Shkruan: Pukjana Geci – Psikologe Klinike
Materialet e lojës janë mjetet më të vlefshme për stimulimin e inteligjencës, zhvillimin e imagjinatës, shqisave, emocioneve, si dhe zhvillimin fizik dhe social. Sipas studimeve, të luash është të mësosh. Fëmijët mësojnë duke luajtur. Rëndësia e lojës në fëmijërinë e hershme nuk mund të nënvlerësohet, pasi loja është thelbësore për rritjen e një fëmije. Vitet e para të jetës njihen si vite eksploruese, ku fëmijët janë kuriozë dhe kanë një imagjinatë më të zhvilluar. Gjatë kësaj periudhe, ata kanë nevojë për materiale edukative stimuluese.
Kur mendojmë për puzzle, zakonisht e lidhim atë me një hobi apo lojë ku fëmijët kalojnë kohën. Në fakt, puzzle-t konsiderohen si një material edukativ që përdoret për grupmosha të ndryshme dhe ka një ndikim pozitiv në zhvillimin kognitiv, gjuhësor, motorik dhe social-emocional të fëmijëve. Puzzle është procesi i bashkimit të pjesëve për të krijuar një pamje të plotë, një veprim që ka vetëm një zgjidhje. Fëmijët zakonisht fillojnë me puzzle të thjeshta dhe përparojnë drejt modeleve më komplekse.
Puzzle-t ndihmojnë në zhvillimin e këtyre aftësive te fëmijët:
Aftësitë njohëse (kognitive): Puzzle-t zhvillojnë aftësitë e kujtesës. Fëmijët, pasi përsërisin procesin e plotësimit të një puzzle, mësojnë ta zgjidhin atë më shpejt. Ata përmirësojnë aftësitë për të planifikuar, testuar ide dhe zgjidhur probleme, si dhe aftësitë e perceptimit, përqendrimit, analizës, dhe krijimin e marrëdhënieve pjesë-tërësi.
Aftësitë fizike: Gjetja e zgjidhjeve në puzzle kërkon koordinim motorik dhe përdorim të kontrolluar të dorës, gjë që ndihmon në zhvillimin e koordinimit dorë-sy.
Aftësitë emocionale: Puzzle-t mësojnë durimin, vetëbesimin, vetëkontrollin dhe vetërregullimin.
Aftësitë sociale: Kur puzzle-t zgjidhen në grup, fëmijët mësojnë të bashkëpunojnë, të respektojnë rregullat dhe të tregojnë respekt për të tjerët, duke zhvilluar edhe aftësitë e dëgjimit.
Aftësitë gjuhësore: Puzzle-t kontribuojnë në zhvillimin e aftësive gjuhësore, si ato receptive./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”