta (humbje ndjesie dhe paralizë e pjesshme apo e plotë), varësisht nga lloji i dëmtimit. Eshtë ashpërsia e dëmtimit që ndikon si në vendimet e trajtimit ashtu edhe në shkallën e rikuperimit të mundshëm.
Lëndimet nga zgjatja e pleksusit brachial tek të porsalindurit ndodhin si shkak i një lindjeje të vështirë, si p.sh. me një foshnjë të madhe. Ato mund të ndodhin gjithashtu kur një lindje bëhet e ndërlikuar dhe personi që ndihmon lindjen duhet të ushtrojë njëfarë force për ta tërhequr foshnjën shpejt nga kanali i lindjes.
Nëse njëra anë e qafës së foshnjës është e zgjatur, nervat gjithashtu mund të zgjaten dhe mund të ketë lëndim.
Ushtrimet fizioterapeutike ditore është metoda kryesore e trajtimit për paralizën e Erbit. Për shkak se një foshnjë nuk mund të lëvizë vetëm krahun e prekur, prindërit duhet të marrin një rol aktiv në mbajtjen e nyjeve të lirshme dhe që muskujt të funksionojnë. Fizioterapeuti do t’ju mësojë se si të bëni ushtrime me fëmijën tuaj për t’ia mbajtur krahun në gjendje të mirë.
Fizioterapia ditore dhe ushtrimet e amplitudës së lëvizshmërisë, të bëra sa më shpesh të jetë e mundur gjatë ditës, fillojnë kur foshnja është rreth 3 javëshe. Ushtrimet do të ruajnë amplitudën e lëvizshmërisë në sup, bërryl, kyç dhe dorë. Kjo do të parandalojë ngurtësimin e përhershëm të nyjeve, e cila quhet kontraktura e nyjeve./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”