Shkruan: Pukjana Geci Psikologe dhe Terapiste
Megjithëse shtatzënia mund të jetë sfiduese për të dy prindërit, në shumë raste gruaja shtatzënë përjeton sasinë më të madhe të tendosjes. Grumbullimi i provave nga studimet sugjeron se stresi psikologjik dhe social i nënës gjatë shtatzënisë ndikojnë negativisht në rezultatin e shtatzënisë, si rritja e rrezikut të sëmundjes për fëmijën, pesha më e ulët e lindjes dhe rritja e rrezikut për lindje të parakohshme. Ndërkombëtarisht, pesëmbëdhjetë milionë foshnja lindin para kohe çdo vit dhe komplikimet për shkak të lindjes së parakohshme përbëjnë 14% të vdekjeve të fëmijëve nën moshën pesë vjeç, rezultate të pafavorshme të lindjes janë një çështje urgjente e shëndetit publik. Një në pesë gra raportojnë simptoma ankthi gjatë shtatzënisë.
Ndryshimet fiziologjike dhe psikologjike të lidhura me shtatzëninë rrisin cenueshmërinë e një gruaje ndaj zhvillimit të ankthit. Çrregullimet e ankthit ndryshojnë nga ndjenjat normale të shqetësimit dhe stresit. Çrregullimi i përgjithësuar i ankthit përfshin ndjenja të vazhdueshme shqetësimi me simptoma fizike të shqetësimit, lodhjes, tensionit të muskujve dhe pagjumësisë, që ndërhyjnë në jetën e përditshme (Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), 2020).
Shpesh, stresi shoqërohet me vetë gjendjen e shtatzënisë. Shqetësimet më të zakonshme për nënat në pritje përfshijnë:
- Ndryshimet fiziologjike. Shtimi në peshë, shfaqja e strijave, frika nga prishja e figurës dhe humbja e atraktivitetit mund të vendosin shumë njerëz në një gjendje stresi. Është e rëndësishme të mbani mend se është e përkohshme dhe e kthyeshme.
- Frika nga lindja. Procesi i lindjes së një fëmije është i mbështjellë me shumë mite dhe hamendje, si rreziku dhe dhimbja
- Ankthi për një fëmijë. Gjatë pritjes së foshnjës, veçanërisht nëse shtatzënia është e ndërlikuar, gruaja shqetësohet për të, nga frika e një aborti, lindja e parakohshme, patologjitë e mundshme të lindura dhe anomalitë në zhvillimin e fetusit. E gjithë kjo mund të çojë në stres të zgjatur.
- Problemet familjare. Gjatë shtatzënisë, ndonjëherë ka një ftohje mes bashkëshortëve. Një gruaje mund t’i duket se burri i saj nuk e kupton atë dhe nuk e mbështet plotësisht. Kësaj i shtohen edhe përvojat që lidhen me ndryshimin e menjëhershëm të mënyrës së jetesës. Probleme të tilla janë më tipike për çiftet që presin fëmijën e tyre të parë.
- Vështirësitë financiare. Nëse familja ka të ardhura të vogla, kostot që lidhen me rimbushjen e ardhshme mund të lënë në hije gëzimin e prindërve të ardhshëm.
- Konflikte dhe vështirësi në punë. Meqenëse shumica e grave detyrohen të punojnë deri në javën e 30-të të shtatzënisë, zgjidhja e detyrave të punës dhe komunikimi me ekipin mund të jetë një barrë për nënën e ardhshme
Si mund ta reduktoni stresin gjatë shtatzënisë?
Për të ruajtur shëndetin e tyre dhe për të mbrojtur foshnjën, nëna e ardhshme duhet të përpiqet të shmangë situatat stresuese. Për shembull, ndaloni komunikimin me njerëz që ju bëjnë të niheni keq, provokojnë konflikte. Nëse është e pamundur të eliminoni stresorët, duhet të përpiqeni të ndryshoni qëndrimin tuaj ndaj situatës.
Këtu janë disa mënyra për t’ju ndihmuar të reduktoni stresin:
- Duhet tw dini se shqetësimet e shtatzënisë janë vetëm të përkohshme.
- Hani ushqime të shëndetshme, flini gjumë mjaftushëm dhe bëni ushtrime.
- Ushtrimi mund të ndihmojë në uljen e stresit dhe gjithashtu ndihmon në parandalimin e shqetësimeve të zakonshme të shtatzënisë.
- Kërkoni nga partneri juaj të ndihmojë në punët e shtëpisë.
- Provoni aktivitete relaksimi, Ato mund t’ju ndihmojnë të menaxhoni stresin dhe të përgatiteni për lindje
- Praktikoni metodat e frymëmarrjes dhe relaksimit.
- Mos e krahasoni veten me shtatzënat e tjera, të gjithë e përjetojnë shtatzëninë në mënyra të ndryshme.
- Mos përdorni alkool, cigare për t’u ndjerë më mirë, këto mund t’ju bëjnë të ndiheni më keq dhe të ndikojnë në shendetin foshnjës tuaj
Njerëzit përreth jush mund të ndihmojnë gjithashtu me lehtësimin e stresit.
- Qëndroni pranë atyre që ju japin rehati dhe mbështetje, partnerin, familjen dhe miqtë tuaj.
- Zbuloni se çfarë ju bën të stresuar dhe bisedoni me familjen, partnerin, apo me ndonjë mik.
- Nëse mendoni që stresi juaj është shumë i lart bisedoni me një profesionist të shendetit mendor.
Marrja e hershme e trajtimit është e rëndësishme për shëndetin tuaj dhe shëndetin e foshnjës suaj. Nënat e ardhshme, në përgjithësi, duhet të ndërmarrin hapa për të mbrojtur dhe përmirësuar mirëqenien e tyre psikologjike si dhe shëndetin e tyre fizik gjatë kësaj periudhe të rëndësishme./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”