Fëmijët nuk bëjnë gjithmonë atë që duan prindërit e tyre. Kur një fëmijë sillet keq, prindërit duhet të dinë se si të reagojnë. Çdo fëmijë ka nevojë për rregulla për ta ndihmuar fëmijën të mësojë sjelljen e duhur.
Si duhet t’u mësojnë prindërit rregullat fëmijëve dhe çfarë duhet të bëjnë prindërit kur shkelen këto rregulla?
Fillimisht, prindërit duhet të dinë se cilat janë nevojat themelore psikologjike të fëmijës që duhet të plotësohen
Këto janë:
“Të jesh i mirëpritur” – të jesh i pranuar dhe i dashur. Kush nuk është i mirëpritur në shtëpinë e tij, nuk do të ketë ndjenjën se është i mirëpritur askund.
“Të jesh i barabartë me të tjerët si qenie njerëzore” – të njihet dhe të lavdërohet.
“Të jesh i pavarur nga të tjerët” – edhe një fëmijë duhet të lejohet të vendosë. Pavarësia ka nevojë për mbështetje, jo kontroll.
“Të jesh i sigurt për të tjerët”. Siguria tek njerëzit e tjerë mundëson negocimin për pranimin e rregullave pa i thyer ato.
Vetëm kur të gjitha këto t’i kenë parasysh dhe t’i zbatojnë me sukses, prindërit duhet të diskutojnë me njëri-tjetrin se cilat rregulla duhen vendosur në përputhje me moshën e fëmijës.
Është e rëndësishme të shihet disiplina si një mjet mësimi, jo ndëshkimi. Mësimi i fëmijëve për të ndjekur rregullat i bën ata më të sigurt dhe i ndihmon ata të mësojnë dallimin midis së mirës dhe së keqes, u mundëson atyre të zhvillojnë aftësinë për t’u përshtatur, për të negociuar dhe për të bërë kompromis. Kjo inkurajon pavarësinë, zhvillimin e respektit për veten, tolerancën, ndjenjat e drejtësisë dhe aftësinë për të falur.
Fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç i kuptojnë rregullat e sjelljes
Një fëmijë trevjeçar mund të kuptojë rregulla e thjeshta të sjelljejes. Pasi të vendosen rregullat, prindërit duhet t’i shpjegojnë fëmijës se shkelja e këtyre rregullave sjell pasoja. Për shembull, me fjalët: “Ky është një rregull. Kur zbatoni rregullat, kjo është ajo që do të ndodhë, dhe nëse i thyeni rregullat, kjo do të ndodhë”. Prindërit dhe fëmija duhet të vendosin së bashku se cilat shpërblime dhe pasoja të zbatohen. Prindërit duhet të ofrojnë gjithmonë mbështetje pozitive për fëmijët kur ata ndjekin rregullat. Gjithashtu, prindërit duhet të zbatojnë një dënim të përshtatshmëm kur një fëmijë shkel një rregull.
Konsistenca dhe parashikueshmëria janë gurët e themelit të disiplinës.
Shpërblimi (lavdërimi, dhurata) ka efektin më të fortë në të mësuarit e sjelljes pozitive.
Fëmijët mësojnë nga përvoja
Dënimi domethënëse për sjelljen e keqe i ndihmon ata të mësojnë të jenë përgjegjës për veprimet e tyre, pa dëmtuar vetëvlerësimin e tyre. Nëse fëmijët grinden për televizorin, kompjuterin ose lojën, fikini ato pajisje derisa të arrijnë një marrëveshje. Nëse fëmija juaj derdh qumësht në tavolinën e kuzhinës obligone që ta pastrojë atë.
Një lloj tjetër dënimi që mund të jetë efektive është ndalimi ose pezullimi i privilegjeve. Nëse një fëmijë thyen rregullin se ku mund të ngasë biçikletën, hiqeni biçikletën për një ose më shumë ditë. Kur një fëmijë nuk i përfundon detyrimet e tij, ai nuk mund ta kalojë kohën e lirë me shokun e tij, të shikojë emisionin e tij të preferuar në TV etj.
Ka stile dhe qasje të ndryshme në prindërim
Hulumtimet tregojnë se prindërit efektiv rritin fëmijë të adaptueshëm me vetëbesim të zhvilluar, vetëkontroll dhe që janë pozitivisht kuriozë, në ndryshim nga fëmijët që janë rritur nga prindërit që ndëshkojnë, që janë shumë të rreptë (autoritarë) ose shumë tolerues. Prindërit efektiv udhëhiqen nga besimi se prindërit dhe fëmijët kanë të drejta të caktuara dhe se nevojat e të dyve janë të rëndësishme. Prindërit efektivë nuk kanë nevojë të përdorin forcën fizike dhe tortura emocionale për të disiplinuar një fëmijë. Mjeti i tyre i disiplinës është të vendosin rregulla të qarta dhe të japin udhëzime të qarta se pse rregullat janë të rëndësishme, si dhe zbatimi i tyre është i pashmangshëm. Prindërit efektiv ndjekin nevojat dhe mundësitë zhvillimore të fëmijëve të tyre, bisedojnë tek fëmijët e tyre dhe marrin parasysh këndvështrimin e fëmijës edhe pse ata mund të mos pajtohen me të.
Këshilla për disiplinë efektive
Besojini fëmijës suaj se ai do të ndjekë rregullat e përcaktuara.
Sigurohuni që ajo që kërkoni nga fëmija të jetë e kuptueshme për fëmijën dhe e mundur që ai ta bëjë atë.
Flisni me fëmijën tuaj ashtu siç dëshironi që ai të flasë me ju.
Mos përdorni fyerje, ose nënçmime.
Jini të qartë për atë që dëshironi nga fëmija.
Jini të kuptueshëm dhe specifik, jo të ngurtë dhe të paqartë.
Modeli “Bëj si them unë” nuk ka efekt pozitiv sikurse modeli: “Bëj si bëj unë”.
Lejoni negocimin dhe kompromisin, të cilat do ta ndihmojnë fëmijën të ndërtojë aftësitë sociale të negocimit dhe përshtatjes.
Lëreni fëmijën tuaj të ndjejë pasojat negative të sjelljes së tij.
Kur është e mundur, dënimi duhet të zbatohet menjëherë dhe të lidhen me rregullin e shkelur.
Kujdesuni që dënimet të mund të aplikohen në një periudhë të shkurtër kohore, për të theksuar pozitivitetin e tyre.
Pasojat duhet të jenë të drejta dhe të përshtatshme për situatën dhe moshën e fëmijës!
Edukimi dhe trajnimi i prindërve kusht për një sukses në edukimin e fëmijëve. /natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”