Helicobakter pylori infeksion me shumë pasoja

Shkruan:Dr Ismail Lutolli

Subspecialist Dijetolog-Nutricionist

 

Nëse ju ndodhë që gjatë natës nuk gjeni dot qetësi nga një ndjenjë e djegies në kafazin e krahërorit, nëse gjatë ditës keni dhimbje të herëpas’hershme të stomakut apo keni vështërsi në tretjen e ushqimin, nëse stomaku juaj rrin i fryrë dhe keni gromësira e ndjenjë djegësimi, është koha të mëndoni për mundësinë që të keni infeksionin e njohur si helikobakter pylori.

Nëse fëmija juaj ka mungesë oreksi, ka probleme me jashtëqitjen, refuzon ushqimet e herë pas here ankon për dhimbje barku si dhe natën ka një gjumë jo të qetë, është koha te mendoni mundësinë e infeksionit me helikobakter pylori.

Helicobacter Pylori është një bakterie që është e pranishme në pothuajse gjysmën e popullatës së botës. Në zonën e ballkanit kemi një numër që arrin deri në 65 % e popullatës e prekur nga H.pylori.

 

Mbi 75 % e tyre janë asimptomatikë që do të thotë gjatë jetës së tyre nuk kanë simptomta të shprehura dhe shenja të theksuara të sëmundjes. Ky fakt ka ngjallur edhe shumë dilema për nivelin e rrezikshmërisë së kësaj bakterie.

Përafërsisht 15-20% e të infektuarve, gjatë një kohe të shkurtër ose më të gjatë, do të zhvillojnë probleme te traktit tretës (stomakut dhe duodenit) dhe më pak se 1% edhe tumor (kanceri ose lymphom stomaku).

Te moshat fëmijërore ky infeksion shkakton probleme reale në traktin tretes, ushqimin e fëmijeve që ndikon direkt në rritjen e zhvillimin e duhur të tyre.

Soje të ndryshme të Helicobacter pylori kanë karakteristika të ndryshme – disa shpejt sjellin dëmtime të rënda në organizëm, ndersa të tjerat për shumë vitë jetojnë pa pasoja të mëdha klinike.

 

Rruga e përhapjes së infeksionit

Marrja e infeksionit me këtë lloj bakterie në një pjesë dërmuese të rasteve ndodhë që në moshën e hershme të fëmijërisë, gjatë kontakteve të para me ambientin përreth që është i kontaminuar me H.pylori.

Rruga e përhapjes së infeksionit mendohet të jetë përmes kontaktit direkt me pështymën e personit te infektuar, të vjella dhe jashtëqitje të personave të infektuar me H pylori. Kjo është rrugë me e shpeshtë e bartjes.

Ushqimi dhe uji i pakontrolluar është burimi i infeksionit në vendet në zhvillim. Gjithashtu mund të infektohemi dhe nga konsumimi i gjërave që ishin të kontaminuar me Helikobakter pilori.

 

Simptomat apo shenjat klinike te sëmundjes
Shumica e njerëzve rreth 75 % të infektuar me helikobacter pylori nuk kanë simptoma (shenja) te theksuara dhe nuk shfaqin probleme.

Megjithatë, pjesa tjetër e të infektuarve shfaqin probleme serioze sidomos kur është e përfshirë ulçera e stomakut ose duodenit tek moshat e rriturra.

 

Simptomat më të shpeshta që i hasim janë :

• Dhimbje dhe shpeshherë ndjesi jorehatie në pjesën e sipërme të barkut;

• Nauze ose mundim – ndjenjë për të vjellur;

• Ndjesia e ngopjes pas një vakti të vogël ushqimi;

• Humbje oreksi dhe irritim ndaj ushqimeve të caktuara (sidomos e shprehur në moshat pediatrike );

• Gromësirë, ndjenjë djegësimi;

• Të përziera ose te vjella si dhe fryerje barku;

• Jashtëqitje të errët ose të zezë si qymyri në fazë më të avansuar të ulçerës (të moshat e rriturra);

• Anemi dhe këputje trupore shpeshëherë shumë të theksuar;

• Në raste më të rralla kemi edhe zhvillimin e sëmundjes malinje (kancerit) te moshat e rritura;

• Gjithashtu, shenja të tjera të sistemit gastrointestinal nga infeksioni janë varësisht nga prezenca e gjatë dhe e pa mjekuar, mund të japin shenja edhe në sisteme tjera, si pasojë e rënies së imunitetit.

 

Ndryshimet në traktin tretës pas infeksionit

H. pilori shkakton ndryshime në stomak dhe duoden (zorrën 12-gishtore). Bakteria infekton indet mbrojtëse të mukozës së stomakut dhe aty kemi aktivitetin e theksuar. Kjo prezencë e bakteries çon në çlirimin e disa enzimave dhe toksinave dhe aktivizon sistemin imun (mbrojtës). E marrë si tërësi, i tërë ky proces dhe këto reaksione në mënyrë direkte dhe indirekte, mund të dëmtojnë qelizat e stomakut dhe duodenit. Si rrjedhojë kemi zhvillimin e inflamacionit kronik (pezmatim i vazhdueshëm) në mukozën e stomakut (gastritis) dhe duodenit (duodenitis). Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, stomaku dhe duodeni janë më të ndjeshëm prej lëngjeve tretëse, siç është acidi gastrik. Në faza me të avansuara problemet mund të jenë shumë më të theksuara sa shpeshëherë detyrojnë pacientët t’i drejtohen mjekut.

Ndryshimet në traktin tretës pas infeksionit tek femijët

Zhvillohen proceset e ngjashme të përshkruar sipër por shenjat klinike shpeshëherë maskohen me probleme tjera. Një pediatër duhet të mendoj për prezencen e këtij infeksioni sa herë të ketë para një fëmijë i cili ka problem me ushqimin, peshën dhe në përgjithesi me traktin tretës.

Diagnoza e pranisë së Helikobacter pylori në trup

Procedurat diagnostike të përdorura për zbulimin e infeksioneve Helikobacter pylori klasifikohen në dy grupe: jo invazive dhe invazive.

  1. Jo invazive, pa përdorimin endoskopisë, tregojnë praninë e Helikobacter pilori provon aktivitet specifik të këtyre bakterieve, mundësisht enzimë e saj Ureaza (urea testit me frymë), prezenca e antitrupave specifike në serum ose antigjeni i Helikobacter pilori nga jashteqetja e pacientit.
  2. Invazive, Gastroskopia -biopsia ku gjatë procedurës së gastroskopisë, mjeku me anë të një pajisjeje, merr material në mukozën e stomakut duke e gërvishtur atë. Ky material analizohet prej mjekut anatomopatolog në mikroskop. Ky test është 100% i sigurt, por dhe më i kushtueshmi. Në shumë raste është i domosdoshëm realizimi i gastroskopisë për të parë më afër traktin tretës dhe ndryshimet që kanë ndodhur aty deri në momentin e realizimit të terapisë.
  3. Të gjithë pacientët më të vjetër se 50 vjeç, ose të gjithë ata që kanë “simptoma alarmuese” pa marrë parasysh moshën, këshillohen t’i referohen trajtimit të veçantë gastroenterologjik dhe ekzaminimit endoskopik –gastroskopisë

 

Si trajtohen infeksionet Helicobacter pylori?

Infeksioni Helicobacter pylori trajtohet me:

Kombinime të veçanta të barnave: zakonisht me dy ose tre antibiotikë të ndryshëm (amoksicilinË, klaritromicinë ose metronidazol) dhe një bari shtesë nga i ashtuquajturi grup Frenuesit e pompës së protonit. Të gjitha ilaçet merren dy herë në ditë për një kohëzgjatje prej 10 deri në 14 ditë .Kurimi i infeksionit me trajtimin e parë është i mundur në rreth 80-85% të rasteve. Terapia 7 ditore e cila me të madhe përshkruhet si te moshat pediatrike si tek te rriturit nuk ka rezultuar efikase.

 

Nëse regjimi i parë i trajtimit nuk ka qenë i suksesshëm, trajtimi mund të përsëritet me një tjetër kombinim të antibiotikëve. Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, rreth 2-5% e infeksioneve mbeten të patrajtuara. Për fat të mirë, këto janë kryesisht infeksione të shkaktuara nga lloje “të padëmshme” Helicobacter pylori, të cilat nuk shkaktojnë ndryshime të rëndësishme në stomak. Në mënyrë paradoksale, lloje të Helicobakter pylori, mund të ndikojnë duke çuar në sëmundjet më të rënda, ulçerë peptike ose madje edhe kancer të stomakut (limfoma dhe karcinomës), ajo është shumë më e lehtë për të kuruar.

 

Vështërsitë gjatë mjekimit
Mbi 50% e pacientëve kanë efekte rënduese gjatë marrjes së mjekimit për këtë bakter. Disa prej efekteve rënduese -anësore më të shpeshta, janë shija metalike në gojë, skuqje të lëkurës, dhimbje koke, të përziera, të vjella, djersitje dhe shpeshtim të rrahjeve të zemrës (takikardi), konstipacion (kapsllëk) dhe jashtëqitje të ngjyrosura, si dhe diarre dhe dhimbje stomaku në formë krampesh (shtrëngimi).

Në më pak se 10% e pacientëve ndalojnë mjekimin prej efekteve anësore të forta. Për ata që kanë efekte anësore prej mjekimit, mund të bëhen ndryshime në doza ose në kohën e marrjes së mjekimit si dhe kujdes i madh ne aspektin dietologjik gjatë procesit të mjekimit.

 

A mund të rikthehet përsëri infeksioni nga H.Pylori pas mjekimit ?
Suksesi i shërimit të infeksionit Helikobacter pylori duhet të kontrollohet gjithmonë. Nëse bëhet fjalë për të rinjtë në të cilët infeksioni është diagnostikuar me metoda “joinvazive” dhe kontrolli mund të jetë i njëjtë, kryesisht duke përdorur një test të nxjerrjes ose përcaktimin e antigjenit në jashtëqitje . Në mënyrë jo invazive mund të kontrollohet edhe pacientët qe gjatë realizimit të gastroskopisë janë konstatuar një gjetje histologjike të gastrit të padëmshme, si dhe pa prezencë të erozionit ose ulçer të komplikuar.

Megjithatë, pacientët me ulçerë stomakut ose ata me një gjetje histologjike të mukozës së stomakut që tregojnë gastrit të rëndë me një kancer potencial të dyshuar ,duhet patjetër të realizojnë gastroskopinë pas përfundimit të terapisë.

Pas dy trajtimeve të dështuara, ekziston një dyshim i arsyeshëm se bakteria është bërë rezistent ndaj antibiotikëve konvencionalë. Prandaj, para zgjedhjes së ardhshme të terapisë, rekomandohet të bëhet një ekzaminim gastroskopik duke marrë mostra të mukozës gastrike për ekzaminim mikrobiologjik dhe duke testuar ndjeshmërinë ndaj antibiotikëve konvencional (antibiogram). Sipas kësaj të gjeture, krijohet një kombinim i ri i barnave.

 

Ushqimi ka rol te veçante në trajtimin e infeksionit me helikobakter

Gjatë kohës së terapisë por edhe pas trajtimit, ushqimi luan një rol të rëndësishëm në tërë këtë proces sa herë kemi prezencë të këtij infeksioni edhe nëse vie deri të shërimi do të duhet kohë që të kemi shërim të plotë edhe të gastritit apo dëmeve tjera të shkaktuara. Ushqimi gjatë tërë këti procesi ka rëndësi të jashtëzakonshme.

 

Ju këshillojmë ushqimet e mëposhtme :

Mjalta
Mjalta është treguar mjaft efikase në luftën kundër kësaj baterie sidomos në procesin e shërimit .E njohur si një ushqim mjaft efikas si nga aspekti i luftimit te infeksionit ashtu edhe në rolin e regjenerimit të mukozës së dëmtuar të stomakut apo traktit tretës.

 

Propolisi
Propolisi është një antibiotik natyror i njohur, i cili ndikon direkt në përforcimin sistemit të mbrojtjes imunitare në organizëm, gjithashtu luan rol të rëndësishëm në shërimin e gastritit. Është i njohur roli i tij në eliminimin e infeksionit me helikobakter pylori.

 

Xhenxhefil
Është një antibiotik natyral dhe mjaft i njohur për efektet e dobishme mbi shëndetin, përfshirë edhe shërimin e infeksionit nga Helikobakter pylori. Roli i tij në tërë sistemin tretës është i konsideruar.

 

Brokoli
Ndihmon në procesin e shërimit sidomos me prezencën e lartë të sulforafans i cili mund të eliminojë këtë bakter, është gjithashtu ideale për parandalimin e kancerit të stomakut.

 

Hudhra
Konsumimi i hudhrës së gatuar dhe po ashtu asaj të papërpunuarës mund të ndihmojnë për në mbytjen e bakterit Helikobacter pylori. Një studim në vitin 2016 tregon se njerëzit me këtë baterie të cilët kanë konsumuar në shujtat e tyre 2 hudhra me madhësi mesatare ( përafërsisht 3 gram), kanë përjetuar reduktim të dukshëm të bakteries. Kjo tregon se hudhra ka efekte shumë të forta antibakteriale kundër H. Pylori.

 

Vaji i ullirit
Vaji i ullirit ka aftësi të forta antibakteriale po ashtu mbetet i fiksuar në acidin e stomakut që ndihmon në pastrimin e saj.

 

Vitamina C
Gjendet në shumicën e agrumeve mund ta përshpejtojë vetë procesin e shërimit të mukozës së lukthit dhe të pakësojë efektet e padëshiruara nga vetë tretmani.
Kur njëherë ta keni hedhur bakterien nga organizmi juaj, vitamina C pakëson ndryshimet para-kanceroze në stomakun tuaj.

 

Shafran i Indisë
Ndikon në trajtimin me sukses te shqetësimeve të tilla si nauze, dhimbje, gazrat e tepërta, inflamacion dhe të ngjashme. Përbërësit e dobishëm të shafranit stimulojnë lëngjet stomakut që mbrojnë membranën mukozë të traktit gastrointestinal nga bakteret Helico.

 

Boronicë e kuqe
Ekstrakti boronicë përmban anthocyanins, bakteriostatik të fuqishme.

Nëse keni menduar të zgjidhni problemet me traktin tretës, është koha e duhur dhe nuk ka nevoje të shtyni më gjatë diagnostifikimin dhe mjekimin tuaj nga infeksioni me Helikobakter pylori.

Përdorimi i terapisë adekuate së bashku më ushqimet ndihmuese është rruga e sukseshme për eliminimin e plotë dhe për rikthimin e vitalitetit dhe fuksionimit normal të traktit tretës. /natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts