Prindër që kërkojnë fëmijë të përsosur – Sa e dëmtojmë fëmijën duke dashur ta përsosim atë?

 

Shkruan: Pukjana Geci – Psikologe dhe terapiste

Fëmijët kanë kapacitete, mundësi dhe aftësi të shumta të cilat rriten e zhvillohen nga dita në ditë. Është normale që prindërit t’i gëzohen çdo arritjeje të fëmijëve të tyre dhe të ndihen entuziastë për ta. Prindërit, herë pas here, i përshkruajnë fëmijët e tyre si fëmijë të përkryer. Në përgjithësi, këto përshkrime janë më tepër komplimente për fëmijën sesa vlerësime reale për ta. Mirëpo, për fat të keq, ka disa prindër që duan me çdo kusht që fëmija i tyre të jetë perfekt, si në arritjet akademike ashtu edhe në sjellje, duke krijuar tek ata probleme emocionale serioze. Prindërit duhet ta inkurajojnë fëmijën të mësojë aftësi të reja por pa i kërkuar më shumë nga sa ata munden sepse, nëse mendojnë se nuk janë të aftë ta arrijnë diçka, fëmijët dekurajohen dhe tërhiqen.

Prindërit shpesh kërkojnë perfeksionin nga fëmija i tyre duke mos lejuar dhe toleruar as gabimin më të vogël tek ata. Por, nëse nuk gabojnë, fëmijët nuk arrijnë të mësojnë. Kjo do të thotë se, edhe pse ndonjëherë fëmija mund të dështojë apo të mos ia dalë ndërsa provon të bëjë diçka, atij nuk i mungojnë aftësitë dhe mundësitë, dështimi është pjesë normale e procesit të të mësuarit.

Prindërit, padashur, mund t’i përdorin fëmijët e tyre për të kompensuar dështimet apo humbjet e jetës së tyre. Një baba i cili e ka pasur ëndërr të luajë futboll në skuadrën e të rinjve të qytetit, nuk vonon ta përfshijë djalin e tij të vogël në kurse futbolli ose në aktivitete të tjera që lidhen me të duke pritur prej tij të jetë një lojtar shumë i mirë. Kërkesat dhe presioni për përsosmëri ndaj fëmijëve nuk vijnë vetëm nga prindërit. Bota e televizionit shpalos para fëmijëve “heronjtë” dhe “heroinat” e botës fëmijërore. Në përpjekje për të imituar këta heronj, fëmijët mund të shfaqin një sërë sjelljesh të papërshtatshme, p.sh. mund të mos duan të hanë ushqim se kanë dëshirë të kenë një trup të bukur e elegant si personazhi i emisionit televiziv.

Prindër! Tregohuni realistë dhe të kujdesshëm ndaj aftësive të fëmijëve tuaj! Nëse zbuloni se fëmija juaj ka një talent apo aftësi të jashtëzakonshme, nxiteni dhe ushqejeni talentin e tij por bëjeni këtë me shumë kujdes. Fëmija nuk duhet sforcuar për të kryer aktivitete të ndryshme. Fëmijët e kanë të domosdoshme të kenë kohë të mjaftueshme për të pushuar dhe kjo duhet të jetë pjesë e rutinës së tyre të përditshme.

Kërkesat e theksuara për përsosmëri ndikojnë negativisht në zhvillimin e fëmijës pasi:

  • Ulin vetëvlerësimin e fëmijës. Fëmija nuk është në gjendje të vlerësojë cilësitë dhe aspektet pozitive të tij për arsye se e gjithë vëmendja e tij fokusohet tek të metat që e largojnë nga të qenët i përsosur.
  • Fëmija nuk ndien se të tjerët e duan. Nëse nuk plotëson kriteret për të qenë i përkryer, ai mendon se nuk meriton dashurinë e prindërve, edukatoreve dhe njerëzve të tjerë.
  • Marrëdhënia e fëmijës me prindërit, edukatoret dhe njerëzit e tjerë dëmtohet nga këto kërkesa.
  • Kërkesat për përsosmëri ulin nivelin e tolerancës dhe fleksibilitetit te fëmija.Kultivimi ndjenjavetë theksuara të përsosmërisë i vë ata në rrezik për të pasur, në momentin aktual por edhe më vonë gjatë jetës, shqetësime psikologjike si stres, ankth, depresion etj.
  • Ju mund ta ndihmoni fëmijën të bëhet një person me më shumë besim në vetvete duke e ndihmuar që të kuptojë se askush nuk është i përkryer, se ai është i veçantë dhe se të tjerët e duan. Një nga mësimet e para që prindërit dhe edukatorët duhet t’u japin fëmijëve të tyre është që të gjithë bëjmë gabime. Një gjë e tillë fëmijëve është mirë që jo vetëm t’u thuhet por edhe t’u demonstrohet. Kur ju p.sh. bëni një gabim, mos ia fshihni atë fëmijëve. Tregojini që bëtë një gabim por ky nuk është fundi i botës. Kur fëmija herën tjetër të bëjë një gabim, ndihmojeni të kuptojë që ai nuk është një njeri i dështuar vetëm sepse nuk është i përkryer.Pukjana Geci Psikologe dhe terapiste./natalmedia/

     

     

    *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kompjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forne tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

     

SHPËRNDAJE:

Related posts