Bartja e çantave të rënda kohëve të fundit është një problem me të cilin po përballen prindërit dhe fëmijët

Shkruan: Jeta Kastrati – Fizioterapeute

Disa nga problemet e zakonshme si pasojë e kësaj është dhimbja e muskujve dhe e shpinës, qëndrimi i dobët i trupit, dhimbjet e mesit, dhimbja e qafës dhe e shpatullave, një devijim i shtyllës kurrizore etj. Fëmijët duke mbajtur çanta të rënda shkollore zakonisht zhvillojnë një qëndrim të kokës përpara, supe të srrumbullakosura me trupin e varur përpara tek kombliku për të balancuar dhe kompensuar peshën e rëndë në shpinë, duke shkaktuar kështu një qëndrim jo korrekt.

Shpeshherë fëmijët e mbajnë çantën e tyre në njërën shpatull, duke u mbështetur në njërën anë me gjithë peshën.

Çantat e shpinës shkaktojnë probleme afatgjata të shpinës me qëndrim të keq, deformim të shtyllës kurrizore etj.

Nëse fëmija ka një devijim të vogël te shtyllës kurrizore që është i paidentifikuar ende, bartja e çantave të rënda natyrisht se do të ndikojë në rritjen dhe përkeqësimin e kësaj lakese të shtyllës kurrizore, prandaj edhe identifikimi i problemit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në një fazë të hershme.

Pesha e çantës së shpinës së fëmijës duhet të jetë e përshtatshme me peshën dhe madhësinë e fëmijës. Për fëmijët e moshës së shkollës fillore, një çantë shpine e mbajtur nga një fëmijë që peshon 30-40 kg duhet të jetë jo më shumë se 2 kg.

Shumë fëmijë mbajnë me vete çanta shpine që peshojnë deri në 5 kg, gjë që në në afat të gjatë kohor ka pasoja negative shëndetësore për fëmijën.

Blini një çantë të përshtatshme për femijën tuaj, një çantë që në vetvete nuk është e rëndë. Inkurajoni fëmijën që të vendos dy rripat në krahë kur vendos çantën në shpinë.

Shmangi bartjen e gjërave dhe librave të panevojshme për të reduktuar peshën e çantës. Çanta e shpinës nuk duhet të varet shumë poshtë belit.

Sigurohuni që të blini një çantë shpine me ndarje të ndryshme duke lejuar organizimin e lehtë të sendeve në çantë.

Si prind sigurohuni që t’i mësoni fëmijës tuaj mënyrën e duhur për të mbajtur një çantë shpine.

Shmangni mbajtjen e të gjithë peshës në njërën shpatull dhe shpërndani peshën në mënyrë të barabartë duke e mbajtur atë në të dy supet. Shtrëngoni rripat dhe rregulloni sipas kërkesës në mënyrë që çanta e shpinës të jetë më afër trupit .

Gjithmonë sigurohuni që ta ndihmoni fëmijën tuaj në zgjedhjen e një çante shpine. Nëse fëmijëve u jepet mundësia, ata do të bazoheshin në pamjen e çantës së shpinës dhe jo nga funksionaliteti i saj./natalmedia.com/

 

 

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts