Pirja e duhanit gjatë kohës së gjidhënies

 

Dr.Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dijetolog-Nutricionist

Samire Ademi Lutolli – Specialiste Gjinekologji/ Obstetrikë

 

 

 

Sa ndikon pirja e duhanit në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës ?

”Unë jam një nënë duhanpirëse, a duhet ta ndërpres gjidhënjen“?

Kam provuar ta ndërpres duhanpirjen por nuk kam pasur sukses, si ti zvogëlojë pasojat tek foshnja ime ?

 

Një numër i madh i nënave, i rikthehen pirjes së duhanit, mënjëherë pas lindjes.
Gjithashtu, një numër shumë i madh i nënave, me apo pa vetëdije, nuk e kanë fare problem të qëndrojnë në ambientet ku pihet duhani ( pirje pasive ), duke pasur foshnjën e tyre në procesin e gjidhënjes.
Një numër i madhe i familjarëve, posaqërisht baballarët nuk e kanë fare problem që të pijnë duhan në dhomën ku qëndron i porsalinduri.

Të gjitha këto ndikojnë që foshnja ta thithë direkt tymin e duhanit. Aq kohë sa nëna ushqen foshnjën me gji, po aq kohë edhe foshnja thithë nikotinën nëpërmjet qumështit të gjirit. Nikotina hyn në qarkullimin e gjakut, duke u futur edhe në prodhimin e qumështit dhe duke shkaktuar një sërë pasojash.

 


Pasojat më të shpeshta janë:

 

1. Nikotina është e pranishme në qumështin e nënës. Shumë nëna konsumuese të duhanit, shpeshherë përdorin refrenin e njohur : “ta pi një cigare e pastaj ushqej djalin”, “po e pi një sa është vajza në gjumë, se pastaj zgjohet e nuk më lë”:

Në të dyja rastet, nikotina është prezente në sasi maksimale në organizëm, por edhe në qumështin e gjirit posa foshnja të kërkojë gjirin. Ta keni parasysh se gjysma e sasisë së nikotinës, që keni marrë nëpërmjet një cigareje, largohet nga organizmi juaj për 1,5 orë. Pra, duhet të prisni të paktën 1,5 orë për t’i dhënë fëmijës suaj vaktin tjetër, pasi që të keni konsumuar duhan.

 

2. Cilësia e qumështit të nënës ndërron me prezencën e nikotinës .

 

3. Pirja e duhanit ndikon në statusin hormonal të nënës dhe përcjelljen e sinjaleve për prodhimin e qumështit, pra kemi të bëjmë me pakësim të theksuar të sasisë së qumështit të gjirit.

 

4. Pirja e duhanit ndikon në zvogëlim të prolaktinës, e cila ka ndikim në zvoglimin e prodhimit të qumështit nga nëna.

 

5. Pirja e duhanit nga nëna ndikon në shtimin e mundësisë për vdekje të befasishme të fëmijës, pra vdekje pa asnjë shkak të fëmijës.

 

6. Pirja e duhanit nga nëna ndikon direkt në rritjen e rrezikut për sëmundje të traktit respirator të fëmijës, në veqanti të bronhitit, reaksioneve alergjike etj.

 

7. Pirja e duhanit nuk është arsye për të ndërprerë gjidhënjen por e kundërta, gjidhënja është arsye për ti dhënë fund pirjes së duhanit.

 

8. Pirja e duhanit mund të jetë arsye e fuqishme që fëmija juaj nuk shton në peshë, pra ngecë mbrapa në zhvillimin e tij.

 

9. Pirja e duhanit është arsye që fëmija ka dhimbje më të shprehura nga gërqet e barkut, së paku mundësia dyfishohet tek fëmijët, nënat e të cilëve konsumojnë duhan.

 

10. Të vjellura dhe probleme të tjera të traktit digjestiv, janë shumë më të shpeshta tek fëmijët, nënat e të cilëve konsumojnë duhan.

 

11. Pirja e duhanit nga nëna, zvogëlon aftësinë thithëse të foshnjës.

 

12. Mos u tundoni nga thirrjet e firmave farmaceutike se : “qumështi i nënës që konsumon duhan është i dëmshëm dhe alternativë të jetë qumështi artificial”. Konsumimi i duhanit dhe qumështi janë dy gjëra të ndryshme. Gabimi i nënës duhanpirëse, nuk duhet të ndikojë që nëna të bëjë edhe një gabim më të madh, duke ia ndërprerë fëmijës gjidhënjen.

 

13. Pirja e duhanit nga nëna, mund të jetë shkak që fëmija të qajë pa arsye, fëmijë që kurrë nuk “rehatohet”.

 

14. Pirja e duhanit nga nëna dhe qëndrimi në ambiente ku pihet duhani, mund të jetë shkak për zhvillim të proceseve malinje në vitet e mëvonshme për fëmijën.

 

15. Pirja e duhanit nga nëna, mund të jetë shkak për zhvillimin e Asmës bronhiale të fëmija në vitet e mëvonshme.

 

Si ta pakësojë rrezikun për fëmijën një nënë duhanpirëse?

 

Zgjidhja më e mirë do ishte ndërprerja e pirjes së duhanit. Kurrë mos ndaloni së përpjekuri.

Nëse i dini të gjitha dëmet e duhanpirjes, por ende nuk po gjeni dot forcën për të ndërprerë pirjen e duhanit gjatë gjidhënjes, atëherë po iu paraqesim disa këshilla që i zvogëlojnë dëmet tek fëmija nga pirja e duhanit nga nëna, qoftë edhe nga pirja pasive e duhanit :

1. Nëse nuk keni arritur të gjeni dot forcë për ndërprerjen e pirjes së duhanit si nënë, si njeriu më i afërt për fëmijën tuaj, atëherë së paku pakësojeni deri në minimum. Pakësoni numrin e cigareve që konsumoni brenda ditës, qoftë edhe pak cigare brenda ditës. Kur numri i cigareve kalon 10-15 në ditë, rreziku shtohet dukshëm për nënën dhe foshnjën.

 

2. Asnjëherë mos realizoni gjidhënjen, mënjëherë pasi keni pirë cigare. Koha e nevojshme për eleminim të nikotinës ose përgjysmim të prezencës së saj në gjak është 60 deri 90 min. Për këtë arsye, nëse pini duhan, së pari ushqejeni me gji fëmijën dhe pastaj konsumoni duhan. Kjo bëhët me qëllim që deri në vaktin tjetër, të kalojnë së paku 2 orë pa konsumuar duhan.

 

3. Nëse ende nuk e keni forcën për të ndërprerë duhanpirjen, mos ndezni cigaren në asnjë mënyrë në dhomën ku qëndron fëmija, e as në ambientin përreth, pra pirja të bëhet jashtë shtëpisë ose në ballkon. E tërë kjo, që fëmija mos marrë thithjen pasive të tymit të duhanit.

 

4. Nëse keni provuar, por po dështoni mos harro se betejën nuk e keni humbur, pra vazhdon përpjekja.Cigarja elektronike mund të jetë zgjedhje e mirë si fillim.Kuptohet,në sasi shumë të pakëta.

 

5. Nëse vazhdoni të jeni duhanpirëse, mos harroni se pirja e duhanit është më pak “mëkat“ sesa ndërprerja e gjidhënjes për foshnjën tuaj. Pra, duhanpirja mos të ndikojë në asnjë mënyrë që të largoni foshnjën tuaj nga gjidhënja.

 

6. Preferohet marrja e multivitaminave dhe mineraleve shtesë gjatë kohës së duhanpirjes.

 

7. Në asnjë mënyrë, të mos ju shikojë qoftë fëmija juaj ose fëmijët tjerë duke pirë duhan, pasi do e marrin si një proces normal dhe si të tillë pastaj do e përceptojnë tërë jetën.

 

8. Mos humbisni shpresën në arritjen e suksesit, vazhdoni përpjekjet, ju jeni nënë dhe jeni në gjëndje të sakrifikoni edhe jetën për fëmijën tuaj.
Lënia e duhanit eshte një sakrificë shumë më e vogël sesa kaq….!/natalmedia/

 

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts