Pyetje:
Përshëndetje!
Vajza ime është 16 muajshe, dhe sipas meje si nënë ka një zhvillim normal. Vallëzon kur dëgjon muzik, ka filluar ti shqiptojë disa fjalë. Shqetësimi imë është se kohë pas kohe lëviz kokën majtas djathtas pa arsyje, por komunikimi qëndron në nivel kur e bënë atë gjest. Unë kam hasur në disa video të publikuara në rrjete sociale që është një ndër simptomat e fëmijëve autik.
Theksoj që jetoj jashtë Kosove dhe këtu me thonë që vajza është shumë mirë.
Përgjigje
Përshëndetje!
Kuptoj plotësisht shqetësimin tuaj.
Është e rëndësishme të theksojmë se çdo fëmijë është unik dhe ka ritme të ndryshme të zhvillimit. Përvojat dhe sjelljet që përshkruani për vajzën tuaj janë pjesë e një zhvillimi të zakonshëm për një fëmijë prej 16 muajsh. Tundja e kokës dhe sjelljet e tjera të lidhura me të shpesh konsiderohen si pjesë normale e zhvillimit të fëmijës, duke vlerësuar kontekstin, kushtet dhe kohezgjatjen në të cilat ndodh kjo gjë.
Mund të më tregoni, prej sa kohësh fëmija juaj ka shfaqur këtë sjellje dhe a ka ndodhur që në muajt e parë të jetës apo është zhvilluar më vonë? Zakonisht, foshnjat kanë muskuj të dobët të qafës dhe shpesh luftojnë për të mbajtur kokën e tyre të kontrolluar. Tundja e vazhdueshme e saj mund të vijë nga disa gjendje të ndryshme të fëmijës, si për shembull, eksperimentimi.
Për një fëmijë, rritja e kontrollit të kokës është një ndryshim i madh dhe tundja mund të shprehë rritjen e besimit mbi kontrollin. Meqenëse është një sjellje e re,fëmija mund ta kthejë kokën nga njëra anë në tjetrën dhe të eksperimentojë me levizjen e saj në pozicione të ndryshme. Një shkak mund të jetë ndjekja e tingullit, ku zakonisht, foshnja e leviz koken drejt tingujve të njohur ose interesante, siç është një perplasje e forte, zëri i prindit apo dicka tjetër, duke bërë levizje të kokes para-mbrapa, në mënyrë që të ndjekë tingullin.
Tendenca për të komunikuar mund të jetë gjithashtu një arsye e tundjes së kokes.
Fëmijët mund t’i kuptojnë mirë fjalët para se të flasin dhe si rezultat, ata mund të fillojnë të kuptojnë disa nga ato që u thonë prindit dhe mund të tundin koken për të komunikuar me ta. Mund të jetë gjithashtu edhe një tendencë për të vetëqetesuar, duke e praktikuar në situata të ngarkuara apo stresuese për fëmijën. Kjo është një mënyrë pozitive e reagimit të fëmijës ndaj situatave të reja.
Gjendja mjekësore është një element shumë i rëndësishëm dhe mendoj se vlerësimi i gjendjes së saj duhet kryer, pasi tundjet e kokes mund të vijë edhe si pasoje e diçkaje që nuk shkon me trupin, si për shembull, dhimbje, por ju thoni se sipas specialistëve fëmija është mirë.
Disa nga elementet që unë do të keshilloja të vëzhgoni do të ishin: cilësia e ndërveprimit me ju apo me vëllezërit/motrat/fëmijët, kontakti i vazhdueshëm me sy, nëse tundjet aktivizohen në momentet e ankthit (kur fëmija nuk po ndjehet mirë), nëse e bën si tendencë për të lënduar veten ose për të tërhequr vëmendjen, për të parë nëse i përgjigjet thirrjes tuaj. Hudhja e bebit lart është shumë e shpeshtë tek prindërit, kjo pasi fëmija jep reagime duke qeshur, por një gjë e tillë nuk është e mirë, sepse sjell dëme serioze në trurin e fëmijës.
Nëse keni pyetje të tjera, mund të më shkruani ose mund të takohemi edhe online. Ju uroj shëndet juve dhe vajzës tuaj.
Pukjana Geci Psikologe dhe terapiste.
/natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”