Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute
Artikulacioni i kërdhokulës formohet nga kocka e kofshës (femuri), e cila ka një kokë në formë topi. Kjo përshtatet në legen, një fole në formë filxhani të quajtur acetabulum.
Luksacioni kongjenital i kërdhokulave është një çrregullim i lindur i artikulacionit coxo-femoral, mjaftë i shpeshtë te foshnjat e porsalindura. Në raste të tilla artikulacioni coxo-femoral nuk është i formuar mirë për shkak të osteogjenezës së pamjaftueshme.
Acetabulumi mbetet shumë i sheshtë dhe nuk mund ta mbajë mjaftueshëm kokën e femurit, që ka formën e topit.
Në format e lehta, zhvendosja e lindur e kokës së femurit dallohet vetëm në adoleshencë ose edhe më vonë. Në formën më të rëndë, ky keqformim shkakton zhvendosje të pjesshme ose të plotë të artikulacioneve të legenit (zhvendosja e legenit).
Nëse ky keqformim diagnostikohet menjëherë pas lindjes dhe trajtohet në përputhje me rrethanat, mund të shërohet tërësisht. Sot, vlerësimi për luksacionon të kërdhokulave është një nga ekzaminimet e zakonshme që kryhet tek të gjithë të porsalindurit.
Ky problem zbulohet gjatë kontrolleve të foshnjave nga mjeku me anë të ultrazërit dhe ekzaminimit fizikal.
Faktorët e zakonshëm të rrezikut të lidhur me luksacionon kongjenital janë:
Historia familjare
Deformimet e këmbëve
Reduktimi i lëngut amniotik në mitër
Pesha e lindjes mbi 4 kg etj.
Luksacioni kongjenital i kërdhokulave nuk është i dhimbshëm, mirepo disa nga shenjat mund të jenë:
Njëra këmbë mund të duket më e shkurtër se tjetra.
Një palë lëkurore shtesë prezente në pjesën e brendshme të kofshës.
Njëra këmbë lëviz ndryshe nga tjetra dhe gjuri mund të duket i drejtuar nga jashtë.
Kur ndërroni pelenën e fëmijës suaj, njëra këmbë duket se nuk lëviz nga jashtë aq plotësisht sa tjetra.
Nëse nuk zbulohet në lindje, kur fëmija juaj fillon të ecë vërehet se ai çalon gjatë ecjes. Nëse foshnja është diagnostifikuar me luksacion të kërdhokulave atëherë ai do të mbajë një parzmore të butë që i mban këmbët në një pozicion të përkulur që vishet për 16-18 javë dhe do të monitorohet nga mjeku. Nëse foshnja juaj nuk i përgjigjet trajtimit në parzmore ose nuk zbulohet në faza të hershme mund të ketë nevojë për intervenim kirurgjik.
Pas trajtimit është e rëndësishme që të bëhet një vlerësim fizioterapeutik për të vlerësuar zonat e dobësisë së muskujve dhe diapazonin e lëvizjes së kërdhokulave, në mënyrë që të arrihet zhvillimi normal te fëmija dhe ai të mësoje aktivitetet motorike si zvaritja ecja etj Nëse luksacioni kongjenital i kërdhokulave zbulohet herët, menjëherë pas lindjes së foshnjes, mund të trajtohet me sukses të plotë./natalmedia.com/
*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”