Çdo shtatzëni, një dhëmb më pak. Mit apo e vërtetë?

Shkruan: Dr Manushaqe Veliu

Specialiste e Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive

Ky është sigurisht një mit!

Si të arrini të mbani dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve të shëndetshëm gjatë shtatzënisë?

Këshilla ime për të gjitha gratë që planifikojnë një shtatzëni është që para shtatzënisë të bëjnë një ekzaminim dentar dhe të kryejnë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, në mënyrë që t’i shmangen problematikave dentare në shtatzëni.

Është shumë e pakëndshme për të kaluar nëpër të këtilla situata si dhimbje dhëmbi dhe ënjtje gjatë kësaj periudhe kur shumica e analgjetikëve dhe antibiotikëve duhet shmangur. Megjithatë, nëse ka ndonjë ndryshim në zgavrën e gojës gjatë kohës që gruaja është shtatzënë, shkuarja te dentisti nuk duhet të vonohet. Shumica e procedurave dentare janë plotësisht të sigurta si për nënën ashtu edhe për foshnjën.

Shumë nga gratë shtatëzana kanë të përziera dhe të vjella. Acidi i stomakut nga të vjellat e shpeshta shkakton demineralizimin e smaltit dhe gërryerjen e dhëmbëve. Nëse ky problem shfaqet gjatë shtatzënisë, këshilla ime është që pas të vjellave të shpëlani gojën me ujë të thjeshtë, në mënyrë që acidi të mos qëndrojë rreth dhëmbëve. Rekomandohet larja e dhëmbëve me furçë dhe pastë dhëmbësh vetëm gjysmë ore pas të vjellave, sepse larja menjëherë pas të vjellave mund të kontribojë në demineralizimin e smaltit për shkak të efektit gërryes të acidit.

Mos e neglizhoni asnjëherë higjienën orale në shtatzëni. Neglizhenca e higjienës orale në shtatzëni ndoshta është për shkak të lodhjes, rraskapitjes dhe fokusimit në probleme të tjera gjinekologjike. Pavarësisht vështirësive, nuk duhet të shkoni në shtrat pa i pastruar dhëmbët. Dhe kjo do të thotë pastrim i rregullt dhe i plotë dhëmbëve dhe i hapësirave ndërdhëmbore./natalmedia.com

 

*Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi pa miratimin e drejtuesve të “natalmedia”

SHPËRNDAJE:

Related posts