Si të mësojmë fjalët e para dhe të reja në det?

Pyetje:

Si të mësojmë fjalët e para dhe të reja në det?

 

Përgjigje:

Padyshim që pushimet janë kohë që të gjithë e presin që gjatë atyre ditëve të relaksohen, argëtohen, shijojnë momentet e mrekullueshme me familje por pse të mos e zbukurojmë ende pushimin me fjalët e para dhe të reja të vogëlushëve tanë duke luajtur në plazh.

Mund të emërtoni gjërat që shikoni, prekni, dëgjoni, nuhatni, shijoni. Emërtoni gjërat që shihni dhe prekni ato, si: kapela, syzet, rëra, uji, topi, kova, lopata, kostumi i notit, kremi i diellit, guacka, etj. Afrohuni tek deti, prekni uji bashkë dhe emërtojeni “Ujiii”, siguroheni që të shoqëroni fjalët me tinguj dhe intonacion të ndryshëm të zërit, si: “brrr, sa i ftohtë uji”, “uaa, rëra”, “uaa, anija”, “ooo, sa e nxehtë rëra”, etj.

Bëhuni kreativ me lojëra të ndryshme në varësi edhe të preferencave të fëmijës.

Mbushni kovën me ujë dhe hidheni tek rëra duke e shoqëruar me tingujt të ndryshëm, ndërtoni kështjella me rërë, bëni forma të ndryshme me lodrat e rërës dhe emërtoni ato, fshihni gjërat në rërë dhe kërkoni fëmijës që t’i gjeni së bashku në mënyrë që të rritni dhe kureshtjen e fëmijës, mund të fshehni topin dhe kur e gjeni të tregoni me zë të lartë, “Uaa, gjeta topinn”. Mbledhni guacka bashkë dhe secilën që gjeni thoni, “Jaa, e gjeta një”, “Bravo, ti ke gjetur guacka shumëë”, “Uaa, kemi mbushur kovën”. Paketoni bashkë gjërat për në plazh duke e angazhuar dhe fëmijën të sjell gjërat që i kërkoni. Fokusohuni tek foljet “Ama”, “Merre”, “Preke”, “Gjeje”.

Poashtu është e ditur që të gjithë fëmijët janë adhurues të akullores dhe mund të shijoni bashkë akullore duke stimuluar për tinguj dhe fjalë të reja, si: “Hmm, sa e shijshme”, “Hmm, qenka me dredhëz”,.. Sigurohuni që pasi i keni thënë ju fjalët t’i leni hapësirën e nevojshme fëmijës për t’i përsëritur ato pa presionin tuaj. Mos harroni mbi të gjitha është e rëndësishme që të argëtoheni gjatë kësaj kohe. Pushime të këndshme për të gjithë!

Egzona Maloku – Logopede./natalmedia.com/

 

 

 *Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts