Shkruan: Dr Ismail Lutolli -Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog –Nutricionist
Hematolog-Onkolog
Subspecialist Gastroenterolog
A eksiton shkopi magjik apo këshillat magjike?
Çfarë duhet bërë kur fëmija juaj refuzon të hajë ushqime të shëndetshme dhe në vend të tyre zgjedhë të hajë ushqime tjera?
Gjatë punës sime, kam takuar shumë prindër të brengosur për këtë çështje. Këta prindër bëjnë përpjekje maksimale dhe sa më shumë që ata duan dhe ofrojnë ushqim cilësor për fëmijët, ndodhë që fëmijët refuzojnë dhe përkundrazi, kërkojnë ushqime që nuk janë fare të shëndetshme, për të mos thënë janë shumë të dëmshme.
Shumë prindër do presin ndonjë “shkop magjike” për të kapërcyer këtë problem por ja qe nuk ka shkop te tille.
Zakonet e mira ushqyese kultivohen në familje dhe ju takon juve si prindër t’i mësoni fëmijës tuaj kulturën e drejtë të ngrënies. Mund të jetë një proces i komplikuar e afatgjatë, por në fund do i’a vlejë.
Ju si prindër nuk duhet të harroni se shumica e fëmijëve nga mosha 1 deri në moshën 5 vjeçare kanë një periudhë kur refuzojnë të hanë ose fillojnë dhe zgjedhin diçka të pashëndetshme.
Nëse ju do humbisni kontrollin, ky problem do të bëhet edhe më i madh. Pra është koha ti merrni gjërat në duar dhe të veproni në mënyrë të mençur.
Ndiqni 18 këshillat që do të ju ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi:
Bëhuni shembull për fëmijët tuaj!
Rregulli themelor dhe ndoshta edhe më i rëndësishmi është që ju të jeni shembull kur të mësoni fëmijën për ushqimin më të mirë. Këshillat që i ofroni fëmijëve tuaj së pari duhet t’i praktikoni ju si prindër.
Nuk mund ta ndalosh nga pirja e pijeve të gazuara fëmijën tuaj dhe ti shpjegosh se sa të dëmshme janë, kur ju i konsumoni çdo ditë. Kjo nuk është edhe e drejtë e as e sinqertë. Nëse ju këshilloni diçka fëmijën, por vetë e bëni të kundërtën, ju keni humbur betejën ende pa filluar mirë.
Nëse një pije e gazuar apo pirja e duhanit është e dëmshme për fëmijën tuaj, është edhe për ju si prindër. Fëmija juaj do një shembull për ushqim dhe jetë të shëndetshme, bëhuni ju shembulli i parë.
Fëmija juaj do të hajë aq sa organizmi i tij ka nevojë
Si prindër ose kujdestarë të fëmijëve, mos ndaloni në fillim te sasia, por bëni përpjekje maksimale që ajo që fëmija juaj ha të jetë e shëndetshme.
Pra mos u ndalni te sasia por te cilësia e asaj që ha. Edhe nëse është pak por cilësore do të jetë e mjaftueshme ti plotësojë nevojat me vitamina, minerale, karbohirdrate e protein, fibra etj.
Pra provoni që mos të merreni me sasinë por me cilësinë. Fëmija juaj është duke ngrënë sa organizmi i tij po kërkon.
Ofroni ushqim cilësor dhe mos u merrni tërë kohën me sasinë. Mos bëni krahasim me fëmijët e komshinjve si ata hanë dy pjata. Fëmija juaj është i veçantë dhe nuk ka nevojë për krahasime te tilla.
Si ta kuptoj se është ngopur dhe që nuk ka nevojë t’i japë më shumë?
– do e mbajë gojën shtrënguar dhe do e kthejë kokën kur i ofroni ushqimin;
– mban ushqimin në gojë dhe refuzon të gëlltitë;
– e nxjerrë nga goja;
– fillon të qajë dhe e nxjerrë nga goja;
– ka vjellje pasi e keni detyruar të hajë me forcë.
Mos prisni që një ushqim i provuar për herë të parë, do i pëlqejë pa masë fëmijës tuaj
Sigurisht në çdo ushqim të ri duhet pak kohë derisa fëmija fillon e e shijon. Mos prisni që një gjellë e bërë për herë të parë, do të ngjallë dashuri të madhe te fëmija juaj. Pra, keni durim dhe do provoni herën e dytë e kështu me radhë.
Bisedoni rreth gjellës për vlerat që ka, nëse fëmija juaj është në moshë më të madhe
Mos e detyroni të hajë, por uleni të qëndrojë me ju derisa ju hani. Fëmijës tuaj do ti duhet kohë për të mësuar se gjithë ushqimi që po përgatisni është i shijshëm dhe i sigurt për ushqim. Edhe nëse nuk han të shikon, se si hani të te tjerët te njëjtin ushqim. Me kalimin e kohës do i pëlqej dhe do të shijojë gjithnjë e më shumë ushqime të ndryshme.
Kur ju hani disa ushqime që fëmija juaj nuk është duke ngrënë, gjatë ngrënies disa herë lavdërojeni si vakt të shijshëm që ju hani.
Kjo do të ndikojë në aspektin psikologjik dhe kjo do të rritë vullnetin e fëmijës suaj për të shijuar ushqimin. Pra jo duke përdorur dhunë, por ngadalë dhe fëmija juaj do të marrë iniciativën.
Përpiquni të krijoni një rutinë të përditshme të ngrënies
Të dihet koha dhe vaktet kur është për të ngrënë. Tri herë në ditë një vakt më të madh, dhe dy deri në tre herë vaktet e ndërmjetme. Kujdes në mes vakteve mos i lejoni të hajë gjëra jo të shëndetshme. Pra mundohuni që para vakteve kryesore te mos i japësh ushqime tjera. Uria do të ndikojë të shijojë dreken. Por nëse 5 min para drekës i keni dhënë diçka tjetër, në drekë fëmija juaj më shumë do vëzhgojë se sa do të hajë.
Filloni vaktet kryesore gjithmonë me supë dhe mos nxitoni, por prisni derisa fëmija juaj të mbarojë ose së paku derisa të këtë marrë dhe provuar nga supa. Pas kësaj nxirreni pjesën tjetër të drekës.
Fëmija juaj do të hajë ushqimin brenda 20 -30 minuta.
Mos e detyroni të qëndrojë ulur një orë në tavolinë, sepse do e urrejë edhe ushqimin edhe tavolinën ku qëndron ulur. Ka fëmijë që janë më të ngadalshëm duke ngrënë, asnjëherë mos provoni t’i nxitoni. Fëmija juaj mund të hajë për 10 min por mund të vonojë edhe 30 min dhe në të dy rastet është proces tërësisht normal. E juaja si prindër është të bëni durim dhe të bashkëbisedoni sadopak rreth ushqimit, t’i jepni kurajo e vlerësim e assesi te gjykoni se ha shpejtë apo ngadalë.
Kur vini re se fëmija juaj po ha gjithnjë e më shumë me kënaqësi, duhet ta përgëzoni atë.
Të gjithë fëmijët i përgjigjen shumë mirë lavdërimit të tyre. Mos u kurseni në vlerësime. Në fund të fundit nuk kushton asgjë një fjalë e mirë dhe përqafime të fëmijët që ende nuk flasin. Ata do e kuptojnë gjuhën tuaj dhe atë që doni t’i thoni.
Fëmija hante normalisht por ka filluar të refuzojë ushqimin
Mbase kjo është një mënyrë që fëmija juaj dëshiron ti rikthehet vëmendja e dashuria që i mungon, pra kujdes në anën emocionale, jepni dashuri e ngrohtësi pa ndalur dhe shikojeni reagimin e tij.
Fëmijët e duan vëmendjen, edhe nëse është negative. Nëse fëmija nuk ha aq sa duhet, vetëm me butësi kërkoni dhe thuani njëherë se ai nuk ha sa duhet dhe do e vëresh ndryshimin. Shpërblejeni fëmijën me lavdërime kur ha mjaftueshëm.
Vendosni një pjatë adekuate me moshën
Mos i vendosni para një pjatë si të babait pasi do e frikësojë dhe do e thyejë vullnetin e fëmijës për pamundësinë për të ngrënë të tërën. Dhe gjellën që e vendosni, të jetë pak a shumë aq sa fëmija ka nevojë dhe jo dyfishi i asaj që ai mund të hajë. Është shumë e rëndësishme që ai të përjetojë përfundimin e ushqimit e jo gjithmonë të lërë gjysmën e pa ngrënë.
Tavolina është vend për të ngrënë
Qëndroni larg lojërave, TV e gjëra tjera që ja tërheqin vëmendjen derisa ushqehet. Kjo është e domosdoshme.
Kur fëmija juaj nuk dëshiron të hajë një pjatë të përgatitur, mos e merrni dhe t’i jepni diçka tjetër ose çfarëdo që ai pëlqen.
Nëse këtë e realizoni tek fëmija, atëherë kjo shpejt mund të kthehet në manipulim me ju. Thuaji atij se nuk do të marrë diçka tjetër për të ngrënë, nëse së paku nuk ha pak nga ushqimi i ofruar.
Nëse një fëmijë ndjen neveri vetëm ndaj një lloj ushqimi të caktuara, provoni të mos i ofroni atë në të ardhmen. Nuk është patjetër që duhet ti pëlqej çdo gjë.
Mos e shpërbleni asnjëherë me ëmbëlsira për vaktin e ngrënë
Kjo nuk është mënyra e duhur dhe kjo mund të dëmtojë perceptimin e fëmijës për ushqimin.
Merreni fëmijën nëse është i moshës më madhore dhe përgatisni bashkë ushqimin, kjo do të ndikoj që kur servohet do e hajë nga kënaqësia atë të cilën e ka përgaditur.
Provojeni të dilni në natyrë dhe ofroni një ushqim që fëmija juaj nuk e ha
Ndryshimi i rrethanave ku hahet ushqimi, mund të ketë efekt mjaft të mirë psikologjik dhe të fillojë të hajë atë ushqim që se hante më parë. Një piknik në natyrë ka efekte mjaft me të mëdha.
18.Vendoseni në kuzhinën tuaj një listë me gjërat e dobishme për shëndetin dhe ndonjëherë lexojeni së bashku me fëmijën tuaj. Kjo do ndikojë pozitivisht.
Mbani mend, se nuk ka një shkop magjik për zgjedhjen e problemit. Zakonet e mira të të ngrënit vijnë nga familja dhe është detyrë e juaja si prindër që t’i mësoni fëmijës tuaj kulturën e ngrënies së shëndetshme.
Kjo mund të jetë një proces i gjatë dhe mjaft i mundimshëm që do të zgjasë për ditë, javë muaj e ndonjëherë edhe vite, derisa ata të rriten.
Konsultimi me pediatër ose dietolog për të eliminuar ndonjë shkak tjetër që mund të ndikoj indirekt në mos dëshirën e fëmijës të ngrënë në përgjithësi, apo për të ngrënë gjëra të shëndetshme është në ca raste i domosdoshëm
Zbatoni këshillat e mësipërme dhe jam i bindur se do ja dilni suksesshëm edhe pse kjo e tëra zgjatë në ca raste me javë ose muaj.
Për fëmijën e vlen, ai është dhe ngelet thesari më i vlefshëm i çdo familjeje. Por, gjithashtu mos harroni se një kulturë normale e të ushqyerit të shëndetshëm është ajo më e mira që mund ti ofroni fëmijëve tuaj.
Ju përmes kësaj i keni ofruar tërë mundësinë për rritje dhe zhvillim normal.
Mendoj se vlen përpjekja dhe durimi.
Qëllimi ynë është t’ju ofrojmë ndihmë në arritjen e aftësive që ju nevojiten për të menaxhuar simptomat tuaja, për të përmirësuar marrëdhëniet tuaja dhe për të arritur një rritje personale.
Nëse jeni duke kërkuar për një trajtim psikologjik efektiv, ju ftojmë të na kontaktoni dhe të caktoni një konsultë./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”