A duhet ndëshkuar fizikisht femijet?

Shkruan: Dr Samire Ademi Lutolli 

Specialiste-Gjinekologe dhe Obstetre,

Specialiste në subspecializim për infertilitet

 

 

Shumica thonë JO por a përmbahen dot prindërit gjithmonë! A e dinë këtë të gjithë prindërit apo mendojnë se thupra ka dalur nga Parajsa?

 

Por pse atëherë e bëjnë disa prindër? Sepse duke e bërë t’i dhembi do ta ndëshkojë fëmijën për sjelljen e tij.

 

Pavarësisht nga këshillat e ekspertëve, ndëshkimi fizik i fëmijëve është i pranishëm. Të dhënat statistikore nga fusha e mjekësisë  tregojnë  se  forma e ndëshkimit fizik e bërë herë pas here apo më shpesh është prezente në më shumë se 90% të familjeve me qëllim për të disiplinuar fëmijët. Kjo formë e ndëshkimit fizik mund të shprehet në mënyra të ndryshme: të tërhequrit zvarrë, të goditurit me pëllëmbën e dorës, të goditurit me këmbë ose objekte përreth duke ë shkaktuar femijës plagë, djegje e trauma fizike pa llogaritur këtu traumën më të madhe, atë psiqike  .

Në shumë raste prindërit fillojnë ndëshkimin fizik të fëmijëve me metoda të lehta duke kaluar pastaj edhe në ndëshkime të rënda e me pasoja për fëmijët.

Nuk mund të themi se një e “ledhatuar” në prapanicë do t’i dhimbte aq shumë ose ta çmendtë fare nga pasojat. Kjo  mund të ishte ndonjëherë një mjet qortues i suksesshëm.

Por, nga studimet e shumta është parë që  përgjithësisht ata prindër që përdorin metoda ndëshkimi fizik të lehta pa dyshim që do të përdorin ndonjëherë edhe metoda më të rënda me pasoja.

Sad Child Girl Crying  violence of children stock pictures, royalty-free photos & images

Asnjë prind  nuk ka të drejtë t’i mësojë rregullat dhe diciplinën femijës përmes ndëshkimeve të përziera në shkarkimin e zemërimit prindëror

Kur atij i skuqet faqja dhe shenjat e gishtërinjëve të dorës së madhe që ia përmbledh gjithë fytyrën mund të mendojmë se kjo do t’i kalojë për disa minuta por nuk kemi menduar sa i kemi  dëmtuar shëndetin mendor atij faqeskuqurit apo i kemi dhënë masën e qëlluar të ndëshkimit sa për ta kuptuar.

 

Pasojat e ndëshkimit fizik të fëmijës

• Fëmijët më të vegjël se 18 muaj janë shumë të ndjeshëm dhe të prekshëm, në mënyrë që çdo formë e dënimit fizik mund të çojë në dëmtime. Nga ana tjetër,  fëmijët  e vegjël e kanë të  vështirë për të kuptuar lidhjen midis sjelljes së  tyre  dhe ndëshkimit .
• Metodat e ndëshkimit me heqjen e privilegjeve të fëmijës janë  shumë më të efektshme dhe humane në zvogëlimin e sjelljes se padëshiruar te fëmijës, sidomos në periudha afatgjata .

• Për të të ndalur sjelljen e padëshiruar të fëmijës me kalimin e kohës ndëshkimi fizik  “rrahja”  bëhet i paefektshëm (fëmijët vinë duke u përshtatur ), prindërit do të jenë të detyruar të shtojnë intensitetin e rrahjes për të arriitur efektet që kërkojnë që d.m.th do të kalojne në një abuzim të hapur me fëmijët.
• Edhe pse dënimi fizik mund të lërë përshtypjen se prindërit kanë një efekt pozitiv në sjelljet e padëshiruara, ky veprim në thelb ka një efekt të dyfishtë negativ për fëmijën.

 

Së pari, ai shkakton dhimbje fizike, nga ana tjetër, shkakton pasoja  shumë negative që mund t’a shtyjë fëmijën drejt  depresionit dhe formave të tjera të çrregullimit të sjelljes.

Së dyti kjo sjellje mund të ndikojë në shtimin e agresivitetit tek fëmija e që shfaqet përmes, agresioni ndaj shokëve,përdorimit të substancave të dëmshme  në mënyrë që të shmangen përvojat  e pakëndshme. Agresiviteti mund të drejtohet në fazat e mëvonshme edhe në drejtim të prindërve.
• Zakonisht prindërit të cilët kanë problem me konntrollin e sjelljes së tyre e reflektojnë këtë me ndëshkime fizike të fëmijës  me synim të kontrollit te sjelljes së  tyre  deri në  dërgimin e fëmijës në spitale Psikiatrike . Prindërit në këto raste dështojnë të jenë modeli i duhur për fëmijët  dhe agresiviteti i tyre shërben si model  duke e shfaqur atë edhe ata si pjesë normale të jetës  së tyre.

•Raporti i ndëshkimit fizik të fëmijëve mund të funksionojë deri në adoleshencë por më tutje gjërat do të vijnë duke u keqësuar.

• Ndodh që nga nga ndëshkimi fizik disa herë të ketë qetësim të fëmijës nga frika duke i bërë  prindërit të besojne se kjo formë po jep efektet e duhura dhe tani më ndëshkimin fizik e bëjnë rutinë të përditshme pa qenë të vetëdishëm për pasojat e mëdha.
• Fëmijët që kanë qenë të ndëshkuar fizikisht në fëmijërinë e tyre , si të rritur tregojnë kontroll të  dobët të sjelljes, tregohen më agresivë, më shumë gjasa të rrahin fëmijët e tyre dhe bashkëshortin, kanë më shumë probleme në martesë, shpesh fillojnë  abuzimin  me alkool dhe substanca psikoaktive dhe  shpesh i gjejmë të përfshirë në kryerjen e dhunës dhe krimeve.

upset sad sad child girl in stress cries at an empty dark wall  violence of children stock pictures, royalty-free photos & images

 

Atëherë si t’i kontrollojmë camarrokët?

 

Nga studimet e shumta mjekësore e psikologjike është vertetuar se largimi i privilegjeve ne njërën anë si dhe përdorimi i lavdërimit dhe argëtimit duke i mësuar në anën tjetër është shumë më i qëlluar dhe edukativ karshi ndëshkimit fizik.

Të korrigjosh një fëmijë që përmbys koshin e plehrave për ta përdorur si karrige, do të thotë “të sterilizosh(vrasësh) fantazinë e tij”, ta detyrosh të sillet brenda rregullave një fëmijë që ende se ka shume  të qartë cilat janë ato rregulla do të thotë të vendosim frikën në imagjinatën e tij d.m.th kemi bërë një dëmtim në rritjen e shëndetshmë të fëmijës.

Fëmijët nuk duan gjithmonë atë që prindërit duan andaj prindërit janë të detyruar që fëmijëve t’ua mësojnë sjelljen e përshtatshme dhe rregullat pa përdorur ndëshkime fizike .
Si fillim pridërit duhet t’ua plotësojnë fëmijëve disa nevoja të domosdoshme psikologjike si :

 

  • “të jenë të mirëpritur” –  të jenë fëmijë të pranuar dhe të dashur nga prindërit.

Kur fëmijët nuk janë të mirëpritur dhe të dashur në shtëpinë e tyre ata këtë ndjenjë do ta kenë edhe në ambientet jashtë shtëpisë pra do të ndihen  inferiorë.

  • ” ta ndjejë veten të barabartë  ” si  anëtar i familjes

 

  • Të jetë i pavarur nga të tjerët, fëmija duhet të guxojë, të mendojë dhe të veprojë. Për pavarësinë e fëmijës duhet mbështetje jo kontrollë rigoroze.

 

  • ”Të jetë i sigurtë në mbështetjen e prindërve ”, do të lejojë negociata, këshilla për ndryshime pa qenë nevoja për ndëshkimin fizik .

Pra, vetëm kur  prindërit arrijnë të krijojnë një lidhje të mirëqenë me fëmijën në përputhje me moshën ku dashuria dhe respekti zë vendin kryesor, atëherë prindërit do të kenë sukses t’u mësojnë  rregullat e disiplinës. Disiplina është e rëndësishme të kuptohet  si një mjet për të mësuar e jo ndëshkim. Në këtë mënyrë fëmijët do të fillojnë të dallojnë  sjelljen e drejtë nga ajo jo e drejtë, do të sjellë pavarësinë e tyre, vetëbesimin, aftësin e përshtatjes dhe faljes.

Prindërit dhe fëmijët së bashku duhet të vendosin që shpërblimi dhe pasojat do të aplikohen. Prindërit gjithmonë duhet të ofrojnë dhe të sigurojnë mbështetje pozitive (shpërblime) fëmijëve kur ata ndjekin rregullat.

 

Fëmijët mësojnë nga eksperienca e tyre 

 

Hiding under a bed  violence of children stock pictures, royalty-free photos & images

Ndalimi ose ndërprerja e privilegjeve është parë si masë shumë efektive për shkak se ndihmojnë fëmijën  të jetë përgjegjës për veprimet e tij, pa dëmtimin e respektit për veten e tij. Nëse fëmijët janë të fiksuar pas televizionit, kompjuterit apo video lojrave, mund të shfrytëzojmë fikjen e këtyre paisjeve pra të ndërprejmë shfaqjet e tyre  të preferuara  si pasojë e një sjelljeje veprimi jo të mirë dhe vërjen e tyrë në punë do ta kushtëzojmë me rregullimin e sjelljes apo veprimit.

Nëse një fëmijë derdhjet e qumështit në një tavolinë kuzhine i ka bërë rutinë atëherë mund t’i ndalojme shikimin e një filmi vizatimor derisa të pastrojë qumështin e derdhur. Kjo do të ndikojë që herën tjetër nuk do ta përsërisë derdhjen e qumështit.

Gjithashtu shpërblimet dhe falenderimet për punët e mira të fëmijëve kanë një rol shumë edukativ dhe shpeshherë më të efektshëm sesa heqja e privilegjeve.

Një fëmijë që ka dëshirë të shkojë në një kënd lojrash duhet të shfrytëzojmë përmrëisimin e sjelljeve pikërisht duke i kërkuar që të mos e përsëris më ose t’i kërkohet të bëjë një sjellje të mirë nëse do që ta çojmë te ky kënd lojrash.

Asnjëherë të mos bëjmë premtime që nuk do t’i mbajmë tek fëmijët pasi në sytë e tyre do të dukeshim “gënjeshtar” që premton dhe nuk e mban premtimin.

 

               Këshilla për disiplinë të sukseshme  

• Të kemi besim në fëmijën tonë.

• Të sigurohemi që ajo që ne  kërkojmë nga fëmijët  tanë është në përputhje me moshën dhe me zhvillimin e përgjithshëm të tij.

• Të mos  e nënçmojmë  sepse rruga e fëmijës është rrugë e njohjes  së botës përreth ku do këtë shumë gabime e përmirësime.

• Të jemi të qartë  në lidhje me atë që kërkojmë nga fëmija.
•Të përpiqemi që së  pari të jemi vetë ne  shembull në atë që kërkojmë nga fëmija, pra, të mundohemi të kërkojmë nga fëmija “të veprojë si veprojmë ne “ e jo të veproj “si themi ne “

• Të lejojmë negociata  dhe kompromise ,kjo  do ta ndihmojë fëmijën  të ndërtojë aftësitë sociale të negociatave dhe të përshtatjes.
Të krijojmë edhe tek ata bindjen se mundemi  të  shpërblejmë por edhe të “ndëshkojmë”.
• Të lejojmë  fëmijën  që të ndjejë pasojat negative të sjelljeve të tij më heqjen e privilegjeve  por edhe me shpërblime shtesë në rastin e zbatimit të mirë të rregullave, punëve që kërkohen nga ai.
– Të mos  harrojmë kurrë që heqja e privilegjeve por edhe shpërblimet të përshtaten me moshën e fëmijes .

 

Të mos harrojmë se të gjithë njerëzit mësojnë duke gabuar e si të mos gabojë një qenie që është në fillet  e mësimeve të jetës./natalmedia.com/

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts