Pyetje:
Përshëndetje!
Në moshën 19 vjeçare kam zbuluar se kam skoliozë të lehtë në pjesën e poshtme të shpinës, tani jam 22 vjeçare dhe jam shtatëzënë. A mund të ndikojë skolioza në ndonjë problem gjatë lindjes? A është e këshillueshme fizioterapia gjatë shtatëzanisë?
Përgjigje:
Përshëndetje!
Kjo është një pyetje mjaftë e shpeshtë dhe një shqetësim i zakonshëm i nënave të reja që kanë një skoliozë dhe që janë në pritje të fëmijës së tyre. Skolioza idiopatike është mjaftë e shpeshtë tek vajzat e reja, të cilat në një fazë të jetës planifikojnë të kenë fëmijë. Sipas shumë studimeve të bëra, nuk ka evidenca që një skoliozë e shkallës së lehtë si në rastin tuaj, mund të rrisë rrezikun për komplikim gjatë lindjes apo rritje të gjasave për lindje me prerje cezariane. Skolioza gjatë shtatëzanisë mund të rrisë dhimbjen e shpinës, mirëpo nuk paraqet rrezik serioz për nënën apo beben në shtatëzani. Është shumë me rëndësi të informoni mjekun tuaj dhe ekipin mjekësor para lindjes, nëse do të duhet të merrni epidural. Në këto raste sidomos në rastet me skoliozë më të rëndë, mund të jetë më e vështirë për të gjetur vendin e duhur për injektimin e anestezisë epidurale në shtyllën kurrizore.
Fizioterapia gjatë shtatzanisë është e dobishme në trajtimin e dhimbjes së shpinës që mund të rritet nga skolioza, sikur në rastin tuaj.
Terapia fizikale mund të ndihmojë në zbutjen e dhimbjeve të muskujve përmes ushtrimeve dhe masazheve specifike. Ushtrimet e synuara jo vetëm që ndihmojnë në reduktimin e dhimbjes, por edhe në ruajtjen e forcës së muskujve.
Jeta Kastrati – Fizioterapeute./natalmedia.com/
Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”