Fëmija 4 vjeç nuk dëgjon dhe ka sjellje agresive?

Pyetje:

Përshëndetje!

Kam djalin 4 vjeç. Kohët e fundit ka pasur një sjellje shumë të keqe, nuk na dëgjon çfarë i themi, gjuan vazhdimisht gjërat në tokë, bërtet, qan dhe nuk më dëgjon fare. Jam munduar vazhdimisht që ta marr me të mirë, por nuk më bindet. Burri më thotë se nuk di ta edukoj, dhe ndihem shumë fajtore. Asnjëherë nuk e kam rrahur sepse e di që nuk duhet Të lutem më këshillo se si të veproj.

Përgjigje:

Përshëndetje!

Në edukimin e fëmijës, pa dyshim, kanë obligim të dy prindërit, si nëna ashtu edhe babai. Nuk është e drejtë që kjo përgjegjësi t’i kalohet vetëm nënës. Ju kuptoj shumë mirë që situata që përshkruani është shumë shqetësuese dhe e vështirë për t’u menaxhuar.

Sjelljet e djalit tuaj janë të zakonshme për fëmijët e vegjël që ende po mësojnë të menaxhojnë emocionet dhe frustrimet e tyre. Le të shqyrtojmë disa aspekte të sjelljes së tij dhe të japim disa këshilla për të ndihmuar në menaxhimin e këtyre situatave.

Fëmijët në moshën 4 vjeçare shpesh përjetojnë shpërthime emocionale për disa arsye:

Frustrimi: Ai ndoshta përjeton një ndjenjë të madhe zhgënjimi sepse nuk mund të marrë ato që dëshiron dhe nuk e kupton plotësisht arsyen pse. Zhvillimi emocional: Në këtë moshë, fëmijët ende po mësojnë si të menaxhojnë emocionet e tyre dhe shpesh nuk dinë si t’i shprehin ato në mënyrë të duhur.

Ndjenja e kontrollit:

Ai mund të ndjejë që nuk ka kontroll mbi situatën dhe përpiqet ta rimarrë atë përmes shpërthimeve të zemërimit. Ajo që si fillim do ju këshilloja është të ruani qetësinë dhe të përpiqeni të komunikoni butësisht. Fëmijët shpesh marrin shenja nga reagimet tona dhe reagimi me qetësi mund të ndihmojë në qetësimin e tyre.

Vendos kufinj të qartë për sjelljen e pranueshme dhe të papranueshme. Shpjegoja qartë se goditja nuk është e pranueshme dhe tregoji mënyra alternative për të shprehur frustrimin, si të flasë ose të përdorë fjalët për të shprehur atë që ndjen. Përpiquni ti mësoni teknika të thjeshta të qetësimit, si frymëmarrja e thellë.

Mund të luani lojëra ku të bëni frymëmarrje të thella së bashku për t’u qetësuar. Përdorni përforcimin pozitiv duke i shpërblyer sjelljen pozitive.

Kur ai tregon se është i qetë dhe dëgjon, mund ti thuash fjalë lëvduese dhe jepini përforcim positive. Nëse situata bëhet shumë e vështirë, mund të përdorësh një kohë për tu qetësuar (time-out). Një vend i qetë ku ai mund të qetësohet për disa minuta.

Shpjegoji që kjo është për t’u qetësuar dhe jo një ndëshkim. Gjithashtu ndihmuese do të ishte edhe ta ndihmoje të kuptojë emocionet e tij duke i dhënë emra atyre:

“E kuptoj që je shumë i zemëruar sepse nuk mund të dalesh jashtë por pasi te kemi pushuar do të dalim, pasi kjo mund të ulë nivelin e përjetimit.

Provoni të flisni me të pasi të jetë qetësuar për të diskutuar se çfarë ndodhi dhe si mund ti përballojë më mirë situata të ngjashme në të ardhmen.

Nëse këto teknika nuk funksionojnë dhe sjelljet e djalit vazhdojnë të jenë të vështira për t’u menaxhuar, mund të konsideroni edhe të kërkoni ndihmë profesionale nga një terapist fëmijësh.

Unë ju falenderoj dhe shpresoj që këto këshilla të jenë të dobishme dhe të ndihmojnë në menaxhimin e situatave të tilla.

Pukjana Geci Psikologe dhe terapiste./natalmedia.com/

 

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

 

SHPËRNDAJE:

Related posts